Eko Higjiena

Rektori i ri ka punë për të bërë!

/ 6 minuta lexim

Nga Blerim Rexha-Çdo ditë që vijë në fakultet, kur takojë ndonjë nga kolegët pas përshëndetjes, vjen pyetja standarde: A paske mësim sot? E ngjashme edhe pyetja e studentëve: “Profesor kur jeni në fakultet?”

Në tetorin e vitit të kaluar, në Jakarta të Indonezisë, publikuam se bashku me kolegë një punim shkencor lidhur me votimin elektronik, si rezultat i një punë të palodhshme tetë muajsh me një ekip të përzgjedhur bashkëpunëtoresh. Shpenzimet për paraqitje në konferencë arritën vlerën 565 euro. Edhe pse ekzistonte një vendim nga Këshilli Drejtues që secili profesor ka të drejtë të mbulimit të shpenzimeve për dy konferenca, u udhëzuam që të bëjmë një kërkesë me shkrim Këshillit Drejtues të Universitetit, autoritetit me të lartë qeverisës, për mbulim të shpenzimeve të konferencës.

Në një mbledhje Këshilli Drejtues vendosi të na i mbuloj vetëm 400 euro për konferencën! “Mjaft i keni 400 euro”- na thanë përmes telefonit! Ndërsa pagesa u realizua pas gjashtë muajve dhe pas shumë insistimeve (lexo: intervencave). Çfarë ironie dhe absurdi! Pse duhet autoriteti me i lartë qeverisës i universitetit të merret me mikrofinanca? A është ky një vetëfaktorizim apo vetëzhvlerësim i Këshillit Drejtues? Kjo praktikë duhet të ndërpritet tani! Këshilli Drejtues i ri, i sapo zgjedhur, i Universitetit të Prishtinës nuk duhet të bëjë kësi gabime, ai duhet që konform Nenit 18, pika 10 e Ligjit për Arsimin e Lartë të hartojë planin strategjik trevjeçar me objektiva dhe metrika të matshme siç janë: (i) Digjitalizimi, (ii) Një student-një laptop, (iii) Rritja e numrit të profesorëve për student, (iv) Rritja e numrit të publikimeve shkencore, (v) Ngritja dhe avancimi i laboratorëve, (vi) Rritja e hapësirës për student, (vii) Vlerësimi i profesorëve nga ana e studenteve, dhe (viii) Futja e plan programeve të reja dhe aktualizimi i atyre aktuale.

Digjitalizimi i proceseve administrative dhe biznesore, apo qeverisja elektronike – siç jemi mësuar ta dëgjojmë në jetën e përditshme, është padyshim sfida më e madhe që është duke i përcjellë institucionet e Kosovës, edhe Universitetin e Prishtinës. “Qeverisja elektronike është një vizion – një vizion i një infrastrukture të sigurt e të rrjedhshme të komunikimit dhe informatës, e cila mundëson një bashkëpunim efikas dhe të sigurt të të gjithë akterëve si brenda ashtu edhe jashtë institucionit” pati thënë profesori Scheer, lider i qeverisjes elektronike në Gjermani. Universiteti i Prishtinës nuk duhet të jetë një përjashtim nga qeverisja elektronike, përkundrazi ai duhet te jetë pishtar i qeverisjes elektronike, por “për të dhënë dritë, vetë burimi duhet të shkëlqej” shkruante profesori ynë, me nam botëror, Jahja Kokaj. Digjitalizimi dhe qeverisja elektronike nuk është fjalë dhe proces krejt e panjohur për Universitetin e Prishtinës, kishte filluar që nga viti 2007! Rektori aktual i dha mandat dhe hapësirë edhe më të madhe, ka përmirësime, por ende digjitalizimi nuk ka marre formën siç e ka në universitetet evropiane dhe botërore. Pajisja e studenteve me nga një laptop, praktikë tani më e implementuar në shumë universitete kërkon vetëm një formë me kreative të partneritetit në mes të akterëve gjegjës. Nga përvojat e universiteteve evropiane dhe amerikane lë të konkludohet se Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës dhe Rektori i ri kanë punë për të bërë.

Çdo ditë që vijë në fakultet, kur takojë ndonjë nga kolegët pas përshëndetjes, vjen pyetja standarde: A paske mësim sot? E ngjashme edhe pyetja e studentëve: “Profesor kur jeni në fakultet?” Ende nuk po e kuptoj këtë konkluzion paragjykues, a duhet të jemi në fakultet vetëm kur kemi ligjërata! Ky paragjykim duhet të ndërroj menjëherë! Por ky ndërrohet vetëm atëherë kur të gjithë në profesorët e trajtojmë punën tonë me seriozitet dhe dinjitet, ashtu edhe siç edhe paguhemi me dinjitet, të vijmë çdo ditë në kabinetet tona nga ora tetë e mëngjesit. Ende e kam te freskët kujtimin e profesorit tim në Vjenë, kur vinte i pari dhe qëndronte shpesh deri në ora tetë të mbrëmjes në kabinetin e tij! Liria akademike, e drejtë garantuar me kushtetutë dhe kreativiteti e mendimi kritik të përcaktuara si objektiva kyçe në parimet e Ligjit për Arsimin e Lartë duhet kuptuar drejt së pari nga ne profesorët. Këshillit Drejtues i Universitetit të Prishtinës dhe Rektori i ri kanë edhe këtu punë për të bërë.

Fundamenti

Gjatë viteve të fundit është diskutuar shumë lidhur me futjen e lëndës së gjuhës shqipe në universitet. Mendoj se studentët tanë mbesin të papunë jo për shkak të mungesës së dijes nga gjuha shqipe por për këto dy arsye:

Për shkak të mosnjohjes së gjuhës angleze për të lexuar e kuptuar informatat dhe librat që na ofrohen në librarinë më të madhe të dijës së njerizimit – në Internet. Për të konkurruar në tregun rajonal dhe global të punës dijen tonë mund ta shprehim vetëm në gjuhen angleze. Prandaj ligjërimi i disa lëndëve profesionale në gjuhen angleze, praktikë kjo e njohur e shumë universiteteve gjermane, padyshim që do të sfidojë vizionin dhe guximin e Rektorit të ri, dhe jo kompetencës së profesorëve për t’iu transmetuar studentëve dijen aktuale sipas kërkesave të tregut të punës. Kompetenca arrihet vetëm me punë kërkimore dhe laboratorike, synim ky i përcaktuar edhe në statutin e universitetit, por jo i arritur plotësisht. Prandaj ngritja e laboratorëve të reja dhe bashkëpunimi institucional me tregun lokal dhe rajonal të punës është sfida e radhës që e pret Rektorin e ri.

Vitin e kaluar në një nga drejtimet e fakulteteve teknike në afatin e parë nuk u regjistruan as 10% e studenteve të paraparë me konkurs. Mosinteresimin e maturantëve për atë drejtim e kuptova si ndëshkim që i dhanë fakultetit për plan programin e tejkaluar dhe te vjetërsuar mësimor. Sot, më askush nuk mundet t’i mashtrojë maturantët, ata për çdo gjë konsultojnë Internetin. Plan programet mësimore të ofruara duhet të jenë dinamike dhe në pajtim me kërkesat e tregut të punës. Këto plan programe kërkojnë që në radhë të parë profesorët të merren në vazhdimësi më punë kërkimore dhe të pasqyrojnë këto ndryshime në plan programe mësimore! Charles Darwin kishte thënë “Nuk është fuqia e disa specieve që mbijetuan, as inteligjenca e tyre, por aftësia për t’ iu përshtatur shpejt ndryshimeve”.

Autori është Profesor në Universitetin e Prishtinës dhe ekspert në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve.