RCCOLA

Rektori Hajrizi nderohet me mirënjohje si personalitet i shquar nga Universiteti i Korçës

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, është nderuar me mirënjohje nga Universiteti i Korçës “Fan S. Noli” në 50 vjetorin e themelimit të këtij institucioni.

Në një ceremoni solemne të shënimit të këtij përvjetori jubilar, të mbajtur në Korçë, në praninë e drejtuesve më të lartë të shkencës dhe arsimit në Shqipëri, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Bashkisë së Korçës, rektori i Universitetit “Fan S.Noli”, prof.dr. Dhimitri Bello, i ka ndarë rektorit të UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, mirënjohje për arritjet e tij dhe të institucionit që drejton.

Mirënjohja i është ndarë si personalitet i shquar shqiptar në fushën e arsimit dhe si drejtues mendje hapur i UBT-së.

“Personalitet i shquar në hapësirën shqiptare dhe evropiane të arsimit të lartë, drejtues mendje hapur i UBT-së, që është një shembull i madh për mësimdhënien bashkëkohore dhe infrastrukturën moderne, duke realizuar projekte konkrete të teknologjisë së informacionit me nxënës dhe studentë në qytetin e Korçës dhe në Universitetin “Fan S. Noli”. Me rastin e 50 vjetorit të krijimit të Universitetit “Fan S. Noli”, në shenjë mirënjohje nga drejtuesit, stafi akademik dhe studentët për ndihmesat e vyera që i ka dhënë këtij institucioni”, thuhet në motivacionin e mirënjohjes.

Rektori Hajrizi ka falënderuar drejtuesit e Universitetit “Fan S.Noli” për vlerësimin duke zgjatur dorën e bashkëpunimit për projekte të përbashkëta në arsim dhe shkencë në mes të dy universiteteve dhe vendeve tona.

“Jam jashtëzakonisht i lumtur që jam sot këtu mes jush për të kremtuar bashkë 50 vjetorin e themelimit të Universitetit të Korçës, i cili mban me krenari emrin e atdhetarit me ndërgjegje të lartë qytetare e politike, patriotit e demokratit të shquar, udhëheqësit politik e kompozitorit, Fan S. Noli”, u shpreh fillimisht rektori Hajrizi.

“Sa herë vij në Korçë unë ndjehem si në shtëpinë time. Në fakt, ky qytet i bukur e me plot trashëgimi kulturore, prej më shumë se një viti është shndërruar në shtëpinë e dytë të UBT-së. Kjo pasi ne bashkë me Bashkinë e Korçës kemi hapur në bibliotekën “Thimi Mitko”, qendrën më të madhe te teknologjisë dhe inovacionit – Korça Innovation and Technology Hub, rezultatet e para të së cilës janë shpresëdhënëse e shumë inkurajuese e motivuese për ne si institucion që brenda pak ditësh do të shënojmë po ashtu 20 vjetorin e themelimit”, shtoi ai .

KKVITI

Rektori Hajrizi tha se sot, si popuj e si shtete përballemi çdo ditë me sfida të pashembullta politike, të sigurisë, sfida të paimagjinueshme shëndetësore, krahas sfidave sociale, ekonomike, mjedisore e teknologjike.

“Me gjithë arritjet teknologjike e shkencore, e arritjet e mëdha njerëzore ne shpeshherë nuk arrijmë që të parashikojmë atë se çfarë na pret, se çfarë mund të ndodhë me ne e përreth nesh. Por ajo që ne mund ta bëjmë me siguri të plotë është që të jemi të përgatitur për secilën sfidë. E ky është edhe roli i Universiteteve – për të përgatitur kuadrot më të mira e profesionistët më të zot për secilën sfidë. Krahas edukimit, në kohën e sotme universitetet e kanë për detyrë që me ekspertizën e tyre akademike e shkencore të ofrojnë zgjidhje për problemet e shoqërisë”, tha rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi.

Tani, sipas tij, është imperativ i kohës që secili universitet të kombinojë mësimdhënien dhe kërkimin në një mënyrë unike, për të ofruar zgjidhje të cilat avancojnë progresin shoqëror në tërësi.

“Krahas pasionit për punë e edukim, ne si bartës të universiteteve duhet të punojmë shumë në krijimin e strategjive të cilat na ndihmojnë e mundësojnë që të mos mbesim vetëm në rolin e ndërgjegjësuesit por që na shtyjnë edhe të veprojmë”.

Hajrizi tha se në kohën e sotme suksesi i universiteteve është vendimtar edhe për suksesin e shteteve.

“Në fjalimin e tij të rrallë në Asamblenë e Lidhjes së Kombëve, me 10 shtator 1924, Fan Noli është shprehur se ‘Paqja nuk do të vijë prej trakteve. Këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor’. Ky duhet të jetë edhe synimi ynë. Për të avancuar si shoqëri përmes edukimit, për të forcuar shtetet tona përballë sidave që na vijnë, për të mbetur si shqiptarë ashtu siç na porositë Noli, citoj: ‘Ne jemi shqiptarë dhe e kemi për detyrë të mbetemi siç qemë prej kohe stoli e maleve të larta dhe të qiellit’, ka shtuar rektori Hajrizi.

Në vijim të vizitës në Korçë rektori Hajrizi zhvilloi disa takime me përfaqësues të institucioneve lokale, por edhe të universiteteve të ndryshme që morën pjesë në këtë ceremoni.