Rekomandohet zgjidhje urbanistike për qasje në infrastrukturë rrugore në dy zona
Gjilan – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPUMM), ka rekomanduar të martën për procedurë të mëtejme propozim-vendimin për zgjidhje urbanistike të infrastrukturës rrugore në dy plane rregulluese, “Qarku” dhe “Kodra e Thatë”, të cilat i ka arsyetuar Bahrije Mahmuti, drejtoreshë e Urbanizimit.
Ajo ka thënë se revidimet e pjesshme në këto dy zona, janë të nevojshme për të krijuar zgjidhje për qasje në infrastrukturë rrugore, por pa cenuar planin zhvillimor urban, që për zonën “Qarku” është miratuar në vitin 2002, ndërsa për zonën “Kodra e Thatë”, në vitin 2010.
Mahmuti ka thënë se në këtë rast bëhet një racionalizim i parcelave ekzistuese për banim individual, për të krijuar qasje në infrastrukturën rrugore, të cilën e kanë kërkuar qytetarët e kësaj pjese.
Arkitektja Selvije Shefkiu ka thënë se në zonën “Qarku”, në pjesën ku është propozuar revidimi i planit, janë disa shtëpi që kanë leje ndërtimore, por nuk kanë qasje në rrugë, prandaj është e domosdoshme një zgjidhje. Ajo ka thënë se propozimi është në harmoni me gjendjen faktike në terren dhe është pranuar nga banorët.
Rexhep Kadriu (AKK) ka thënë se kjo zgjidhje nuk e përmbyll procesin në këtë zonë.
Sa i përket propozim-zgjidhjes te “Kodra e Thatë”, Ramiz Ramadani (LDK) e Rexhep Kadriu (AAK), që përfaqësojnë opozitën në KPUMM janë treguar shumë kritik, duke thënë se ligji nuk lejon ndërhyrjen në plane rregulluese para periudhës prej 5 vitesh, pas miratimit të tyre, pavarësisht se drejtoresha Bahrije Mahmuti ka thënë se në këtë rast nuk bëhet fjalë për ndërhyrje, por për racionalizim të parcelave.
Opozita ka votuar kundër këtij ndryshimi në zonën “Kodra e Thatë”.
Florina Zymberi, kryesuese e KPUMM tha se në të dyja rastet është paraqitur interesi i qytetarëve për qasje në infrastrukturën rrugore dhe kjo duhet t`iu mundësohet sipas zgjidhjes që ka propozuar drejtoria e Urbanizimit.
Njëherësh, të martën, Drejtoria për Urbanizëm ka mbajtur edhe një dëgjim publik me një grup të qytetarëve të lagjes “Livadhet e Arapit”, të cilët kanë kërkuar ndryshim të destinimit në një pjesë të zonës, para se plani rregullues të shkojë për miratim në Kuvend Komunal, por pasi janë përfunduar të gjitha procedurat tjera, përfshirë edhe debatin me qytetarë./rajonipress/


