ARKATANA

Rekomandohen edhe dy plane rregulluese, “Qarku 2” dhe Kampi “Montith”

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Komiteti për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit (KPMM) ka rekomanduar të hënën për procedim të mëtejmë edhe dy plane rregulluese për zonat “Qarku 2” dhe Kampi “Montith”, të cilat i ka prezantuar drejtoresha e Urbanizmit Bahrije Mahmuti, përkatësisht përfaqësuesit e dy kompanive projektuese.

Planet përmbajnë normativat teknike, standarde si dhe zgjidhje urbanistike dhe rregullative specifike të organizimit dhe shfrytëzimit të hapësirave dhe të ndërtimit të objekteve të banimit dhe afarizmit, objekteve të arsimit, shëndetësisë, kulturës, sportit, përmbajtje dhe objekte të infrastrukturës teknike komunale, rrugëve primare dhe sekondare, trotuareve, shtigjeve dhe aleve të ndryshme, hapësirave të lira dhe atyre për gjelbërim, ujësjellës dhe kanalizim si dhe kushte të tjera për një jetë të organizuar, ka thënë Mahmuti.

Florina Zymberi, kryesuese e KPUMM ka thënë se kompanitë projektuese kanë bërë një punë mjaft të mirë, ku shihet se janë ruajtur elementet kryesore të infrastrukturës urbane. Plani rregullues është një letërnjoftim urban i qytetarit, ka thënë Zymberi, duke shtuar se jeta e sistemuar urbane është interes i qytetarëve.

Përfaqësuesit e kompanive projektuese “Prima Vizion” dhe “Vizion Projekt”, Shpend Agaj e Arta Jonuzi ka thënë se “Qarku 2” përfshin një sipërfaqe prej 90 hektarëve, në pjesën perëndimore të qyteti, ndërmjet rrugëve Gjilan – Ferizaj dhe Gjilan-Livoç-Cërnicë dhe është e ndarë në 490 ngastra kadastrale. Zona aktualisht ka 386 ekonomi familjare, përkatësisht rreth 2260 banorë. Pjesa më e madhe e zonës është pronë private.

“Qarku 2” është e banuar nga viti 1960, por me të madhe ka filluar të popullohet pas vitit 2000, kur migrimi në drejtim të qytetit është rritur dukshëm. Me plan rregullues, zona është e destinuar për ndërtime individuale dhe kolektive, me lartësi prej P+1 deri në P+4.

Plani parasheh zgjerimin e infrastrukturës rrugore ekzistuese dhe ndërtimin e rrugëve të reja. Janë paraparë 3 çerdhe, një shkollë fillore, një qendër tregtare dhe përmbajtje tjetër publike dhe tregtare si dhe rekreative-sportive.

Rexhep Kadriu, anëtar i KPUMM ka pasur vërejtje te hapësirat sportive, të cilat mungojnë dhe ka kërkuar të rishikohet ky segment si dhe është deklaruar kundër qendrës tregtare në këtë zonë.

Ramiz Ramadani ka thënë se e meta e këtij plani është mungesa e transportit publik, të cilin e ka nënvizuar edhe Kadriu, por drejtoresha Bahrije Mahmuti ka thënë se transporti publik trajtohet në mënyrë të përgjithshme për tërë qytetin.

Ndërkaq, pyetje rreth etazhitetit, madhësisë që duhet të kenë parcelat për t`u pajisur me leje ndërtimi, numrit të shkollave fillore dhe të tjera, i kanë ngritur Xhafer Xhelili, Shqipe Nuhiu, Leonora Bunajku, Beskim Isaku dhe kanë marrë përgjigje nga përfaqësuesit e kompanisë, drejtoresha Bahrije Mahmuti si dhe shefi i sektorit të Planifikimit, Fadil Sherifi.

ARKATANA

KPUMM e ka rekomanduar edhe planin rregullues për zonën “Montith”. Plani rregullues Kampi “Montith” përfshinë hapësirën në mes rrugës magjistrale Gjilan- Bujanovc dhe Gjilan-Malishevë, me një sipërfaqe rreth 110 hektarë. Është pjesërisht e ndërtuar, ku dominon banimi individual dhe objektet banimore-afariste përgjatë rrugës Gjilan – Bujanoc.

Përfaqësues i kompanisë hartuese “XL Arkitekt” nga Prishtina, Arian Xhemaj ka thënë se zona “Montith” shtrihet në një sipërfaqe prej 110 hektarësh, përgjatë rrugës Gjilan-Bujanoc dhe Gjilan-Malishevë dhe është e destinuar kryesisht për banim kolektiv, me lartësi maksimale të ndërtimit deri në P+6. Është planifikuar që kjo lagje t`i ketë deri në 30 mijë banorë, që përbëjnë gjysmën e banorëve të tashëm të qytetit.

Në këtë zonë parashihet të ndërtohet kampi universitar, 2 shkolla fillore, një shkollë e mesme, 3 çerdhe, 2 Qendra të Mjekësisë Familjare, një objekt social për nevoja të pleqve dhe fëmijëve nën përkujdesje sociale, një qendër kulturore, një objekt për administratë, ndërsa për sport dhe rekreacion janë planifikuar 11 hektarë.

Pjesa e tashme e FSK-së, do të jetë park publik. Plani parash ndërtimin një rrjeti rrugor depërtues, që e lidh këtë lagje me lagjet tjera, qytetin dhe me rrugët kryesore, do të ketë shiritat për këmbësorë dhe çiklistë, shirita të gjelbër përgjatë boshteve kryesore të komunikimit.

Gjatë procesit të hartimit të këtyre dy planeve, ka pasur një pjesëmarrje solide të pronareve të tokave dhe objekteve të këtyre zonave dhe shumica e vërejtjeve të arsyeshme janë marrë parasysh.

Parcelat e përfshira në këto plane rregulluese, të cilat janë të destinuara për objekte publike dhe objekte të infrastrukturës komunale e që nuk janë pronë komunale, shpallen interes i përgjithshëm publik, sipas ligjit.

Shumica e anëtarëve të KPUMM kanë propozuar rritje të etazhitetit në këtë zonë, sidomos përgjatë rrugës Gjilan-Bujanoc. Rexhep Kadriu ka pasur vërejte te unaza në afërsi të Fabrikës së Baterive, duke kërkuar që ajo të rishikohet, ndërkaq sa i përket lumit Stanishor ka thënë se nuk është trajtuar fare në këtë plan, sikurse nuk e sheh të qëlluar as zgjidhjen e ofruar për stadium në këtë zonë, për shkak se nuk është marrë parasysh hapësira ekzistuese, por një hapësirë tjetër, që është pronë private.

Edhe Florina Zymberi, Xhafer Xhelili, Leonora Bunjaku dhe të tjerët, kanë thënë duhet të lejohet etazhitet më i lartë, deri në P+8, në mënyrë që të ruhet toka, por janë bindur pastaj me arsyet që i ka dhënë hartuesi, pse është dashur të jetë kaq dhe jo më i lartë.

Sa i përket unazës, Fadil Sherifi tha se nuk pamundur të bëhet zgjidhje tjetër, sepse pjesa tjetër i përket Fabrikës së baterive, ndërkaq për lumin Stanishor ekziston projekti kryesor./rajonipress/

Mund të ju interesoj: