UBT

Refuzoi mbi 10 skuadra, Shala kërkon të sundoj me Spartën

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Herolind Shala ka treguar ndjenjat e tij për debutimin me skuadrën e re Spartën e Pragës.

Mesfushori shqiptar bëri një ndeshje të mirë, asistoi për golin e vetëm të skuadrës së tij dhe për më tepër, mbajti në krah shiritin e kapitenit edhe pse është vetëm 22-vjeçar. Madje, ai nuk ka më shumë se 10 ditë te gjiganti i futbollit çek.

Djaloshi nga Drenasi la me gojë hapur të gjithë të pranishmit në ndeshje me paraqitjen e tij mbresëlënëse.

Në një prononcim për Telegrafin, Shala tregon emocionet e para si lojtar i Spartës së Pragës, dhe flet rreth debutimit.

“Shiriti i kapitenit mu dha pasi klubi dëshiroi të më nderoj në debutimin tim. Them të drejtën ka qenë gjithçka mirë në atë takim, si mbajtja e shiritit që më bëri të ndihem për mrekulli, ashtu edhe loja ime, edhe pse ende nuk jam në formën më të mirë, tha Shala për Telegrafin.

Synimet e Herolindit, janë që të sundoj në futbollin çek së bashku me skuadrën e tij, ku janë në luftë për titullin e kampionit dhe Kupën e Çekisë.

“Unë kam ardhur këtu për të luajtur futboll dhe për të treguar se kush jam. Dëshira ime është që ta mbërrij formën time më të mirë, dhe të sundoj në futbollin çek së bashku me Spartën. Do të luftojmë për tituj dhe pas një viti synojmë të futemi në grupe të Ligës së Kampionëve”.

ARKATANA

“Këtë ndeshjen e parë e bëra një asistim, dhe pata mundësinë të shënoj por ja që nuk ia arrita. Kam ende ndeshje tjera, dhe besoj se do të shënoj gola siç kam bërë në Norvegji”, vazhdoi tutje talenti i madh shqiptar.

Ylli i Kombëtares në fund tha se ndihet i nderuar që ka marrë fanellën me numër 10 tek klubi çek.

“Këtë numër e kanë mbajtur në shpinë edhe lojtar të mëdhenj si legjenda Thomas Rosicky dhe Wilfried Bony. Do ta mbaj me krenari në shpinë, pasi jam i nderuar që mu është besuar. Unë do të ndjek hapat e Rosickyt nga Sparta për të luajtur në skuadrat e mëdha evropiane”, përfundoi Shala.

Shala është ndër talentet më të mëdhenj shqiptar në Evropë, ai para se të zgjidhte Spartën e Pragës kishte edhe oferta të tjera nga skuadra të ndryshme evropiane.

“Kam pasur shumë oferta na kampionate të ndryshme evropiane. Kanë qenë skuadrat belge,holandeze gjermane, angleze e italiane që më kanë kërkuar, por kam zgjedhur mundësinë më të mirë për të bërë karrierë. Këtu duhet të tregoj vetën para se të bëjë hap tjetër të madh”, përfundoi Shala, për Telegrafin.

Standard Lutich, Club Brugge, Groningen, Greuther Furth, Sporting Braga, Udinese, Empoli, Genoa Legia Warszawa dhe Sheffield Wednesday ishin të interesuara për talentin shqiptarë, por ai në fund zgjodhi Spartën e Pragës.

Kujtojmë që Herolindi ka pasur oferta të shumta edhe nga skuadrat norvegjeze dhe ato daneze. /Telegrafi/