Refuzimi amerikan, nuk ka viza për të korruptuarit dhe nëntokën kriminale
Analistët politikë dhe qytetarët e anketuar nga gazeta mendojnë dhe kërkojnë që SHBA-ja të intervenojë dhe të veprojë si në Shqipëri, t’ua bëjë bllok të gjithë të korruptuarve në Kosovë dhe familjarëve të tyre, që të mos u jepen viza amerikane. SHBA-ja është duke bërë një veprim të tillë në Shqipëri, ku u refuzuan dhjetëra zyrtarë të dyshuar për korrupsion së bashku me të afërmit e tyre.
Guraziu: SHBA-ja ta përdorë modelin e Shqipërisë edhe në Kosovë, për stopimin e vizave ndaj të korruptuarve
“Ashtu siç u refuzuan në Shqipëri dhjetëra zyrtarë të dyshuar për korrupsion dhe të afërm të tyre, ashtu siç ua kanë refuzuar tanimë vizat disa mafio-oligarkëve kosovarë, SHBA-të duhet t’ua refuzojë vizat edhe të gjithë zyrtarëve, gjyqtarëve, prokurorëve, policëve e politikanëve të korruptuar, të cilët po e rëndojnë jetën e qytetarëve dhe po e dëmtojnë me të madhe imazhin e vendit në botë”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”
Analistët politikë dhe qytetarët e anketuar nga gazeta mendojnë dhe kërkojnë që SHBA-ja të intervenojë dhe të veprojë si në Shqipëri, t’ua bëjë bllok të gjithë të korruptuarve në Kosovë dhe familjarëve të tyre, që të mos u jepen viza amerikane. SHBA-ja është duke bërë një veprim të tillë në Shqipëri, ku u refuzuan dhjetëra zyrtarë të dyshuar për korrupsion së bashku me të afërmit e tyre.
Deri më tani institucionet e drejtësisë kosovare nuk kanë vepruar, kanë mbetur në pikën zero, prandaj mënyra e vetme për t’i ndëshkuar të korruptuarit e nivelit të lartë të politikës shihet izolimi nga bota, për t’u treguar edhe qytetarëve se për sa kohë ua japin votën politikanëve të tillë, nuk ka integrim dhe as liberalizim. Po ashtu, sipas analistëve, SHBA-ja do të duhej t’ua refuzonte vizat edhe gjyqtarëve, prokurorëve, policëve e politikanëve të korruptuar, të cilët po e dëmtojnë me të madhe këtë vend dhe nuk ka kush t’i ndëshkojë, sepse vetëm refuzimet e këtilla mund ta mbështetin për muri edhe politikën e inkriminuar, mafio-oligarkët, si dhe institucionet e korruptuara të drejtësisë.
Zeqa: SHBA- ja ua ka refuzuar tanimë vizat disa mafio-oligarkëve kosovarë
Sipas analistit politik Florim Zeqa, paralelisht ndalesës që duhet t’ua bëjnë SHBA-ja të gjithë të korruptuarve dhe të inkriminuarve në Kosovë, duhet të mobilizohet edhe mërgata jonë, gjegjësisht të gjitha shoqatat dhe organizimet e tjera të shqiptarëve në mërgatën tonë, që t’i bojkotojnë “produktet e prishura” nga Kosova, përkatësisht liderët shtetërorë dhe partiakë, ministrat dhe zv. ministrat, deputetë e kryetarë komunash që kanë dosje të ngritura për korrupsion dhe krim të organizuar. “Vetëm kështu mund të dalim ballëhapur e faqebardhë para amerikanëve dhe shteteve europerëndimore me kërkesën për bllokim, me mosdhënie vizash të korruptuarve dhe familjarëve të tyre. Për shkak se mënyra e vetme për t’i ndëshkuar është izolimi nga bota, për t’u treguar edhe qytetarëve se për sa kohë ua japin votën politikanëve të tillë, nuk ka integrim të Kosovës dhe as liberalizim vizash për qytetarët”, u shpreh ai.
“Ashtu siç u refuzuan në Shqipëri dhjetëra zyrtarë të dyshuar për korrupsion dhe të afërm të tyre, ashtu siç ua kanë refuzuar tanimë vizat disa mafio-oligarkëve kosovarë, SHBA-të duhet t’ua refuzojë vizat edhe të gjithë zyrtarëve, gjyqtarëve, prokurorëve, policëve e politikanëve të korruptuar, të cilët po e rëndojnë jetën e qytetarëve dhe po e dëmtojnë me të madhe imazhin e vendit në botë”, vijoi më tej Zeqa.“Vetëm refuzimet nga bashkësia ndërkombëtare dhe mërgata jonë mund t’i mbështetin për muri politikanët e inkriminuar, mafio-oligarkët, si dhe institucionet e korruptuara të drejtësisë. Njëherësh kjo është mënyra më e mirë për t’i vetëdijesuar edhe qytetarët e vendit, të cilët janë të manipuluar apo të varur nga kusarët e politikës kosovare”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot”.
Badallaj: Vetëm Amerika u vjen hakut
Reshat Badallaj mendon se politikanët e Kosovës deri më tani janë treguar krejtësisht indiferentë ndaj kritikave të ndërkombëtarëve për krim e korrupsion dhe vetëm izolimi i tyre, sikur që po bën SHBA-ja me politikanët e Shqipërisë, mundë t’i rrëzojë këta nga pushteti. “Po duhet të them një thënie nga anët tona: Vetëm Amerika u vjen hakut këtyre banditëve të korruptuar. Do të ishte puna më e mençur dhe me shumë vend në qoftë se Amerika do t´ia ndalojë vizat të mos u shkel këmba këtyre hajnave, të korruptuarve, që aspak unë nuk kisha thënë të dyshuarve. Këta pa më të voglin dyshim janë hajna dhe njerëzit më të korruptuar jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin. Bile do të ishte mirë që jo vetëm Amerika, por edhe disa shtete të fuqishme botërore, mirëpo këta mjerisht po veprojnë mbrapsht, ia kanë ndaluar popullit të pafajshëm dhe kryehajna dhe hajnat lëvizin lirshëm nëpër vende të botës, duke e shkatërruar buxhetin e shtetit dhe duke bërë sallamadi me paratë rrush e kumbulla”, vlerësoi Reshat Badallaj për “Kosova Sot”.
Guraziu: Bashkëjetesa me korrupsionin
Analisti politik Ragip Guraziu thotë se do të ishte tepër e domosdoshme që SHBA-ja ta përdorë modelin e Shqipërisë edhe në Kosovë për stopimin e vizave ndaj të korruptuarve dhe këtu duhet të intervenojë sa më shpejt. “Po e kërkoj këtë, sepse si në Shqipëri po ashtu edhe në Kosovë, në këto dy shtetet shqiptare, korrupsioni po lulëzon, politikanët e korruptuar po shëtisin lirshëm dhe s’ka kush i burgosë, derisa në të gjitha institucionet në këto dy shtete korrupsioni po lulëzon, kjo po ndodh derisa nuk po zbatohet ligji në asnjë institucion. Lëre më që prokuroria dhe gjykatat nuk i ndëshkojnë këta të korruptuar, por bashkëjetojnë me ta. Është krejt normale që nuk i ndëshkojnë kur ata edhe vetë janë mbi ligjin.
Prandaj, po them që tani është koha kur duhet që SHBA-ja të veprojë, si në Shqipëri, t’ua bëjë bllok vizat të gjithë të korruptuarve në Kosovë dhe familjarëve të tyre, që të mos u jepen viza amerikane. Kjo është mënyra e vetme për t’i ndëshkuar. Ata duhet të izolohen nga bota për t’u treguar edhe qytetarëve se për sa kohë ua japin votën politikanëve të tillë, nuk ka integrim dhe liberalizim”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.
Qytetarët pajtohen me ndëshkimin e politikanëve
Bllokimin e të gjithë të korruptuarve në Kosovë dhe familjarëve të tyre që të mos u jepen viza amerikane e kërkojnë dhe e mbështesin edhe qytetarët kosovarë të anketuar nga gazeta. Kështu mendon qytetari Izet Zhuja.
“Unë pajtohem plotësisht me atë çka ka bërë në Shqipëri SHBA-ja, por që do të duhej ta bëjë edhe një herë më shumë e më ashpër në Kosovë, sepse jam shumë i sigurt që në Kosovë ka akoma më shumë krim e korrupsion, më shumë njerëz të korruptuar sesa në Shqipëri. Këta njerëz të përfshirë në krim e korrupsion duhet të identifikohen e të izolohen prej majës së shtetit e teposhtë, prej kryetarit të shtetit e teposhtë, deri te niveli më i ulët i institucioneve të ndryshme. Po e them këtë sepse nëse dëshiron ta kryejë dikush një punë duhet të paguash, sepse ndryshe nuk kalon.
Kjo nuk ndodh vetëm në disa organe, te të cilat ka mbikëqyrje pak sa më të përqendruar, por realisht askund në institucionet e shtetit tonë nuk ka mbikëqyrje efektive, kështu që edhe korrupsioni, sidomos i këtyre njerëzve të politikës, është në nivel shumë të lartë. Mirëpo nëse SHBA-ja do t’i izolonte këta të mëdhenjtë e politikës, që janë të korruptuar, atëherë shumë më lehtë në pushtet do të vinin njerëz të rinj, sepse me këta jemi ngopur që 20 vjet dhe përveçse për xhepat e tyre asgjë tjetër nuk kanë punuar, prandaj këta do të duhej ndërruar patjetër”, theksoi Zhuja. Kështu mendon edhe qytetari tjetër, Tomë Marleku, sipas të cilit një përgjegjësi serioze e mbajnë për mbetjen në krye të institucioneve të shtetit të Kosovës, të figurave të korruptuara politike, edhe vetë ndërkombëtarët, që nuk po i izolojnë këta deri më tani, e këtë mund ta bëjnë në mënyrën më të fuqishme amerikanët.“Kjo kapje e shtetit funksionon në mënyrë piramidale dhe shkon zinxhir pas zinxhiri për teposhtë dhe derisa nuk rrëzohet kjo piramidë, nuk ka shtet të së drejtës.
E nëse dëshirojnë ndërkombëtarët që ta rrëzojnë këtë piramidë, atëherë gjërat mund të ndryshojnë brenda natës, por derisa kapja e shtetit shkon në atë mënyrë, këtu në këtë shtet nuk ka perspektivë as në polici, as në gjyqësi, as në arsim, as në shëndetësi. Edhe policia, edhe gjyqësia, edhe shëndetësia janë thellësitë të korruptuara, jo pse nuk kanë rroga, por në pyetje është lidhja e tyre e ngushtë nepotiste dhe kanë krijuar sistem të krimit të organizuar”, vlerësoi Marleku për “Kosova Sot”.
(Kosova Sot)


