Reformatimi i Qeverisë, i nevojshëm – Analistët përmendin katër dikastere që duhet ndryshuar

Kur kanë kaluar mbi një vit qeverise, thirrjet ndaj kryeministri Albin Kurti për reformatim të Qeverisë janë shtuar nga njohësit e rrethanave politike. Ata po i shohin si të nevojshme këto ndryshime, pasi sipas tyre, ministrat që kanë performuar dobët gjatë kësaj kohe, duhet të zëvendësohen, raporton Ekonomia Online.

Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe ajo e Infrastrukturës, janë disa nga dikasteret që kërkojnë reformatim sipas tyre.

Analisti politik, Mazllum Baraliu, konsideron se reformatimi i Qeverisë nuk duhet të ndodh për të joshur militantët partiak por që sipas tij duhet të jenë profesional dhe me meritë.

“Është e nevojshme që të ketë një reformatim (mbikëqyrje të ministrave), do t’i bënte mirë riformatimi, por tani duhet të ketë një seleksion më të mirë se qe kishte, pra jo militant partiak, jo për t’i kënaqur e joshur ambiciet politike tek anëtarët e koalicionit siç në disa raste ka ndodhur por thjeshtë principi i vlerës dhe meritës të jenë principe kryesore , ku vlera dhe merita nënkuptojnë edhe ftese profesionale edhe aftësi menaxheriale politike”.“Unë mendoj që ua ka treguar vendin sepse disa deputetë janë bërë opozitë brenda partisë së tyre në fakte dhe shpesh herë ngrisin zëra dhe në institucione duke treguar egon e tyre personale mbi interesat e komisioneve trupave dhe organizmave ku janë ata në grup punues dhe kjo nuk di të duhej te ndodhte”.Reformatim të Qeverisë kërkon edhe analisti tjetër politik, Arbnor Sadiku, raporton EO.

Ai thotë për Ekonomia Online se duke e parë dështimet në realizimin e planit të punës, është e nevojshme kjo ndërhyrje.“Sigurisht që nevoja për reformatim u tregua në bazë të planit të punës për realizimin e aktivitetit të secilës ministri, sigurisht që është marrë nga shoqëria civile, dhe u pa që shumica e ministrive nuk e kanë tejkaluar planin 50 për qind të realizimit të aktiviteteve, përjashtuar disa dy apo tri ministri, kurse shumica prej ministrive nuk e tejkalonin atë normën e planifikuar të realizimit të planit qeverisës dhe sigurisht karshi ka reflektuar edhe kryeministri Kurti, duke e parë që diçka nuk është në rregull dhe para Kongresit të Partisë ai vetëm i dha disa paralajmërime se mund të ketë një reformatizim të Qeverisë”, tha Sadiku.

Sadiku përmendi edhe dikasteret në të cilat duhet të ketë reformatim. Sipas tij janë katër ministri që konsiderohen si bërthama e secilës Qeveri.“Sigurisht nëse i shikojmë matjet që i kemi bërë ka vërejtje në Ministrinë e Punëve të Jashtme, të Ministrisë së Arsimit po ashtu Ministria e Shëndetësisë çalon. Pastaj është Ministria e Infrastrukturës e cila nuk e ka shpenzuar buxhetin e planifikuar, pra janë këto ministritë e mëdha që janë bërthama e secilës Qeveri. Konsideroj që këtu do duhej të ishte fokusi më i madh i Albin Kurtit që ta rikthejë për sëmbari qeverinë e tij në mandatin e dytë, duke riformatizuar katër apo pesë dikasteret kryesore të kësaj qeverie”, u shpreh Sadiku për EO.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS