Reforma zgjedhore e nevojshme në Kosovë, siguron që asnjë votë e qytetarit të mos humbas

Ligji për zgjedhje të përgjithshme dhe ai për zgjedhje lokale po konsiderohen si jocilësore, prandaj reforma po konsiderohet e nevojshme nga njohësit e çështjeve juridike, raporton Ekonomia Online.

Përparim Gruda ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, se të dyja ligjet e sipërpërmendura kanë probleme juridike për nga mënyra e shkrimit dhe hartimit.

“Aktualisht ne kemi dy ligje bazike që rregullojnë çështjen e zgjedhjeve në Kosovë, e kemi Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe Ligjin për zgjedhjet lokale. Është rasti për ta thënë se të dy ligjet janë në fakt jo shumë cilësore edhe për nga standardi i rregullimit edhe për nga mënyra e shkrimit dhe teknika juridike e hartimit. Është momenti që Kosova me i hy një procesi të rishkrimit të këtyre ligjeve dhe një procesi të rëndësishëm të reformës zgjedhore”, është shprehur ai.

Sipas Grudës këto dy ligje veç problemit juridik kanë edhe një defekt ligjor që është aspekti i referimit të shpeshtë të ligjit për zgjedhje lokale në atë të përgjithshëm.

“Ka rëndësi me u tha edhe një defekt ligjor ne kemi dy ligje për zgjedhje. Në mënyrë të pakuptueshme Ligji për zgjedhje lokale i referohet ligjit për zgjedhje të përgjithshme. Nuk e kuptoj pse kemi bërë ligj për zgjedhje lokale mund të kemi pasur për shembull Ligji për zgjedhje të përgjithshme dhe lokale, një kapitull për të parën një për të dytën. Kjo pre supozon se ka dy materie të ndryshme rregullimi, kurse kur i lexon dispozitat për zgjedhje lokale e kupton që ai i referohet shpesh Ligjit për zgjedhje e përgjithshme. Është e pakuptimte që një ligj që rregullon zgjedhjet në një vend me pas kontradikta tilla, fjali jo logjike e hamendësime të tjera”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër edhe Lirika Agusholli nga GLPS duke folur për Ekonomia Online ka konsideruar se vendit i duhet një reformë zgjedhore për të eliminuar të gjitha paqartësisë dhe parregullsitë që kanë dalë nga ligjet dhe rregulloret zgjedhore.“Duhet të potencohet që për një reformë të mirëfilltë zgjedhore nevojitet një vullnet i fuqishëm politik, pra një konsensus politik. Për ta adresuar një reformë zgjedhore të mirë në Kosovë e cila adreson të gjitha problemet që kanë ndodhur deri më tani nevojitet që të bëhet një analizë e tërthortë dhe që siguron edhe votën e qytetarit por edhe i prek edhe paqartësisë dhe parregullsitë që kanë dalë nga ligjet dhe rregulloret zgjedhore”, është shprehur ajo.

Por, sipas Agushollit kjo reformë duhet të bëhet në të gjitha fushat e jo të fokusohet vetëm Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe atë për zgjedhje lokale.“Ne mendojmë që legjislatura e tashme e ka përgjegjësinë që të nis një reformë të mirëfilltë zgjedhore por e cila duhet të përfshijë një analizë shumë mirë të strukturuar dhe nuk bazohet në ligje të përveçme por thellohet në një reformë të tërësishme, pra ne mendojmë që reforma nuk duhet të jetë në ligje të cilat janë për interesa të ngushta partiake, siç janë ndryshimet për ligjet në zgjedhjet lokale apo të përgjithshme, por duhet të bëhet një reformë që prek të gjitha fushat problematike në sistemin zgjedhor të Kosovës që kanë ndodhë që nga viti 2011, kur kjo reformë ka nisur të iniciohet”, ka shtuar ajo.

Gjithashtu, Agusholli vlerëson se një proces mirëfilli zgjedhor do të siguronte që asnjë votë e qytetarit të mos humbte dhe do të pastronte listat zgjedhore.“Nga përvojat e mëparshme e kemi vërejtur se ka pasur shumë probleme në listat e votuesve, me votat që vijnë nga diaspora dhe në numërimin e tyre, me qendra të votimeve në shumë qytete të Kosovës, por paqartësitë dhe parregullsitë që rrjedhin nga mospërputhja e shumë ligjeve dhe rregulloreve duhet të adresohen pikërisht me anë të kësaj reforme”.“Një proces mirëfilli zgjedhor definitivit do të siguronte që çdo votë e qytetarit të mos njihet votë e humbur, do të pastronte listat zgjedhore por edhe do ta adresonte edhe një përfaqësim të denje të qytetareve në çdo pjesë të Kosovës. Ne ende nuk e kemi të qartë se çfarë pozite duhet të marrë reforma zgjedhore, apo a do të ndryshoj edhe sistemi a do të jetë proporcional apo azhuritar. Nëse Qeveria e ka një plan duhet ta sigurojë një analizë të qartë se çfarë qëndron prapa kësaj reforme”, ka përfunduar ajo për EO.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS