Mobi Casa

Reforma në shkurt, zgjedhjet në shtator!

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkuan nga Komisioni për Legjislacion dhe Kushtetutë, që deri në fund të muajit shkurt, ta përmbyllë reformën zgjedhore, në mënyrë që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen pas gjashtë muajve.

Ky vendim i ligjvënësve doli në vazhdim të seancës plenare ku u zhvillua një debat i ashpër ndërmjet grupeve parlamentare për Komisioni “ad-hoc” për Reformën, i cili nuk arriti t’i kryejë detyrat. Prandaj ligjvënësit ia dhanë kompetencat Komisioni për Legjislacion dhe Kushtetutë, që ta përfundojë reformën zgjedhore.

Partia Demokratike e Kosovës, përmes deputetit Arsim Bajrami, ka mbështetur organizimin e zgjedhjeve të rregullta dhe jo të parakohshme. Ai ka përmendur tri parakushte, që sipas tij, garantojnë reformë dhe zgjedhje të suksesshme.

“Të arrihet konsensusi në parlament dhe në nivelin e liderëve rreth reformës zgjedhore dhe ky konsensus të jetë sa më i madh. Pastaj, insistojmë që gjatë muajit shkurt të finalizohet projektligji për ndryshim-plotësimin e ligjit për zgjedhje nacionale. Po ashtu, edhe pse nuk është e caktuar me dispozitë kushtetuese, ka një standard elektoral evropian i Venecias që korniza ligjore duhet të jetë e përfunduar gjashtë muaj para se të shkohet në zgjedhje”, ka thënë Bajrami.

Deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, ka thënë se reforma deri më tani është përdorur vetëm si instrument politik i kryeministrit të Kosovës dhe liderit të LDK-së nga opozita për pazare politike dhe jetëgjatësinë e qeverisë aktuale.

Eco Higjiena

“Ne jemi për një zonë zgjedhore dhe lista të hapura. Jemi që pragu zgjedhor të jetë 7,5 për koalicione, 5 për partitë politike dhe 2,5 për qind për kandidatët e pavarur. Po ashtu, jemi për një balancë të KZQ-së me përbërje 50 me 50 për qind nga pozita e opozita. Jemi që lista e votuesve të pastrohet nga personat e vdekur dhe nga ata persona që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu.

Në anën tjetër nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LDK-së, Sabri Hamiti, ka thënë se “Vetëvendosja” nuk po propozon kurrfarë ndryshimesh, por po merret me fajësimin e subjekteve tjera. Ai ka thënë se puna e Komisionit ad-hoc ishte margjinalizuar nga momenti kur reforma u transferua si temë negociatash ndërmjet liderëve të partive politike.

“Krejt çka lexoi zonja Haxhiu ekziston në ligjin ekzistues. Pra, ju jeni kundër reformës dhe jeni për të mbetur ashtu si është. Një njësi zgjedhore, është kushtetuese, listat e hapura është kushtetuese, pra nuk kemi prekur asgjë këtu”, është shprehur Hamiti.

Edhe kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ishte një nga ata që shprehu dyshime duke thënë se kjo përbërje e Kuvendit nuk do të mund të përfundojë këtë reformë. “Unë nuk besoj që ky Kuvend ka kapacitet që ta bëjë reformën në afatin e duhur dhe në afatin që i duhet Kosovës”, ka thënë Krasniqi./zeri/