RCCOLA

Reforma mund të lë pa punë shumë punëtorë të administratës

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Miratimi i Ligjit për shërbyesit civilë dhe dy rregullore të tjera për reformim të administratës publike mund t’i lërë pa punë shumë punëtorë kosovarë.

Burime brenda Qeverisë, thonë se tashmë u ka shkuar një kërkesë agjencive buxhetore që të mos punësojnë njerëz të rinj. Reformimi i administratës vjen edhe si kërkesë e ndërkombëtarëve.

Qeveria e Kosovës ka filluar ta marrë seriozisht procesin e reformimit të administratës publike në Kosovë. Përveç miratimit të ligjeve përkatëse, në funksion tashmë janë edhe dy rregullore që kanë për qëllim sistematizimin e punëtorëve brenda institucioneve.

Por, në emër të këtij procesi, më së keqi pritet ta kenë vetë punëtorët. Miratimi i Ligjit për shërbyesit civilë dhe dy rregullore të tjera për reformim të administratës publike mund t’i lërë pa punë shumë punëtorë kosovarë, shkruan “Express”.

Burime brenda Qeverisë kanë thënë se, përveç reduktimit të numrit të punëtorëve, do të ndalohet edhe punësimi i njerëzve të rinj. Për këtë punë tashme disa prej agjencive buxhetore kanë pranuar një kërkesë nga Ministra e Administratës Publike që të mos punësojnë njerëz të rinj.

“Në rastet kur ndonjë institucion kërkon një punëtor, atë duhet ta gjejë brenda institucionit. Në rastet kur kjo nuk mund të ndodhë, atëherë duhet ta bëjë një kërkesë në ministrinë përkatëse”, ka thënë ky burim.

Megjithatë, të dhënat për tremujorin e parë të këtij viti, tregojnë të kundërtën.

Mobi Casa

Rreth 500 punëtorë të rinj i janë shtuar administratës publike këtë periudhë. Si pasojë, shpenzimet në paga u rritën për 15 milionë euro. Statistikat zyrtare tregojnë se të punësuar që marrin paga nga buxheti i Kosovës janë gjithsej 75,609 persona.

Ndërkaq, reformimi i administratës publike ka qenë kërkesë e kamotshme edhe e ndërkombëtarëve.

Ministri Mahir Yagcilar thotë se me hyrjen në fuqi të Ligjit për shërbimin civil, Ligjit për pagat e nëpunësve civilë dhe Ligjit për administratën shtetërore dhe me aprovimin e akteve nënligjore, të cilat dalin nga këto ligje, krijohen kushte për kalimin në riorganizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës.

“Me këtë ligj bëhet ndarja nga shërbimi civil e kategorive siç janë: punonjësit e sistemit arsimor, punonjësit e sistemit shëndetësor, zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës, zyrtarët e Doganave të Kosovës, zyrtarët korrektues të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës, të cilat kategori rregullohen me Ligjin e punës, ligje të veçanta, me marrëveshje kolektive ose me rregullore sektoriale”, tha ai.

Sipas ligjit, do të bëhet edhe kategorizimi i personelit të punësuar në shërbimin civil në 4 kategori funksionale: nëpunës civilë të nivelit të lartë drejtues, nëpunës civilë të nivelit drejtues, nëpunës civilë të nivelit ekzekutues dhe profesional dhe nëpunës civilë të nivelit administrativ.

Ndërkaq, me Ligjin për pagat e nëpunësve civilë do të bëhet edhe sistemimi dhe strukturimi i pagave, shtesave dhe të kompensimeve të tjera për nëpunësit civilë, kurse për herë të parë bëhet përcaktimi i të drejtave të nëpunësve civilë lidhur me pagat, shtesat dhe kompensimet e tjera.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës me qëllim të zbatimit të Ligjit për administratën shtetërore tashmë ka aprovuar Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës. Kjo rregullore nuk zbatohet për Zyrën e Kryeministrit dhe organet e tjera të administratës shtetërore, struktura organizative dhe funksionale e të cilave është rregulluar me ligje të veçanta.