KKGJILAN

Reforma e administratës publike – progres në miratimin e Ligjeve, por jo edhe në zbatimin e tyre

/ 5 minuta lexim

Reforma në administratën publike po shihet si një proces i gjatë që kërkon kohë dhe punë, mirëpo çdo vonesë ia rrezikon Kosovës humbjen e donacioneve nga jashtë, raporton Ekonomia Online.

Naser Shamolli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), tha se reforma e administratës publike si proces është mjaftë kompleks, sidomos me mos zbatimin e ligjeve në praktikë, raporton Ekonomia Online.Tutje, ai tha se Kosova duhet të bëjë legjislacionin për pagat e shërbyesve civilë.“Fillimisht duhet parë se reforma e administratës publike është proces i vazhdueshëm dhe kompleks në të njëjtën kohë, ne krahasuar me vendet e tjera nuk qëndrojmë edhe aq keq, dhe sigurisht që ka vend për përmirësime. Për gjendjen e reformës publike sigurisht që tregojnë raportet e sidomos ato tipi i raportit të progresit, në disa aspekte ka pozitive por shumë punë mbetet në praktikë”.“Po korniza ligjore kryesisht është e vendosur, dhe është ndoshta më e mira në rajon sa i përket reformës në administratën publike, përkundër që Ligji i pagave është anuluar, janë edhe dy ligje tjera, por problemi është që ato ligje ende nuk janë duke u zbatuar”, tha Shamolli.

Mes tjerash, Shamolli thekson se barrën kryesore tashmë e ka Qeveria, dhe që duhet të jetë më e përfshirë në konceptet dhe reformën e administratës publike.“Tash barrën kryesore e ka Qeveria, dhe në këtë aspekt duhet me qenë me një qasje shumë inkluzive dhe kisha cekur disa nga hapat që duhet me pasë prioritet të shtuar. E para është që të përfundohet procesi i ristrukturimit të ministrive e që ende nuk është vendosur në praktikë, hapi i dytë është që të bëhet klasifikimi i vendeve të punës dhe një analizë e punës në përgjithësi, dhe hapi i tretë është që të bëhet racionalizimi i agjencive, proces i filluar shumë më parë”, theksoi tutje ai.

Sa i përket çështjes së buxhetit, ai thotë se do ishte e udhës formimi i një administrate profesionale dhe të gatshme për të marrë sa më shumë projekte nga Komisioni Evropian.“Pyetja e buxhetit do ngritje në atë se çka ishte bërë nëse do të kishim një administratë profesionale dhe të gatshme me marrë projekte nga Komisioni Evropian, dhe përkundër që buxhet direkt nuk është shpenzuar edhe aq shumë, por fokusi do të jetë që të jemi të gatshëm dhe t’i përballojmë proceset e ndryshme”.

Eco Higjiena

E në anën tjetër, Sadri Rrmoku nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, në një bisedë për Ekonomia Online, tha se Kosova vitin e fundit ka bërë një progres sa i përket ligjeve dhe reformave administrative, dhe që tashmë i takon Qeverisë të ecë me aktet nënligjore.“Kosova vitin e fundit ka bërë një progres në fushën e reformës në administratën publike. Me miratimin e pakos së ligjeve të reformës së administratës, Kosova ka ecur në një hap tutje në lidhje me këtë temë, e megjithatë mbetet që Qeveria e Kosovës të ecë me aktet nënligjore që dalin si obligim prej ligjeve të pakos e të njëjtën kohë edhe përgatitjen e stafit që të ambientohen me ligjet që do miratohen në të ardhmen të jenë sa më të aplikueshme”.

Raportet e fundit dalin me gjetjet që ka tepricë të shërbyesve civil, dhe që shumë komuna nuk e respektojnë rregullin për kokë banori dhe ligjet e parapara të nëpunësve civilë, thotë Rrmoku.“Faktikisht gjitha raportet dalin me gjetje se kemi tepricë të stafit në shërbyes civil, e nëse e shohim vendimin mbi përcaktimin e kritereve për numrin e shërbyesve civil në nivel lokal, ky vendim i përcakton dy lloje të kriteret të cilat janë bazë për të gjitha komunat, dhe që duhet të kenë 55 punonjës statik në Komunë, kurse lloji tjetër i kritereve, janë ato suplementare dhe që ia përcakton komunave me mbi 100 mijë banorë, të kenë një punonjës për 620 qytetarë. Megjithatë edhe në komuna gjendja është e njëjtë dhe ato nuk e respektojnë rregullin”, deklaroi ai.

Tutje, ai thekson se pavarësisht se ka një progres, duhet ende punë për të bërë si një proces i gjatë dhe që kërkon shumë punë për të bërë.“Përkundër që kemi një progres sa i përket bazës ligjore, e kemi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe mendoj që duhet të adresohet shpejtë dhe të fillojë një proces i ri edhe tek Ligji i pagave edhe tek të tjera. Por që duhet ta kemi të qartë se reforma në administratën publike është një proces i gjatë që kërkon kohë dhe punë”, tha Rrmok për EO.