Reforma “diktatoriale” e Thaçit, drejt dështimit

Edhe pse procesi i riaktivizimit të Reformës Zgjedhore nga ana e presidentit Thaçi është nisur me shumë pompozitet, dhe është premtuar se do të kryhet brenda një afati të shkurtër kohor, akoma nuk është bërë publik as zyrtarizuar grupi punues, i cili do të duhej autorizuar për përmbylljen e këtij procesi. Analistët politikë dhe njohësit e kësaj fushe e shohin me rrezik edhe mundësinë e dështimit të radhës, duke mbetur në harresë edhe kjo iniciativë e re, për shkak të vlimeve të mëdha politike që po e përcjellin vendin.
Në vjeshtë mund të ketë dy palë zgjedhje njëherësh
Edhe pse procesi i riaktivizimit të Reformës Zgjedhore nga ana e presidentit Thaçi është nisur me shumë pompozitet, dhe është premtuar se do të kryhet brenda një afati të shkurtër kohor, akoma nuk është bërë publik as zyrtarizuar grupi punues, i cili do të duhej autorizuar për përmbylljen e këtij procesi.
Analistët politikë dhe njohësit e kësaj fushe e shohin me rrezik edhe mundësinë e dështimit të radhës, duke mbetur në harresë edhe kjo iniciativë e re, për shkak të vlimeve të mëdha politike që po e përcjellin vendin.
Sipas tyre, vjeshta e këtij viti përsëri mund ta gjejë vendin pa e përmbyllur reformën e riaktualizuar dhe vendi të shkojë në dy palë zgjedhje të njëkohshme, ato qendrore dhe lokale me legjislacionin e vjetër.
Analisti Hidajet Ahmeti konsideron se edhe me këtë iniciativë të re të presidentit të shtetit, skenari ka për qëllim përgatitjen e një terreni nga i cili përsëri do të përfitonte PDK-ja nga zgjedhjet e reja, duke krijuar aso zgjidhjesh ligjore në emër të reformës që do t’i diktojë vetë PDK-ja. Sipas Ahmetit, presidenti Thaçi është një satelit, i cili do të përfaqësojë interesat e ish- sub-jektit të tij, PDK-së, deri në fund të mandatit, kuptohet nëse mund ta përfundojë këtë mandat. “Në aspektin ligjor e kushtetues, presidenti nuk ka të drejtë të ushtrojë funksion partiak apo të jetë pjesë e ndonjë subjekti politik, por të gjithë lojën politike, që mundohet ta bëjë, e kalkulon për qëllime politike. Thaçi po e jep kontributin maksimal që ish- subjekti i tij të jetë në pushtet dhe t’i kontribuojë interesave të ngushta klanore, klienteliste e nepotiste”, theksoi ai.
Presidenti joserioz dhe i pasinqertë
Ahmeti potencon se iniciativa e Thaçit për të diskutuar për reformën zgjedhore nuk ka qenë as e sinqertë, e as serioze, edhe pse ishte e vonuar. “Gjatë kohës që ka qenë në pozitën e të parit të Qeverisë, Thaçi ka qenë penguesi më i madh i kësaj reforme, e cila në rend të parë do t’i kontribuonte demokracisë në konsolidim dhe mundësisë që gjasat për manipulime me vota të jenë minimale, por edhe përfaqësimi qytetar në institucionet përfaqësuese do të ishte më i drejtë e real. Prandaj, pa dashur të fyej askënd, por, për hir të realitetit, më duhet të them se Thaçi në personalitetin e tij nuk tregon as seriozitet, as sinqeritet, përkundrazi figura e tij politike gjithherë ka përfaqësuar përçarje, shantazh e kërcënim. Çdo iniciativë e tij nuk ka qenë për t’u admiruar, pasi në prapaskenë ka pasur grackën për kundërshtarët politikë”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”.
Ai thotë që reforma zgjedhore i duhet Kosovës dhe ajo mund të bëhet vetëm nëse vazhdon me këmbëngulësi presioni ndërkombëtar. “Nuk diskutohet që një reformë e tillë duhet të bëhet, pasi edhe presioni ndërkombëtar do të jetë në vazhdimësi ndaj klasës politike, por duhet të jetë një vullnet i sinqertë e serioz i të gjitha partive politike, duke tejkaluar interesat partiake, por gjithherë duke e pasur në fokus qytetarin e Republikës. Vetëm në këtë mënyrë mund të konsolidojmë demokracinë e jo në mënyrën se si ka vepruar e vepron figura përçarëse e Thaçit. Është një proces i obligueshëm për institucionet e Kosovës, sepse Kosova ka marrë përgjegjësi dhe obligime nga BE-ja në marrëveshjen për MSA-në, por njëkohësisht ka hartuar Planin e veprimit për negocimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që përmes kësaj rruge të konsolidojë shtetin e së drejtës, e njëkohësisht duke u harmonizuar me legjislaturën Acquis communautaire”, theksoi Ahmeti.
Injorimi i opozitës, gabim i rëndë
Edhe analisti politik, Albrim Badallaj thotë se, nëse do të shikohen realisht problemet që ka pasur vendi me zgjedhjet e deritanishme, do të ishte në interes që procesi të përmbyllet si duhet dhe të shkohet në zgjedhje, ngase kjo reformë zgjedhore ka qenë e zbrazët për vetë faktin se Kosova vazhdon të jetë në një zonë zgjedhore, duke qëndruar më “prapa” në këtë aspekt edhe me vendet fqinjë. Prandaj, edhe sipas Badallajt, do të ishte shumë në interes që sado e vonuar që është kjo nismë ajo të merret seriozisht dhe të finalizohet, duke u tejkaluar dallimet dhe qëndrimet politike. “Kjo formë po prodhon pabarazi të përfaqësimit të zonave të ndryshme dhe në njëfarë forme ka bërë që me vendin të udhëheqin regjione të caktuara, tani e 17 vjet. Gjithashtu është përfolur që në këtë reformë të shqyrtohet edhe mundësia e mbylljes së listave zgjedhore, e cila nëse jetësohet do të jetë regres dhe vdekje e demokracisë, në këtë pikë kur politika evropiane është shumë liberale”, theksoi ai. “Nga ana tjetër opozita, për vetë faktin se pse presidenti Thaçi i ka takuar një subjekti politik kundërshtar, injoron haptazi iniciativat e ndërmarra. Opozita, por edhe mazhoranca duhet të respektojnë institucionet dhe hierarkinë, e mbi të gjitha të bashkëpunojë me to, sado që mund të ketë papajtueshmëri në aspekt politik. Pa një reformë të thellë zgjedhore, Kosova nuk duhet të hyjë në zgjedhjet e ardhshme nacionale, meqë ato lokale veçse janë në prag dhe në këtë drejtim duhet edhe presioni ndërkombëtar, por siç po duket edhe atyre po u konvenon që të mos ketë një reformë të tillë”, tha Albrim Badallaj.
Thaçin nuk e merr gjumi për shkak të Speciales
Përfaqësuesit politikë në pozitë dhe opozitë, deputetë të Kuvendit të Kosovës nuk po e shohin aspak serioze dhe me mundësi që kjo nismë e presidentit të finalizohet mirë e si duhet, në interesin e një procesi më kredibil zgjedhor. “Hashim Thaçi nuk po arrin ta gjejë veten në rolin e presidentit, nuk po di me çka të merret, e nisi punën e “reformës” zgjedhore, por, siç duket, nuk ka ide si të shkojë më tutje, duke marrë parasysh se nuk e kishte seriozisht, por e bëri që të dukej se po merrej me diçka. Ndoshta edhe e formon një grup punues, por ai vetë do të duket si kryetar i grupit punues, jo si president”, u shpreh deputeti Adem Salihaj nga LDK-ja.
Sipas tij, për pak kohë Thaçi u mundua ta luajë sërish rolin e kryetarit të PDK-së, duke marrë pjesë aktive në fushatën e stilit “forca bën fuqinë”,por edhe aty mbeti i parealizuar, duke marrë parasysh se nuk guxonte të bënte fushatë plotësisht hapur. “Tash së fundi, për ta çuar kohën kot, bëri një ekskursion ne Amerikë, për të treguar se ai mund të shkojë edhe atje, ndonëse nuk e ftoi askush. Në anën tjetër, ndoshta ka stres të madh dhe nuk mund të flejë i qetë për shkak të Gjykatës Speciale. Pra, Thaçi ka probleme serioze, por ndoshta është fat në fatkeqësi që u bë president, sepse mund t’i shkaktojë më pak probleme Kosovës”, tha deputeti i LDK-së Adem Salihaj për “Kosova Sot”.