Uji Dea

Referendumi që “zhvlerëson” shtetin

/ 4 minuta lexim

Nga Adrian Çollaku – Loja e Serbisë thuajse nuk ka fund. Beogradi zyrtar tani pas nënshkrimit të marrëveshjes me Kosovën, të cilën para se ta nënshkruante disa herë e refuzoi, madje edhe duke u tërhequr nga bisedimet, po e luan lojën e “referendumit”. Qeveria e Serbisë me lojën që luajti duke e refuzuar draft-marrëveshjen e prezantuar nga ndërmjetësuesja e bisedimeve me Kosovën, Baronesha Chaterine Ashton, arriti që të përfitojë në dy aspekte.

Së pari, arriti që të ndryshojë draft-marrëveshjen në disa pika shumë të rëndësishme, të cilat natyrisht se shkuan në dëm të palës tjetër në bisedime, pra në dëm tonin – shtetit të Kosovës, sidomos tek pika e 14-të e marrëveshjes, ku arriti të hiqte pjesën ku flitej për mospengimin e Kosovës për anëtarësim në OKB. Kjo pikë e marrëveshjes u formulua asisoj që Serbia nuk do ta pengojë shtetin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, ndërkohë që dihet se parakushti kryesor që një vend të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, duhet të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Dhe së dyti, me nënshkrimin e marrëveshjes, shteti fqinj arriti që t’i shmangej një rreziku të madh për Serbinë – futjen në një krizë të thellë financiare në njërën anë dhe largimin me Bashkimin Evropian. Pra, me një fjalë, Serbia situatën e disfavorshme që e kishte, arriti ta shndërrojë në favor të saj, duke marrë madje edhe datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Ndërkaq tani me lojën e referendumit, Serbia pos që do të përfitojë në kohë, do të arrijë t’i krijojë edhe probleme të reja Kosovës.

Hidromorava

Në njërën anë, do të pengojë zbatimin në praktikë të kësaj marrëveshjeje, falë së cilës iu hap rruga drejt BE-së, derisa në anën tjetër do t’i provokojë institucionet e Kosovës, duke ndikuar që këto të fundit të lëshojnë edhe më shumë pe karshi serbëve në pjesën veriore të vendit.

Nëse lejohet mbajtja e referendumit në pjesën veriore të vendit, atëherë automatikisht ajo pjesë fiton sovranitet. Dihet fare mirë se referendum mund të organizojë vetëm një shtet sovran, dhe nëse institucionet tona, e sidomos bashkësia ndërkombëtare do të lejojnë mbajtjen e një referendumi, pos që do të shkelet Kushtetuta e Kosovës, atëherë me këtë referendum shprehet aspirata edhe për shkëputje nga Kosova.

Edhe pse ideja e mbajtjes së një referendumi në veri të Kosovës ka disa ditë që është paralajmëruar, institucionet tona vazhdojnë të heshtin. Të vetmit që kanë reaguar deri më tani është kryeparlamentari Jaku Krasniqi, i cili mbajtjen eventuale të referendumit e ka quajtur antikushtetues, dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes zëdhënësit të saj. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është udhëheqës i bisedimeve me Serbinë, dhe momentalisht njeriu më i fortë politikisht në vend, ende nuk e ka thënë as edhe një fjalë.

Liderët tanë, me në krye Hashim Thaçin duhet t’ia bëjnë shumë të qartë jo vetëm Serbisë, por edhe bashkësisë ndërkombëtare se mbajtja e një referendumi në veri të Kosovës për marrëveshjen me Serbinë, jo vetëm që do të ishte e papranueshme, por edhe me pasoja fatale. Nëse do të lejohet mbajtja e këtij referendumi, atëherë vërtet nuk e di se çfarë kuptimi ka shteti për Kosovën dhe për liderët e saj.