KKVITI

Recetë për kapjen e shtetit

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Nga Imer Mushkolaj – Nëse i dëgjoni këto ditë Isa Mustafën e Hashim Thaçin të flasin për ndërmarrje publike të papolitizuara e institucione kredibile të drejtësisë, mos iu besoni. Ose, ua sillni ndërmend Naser Canollin, Selvete Gërxhaliu-Krasniqin e Gjergj Dedajn. Këta njerëz së fundi, e qindra të tjerë para tyre janë personifikim i shtetit të kapur, i shtetit të zhvatur e të përçmuar.

Mund të jeni të përgatitur për të udhëhequr me profesionalizëm e përgjegjësi institucione e ndërmarrje të rëndësishme, por kjo nuk ju vlen asgjë nëse nuk janë pjesë e partive politike.

Së paku tri raste të ditëve të fundit dëshmojnë për kushedi të satën herë se, partitë politike janë të interesuara të kapin institucione gjithandej, duke emëruar në to militantë partiakë ose njerëz të tjerë që zhvatin buxhetin e Kosovës duke qëndruar kot nëpër poste.

Naser Canolli, anëtar i Këshillit Drejtues të PDK-së, është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i Ngrohtores “Termokos”, ndërkohë që mban edhe postin e kryesuesit të Bordit të Aeroportit të Gjakovës.

Nuk do të kishte gjë të keqe po që se Canolli do të ishte emëruar në këto pozita dhe në tjera përpara për shkak të punës, profesionalizmit dhe aftësive menaxheriale të tij. Por, ai është aty si militant partiak dhe pjesë e pazareve partiake ndërmjet partnerëve të koalicionit qeveritar.

Sado profesionist që mund të jenë, unë jam i prirur që këtyre njerëzve të mos iu besoj. Sepse, ata llogari i japin partisë, e jo qytetarit. Sepse ata janë në shërbim të atyre që i ka emëruar, e jo të qytetarëve. Canolli është vetëm edhe një shembull se si politika i ka kapur ndërmarrjet publike.

Pas PDK’së, radha për të kapur shtetin, madje në kokën e tij, i erdhi LDK’së. Selvete Gërxhaliu-Krasniqi ia doli që t’i marrë votat e dy partive shqiptare në koalicion, që t’i propozohet presidentes për anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Çudi se si në mesin e gjithë atyre që konkurruan për këtë pozitë, pikërisht kjo doli më e mira. Ndoshta pse “rastësisht” kishte qëlluar që të jetë kandidate e LDK’së për deputete dhe bashkëshorte e një ish-deputeti nga kjo parti, njëkohësisht zyrtar i rëndësishëm i saj.

Uji Dea

Rasti i Gërxhaliu-Krasniqit është edhe një shembull i kapjes së sistemit të drejtësisë.

E si për t’ia vënë kapakun maskarallëkut, PDK e LDK janë pajtuar që Gjergj Dedajn ta rehatojnë në një post qeveritar, si zëvendësministër. Se çfarë iu duhet ky njeri në qeveri nuk e kam të qartë. Për më tepër, atij i jepen post e privilegje edhe pse është shkarkuar nga pozita e njëjtë në një tjetër ministri për shkak të keqpërdorimeve.

E se çfarë liberali është, ai e tregoi në një postim në Facebook, kur të gjithë atyre që kritikuan emërimin e tij në qeveri, iu drejtua në këtë mënyrë: “Okupatoret e ndryshëm, vertete kan ikur kokeulur nga Kosova, por mos te harrojmë se pas tyre kane lene klushet e tyre, zagare te zhugavt e me zgjebe qe jo rralle here strehohen ne pjese te mediave, prej ku si nga koliba e qenve lehin nga dëshpërimi!”. Kaq për Dedajn dhe gjuhën që ai përdor. Kaq edhe për shkrimin shqip që ma ka. Kaq për injorancën e mediokritetin e tij dhe të atyre që i kanë dhënë shans të ringjallet edhe njëherë, si kufomë politike që është. Rasti i Dedajt është edhe një shembull i kapjes së institucioneve shtetërore nga njerëz koti e të papërgjegjshëm.

* * *

Nëse i dëgjoni këto ditë Isa Mustafën e Hashim Thaçin të flasin për ndërmarrje publike të papolitizuara e institucione kredibile të drejtësisë, mos iu besoni. Ose, ua sillni ndërmend Naserin e Selveten. Nëse i dëgjoni të flasin për qeverisje të mirë e të përgjegjshme, ua sillni ndërmend Gjergjin. Këta njerëz së fundi, e qindra të tjerë para tyre janë personifikim i shtetit të kapur, i shtetit të zhvatur e të përçmuar, i shtetit në shërbim të partive politike e keqpërdoruesve të çdo lloji. Madje, këta të tretë nuk janë asgjë në krahasim me të tjerë që tash gjashtëmbëdhjetë vjet e vjedhin dhe e shkatërojnë këtë shtet çdo ditë. Por, janë vazhdimësi e asaj qasjeje të qeverisjes, që qytetarët menduan se do të marrë fund me Isa Mustafën.

Të gjithëve na kujtohen premtimet që jepnin Mustafa e zyrtarë të tjerë të LDK’së për depolitizimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Por, çfarë bëri ai pasi u ul në karrigen e kryeministrit? Vetëm e vazhdoi aty ku e la dhe qysh e la Hashim Thaçi, duke mos mundur a mos dashur të ndryshojë asgjë për të mirë. Madje e nisi me një skandal korruptiv, në të cilin u përfshijnë djemtë e tij.

Qeverisja e Mustafës nuk të bëjë asgjë me premtimet që dinte t’i jepte me bollëk gjatë fushatës zgjedhore. Ai tashmë është vetëm edhe një kryetar qeverie në vargun e atyre që pushtetin e shfrytëzuan për vete e për të vetët, për rehatimin e argatëve të partisë e jo për qeverisje në të mirë të qytetarëve.

Me dhënien e mundësisë Naserave, Selveteve e Gjergjave që të rehatohen në poste të rëndësishme, Isa Mustafa vetëm na dëshmon se po e përdor të njëjtën recetë për kapjen e shtetit. Mos i besoni kur ju flet për shtet ligjor e demokratik.