RCCOLA

Recetat e preferuara të Presidentit

/ 4 minuta lexim

Cilat janë ushqimet e preferuara nga Barack Obama? Cilat receta pëlqen? Cilat janë ushqimet që nuk pëlqen? Duket qartë që ndryshe nga shumë bashkëkombës, Obama pëlqen të ushqehet në mënyrë të shëndetshme .

Barack Obama është me siguri mes presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës më në formë. Të paktën për aq sa mund të na kujtohet. Është e njohur dashuria e tij për basketbollin, kohë më parë hoqi dorë nga cigarja dhe mbi të gjitha pëlqen ushqimin e thjeshtë: ushqehet pa e tepruar dhe i beson gjithmonë recetave të përgatitura nga gruaja e tij Michelle, e cila për të “është kuzhinierja më e mirë në botë”. Por çfarë ha Barack Obama? Cilat janë ushqimet e tij të preferuara? Po ato që nuk i pëlqen aspak dhe nuk i fut kurrë në gojë?

Në mëngjes, Presidenti thotë se në tryezë nuk mungojnë kurrë disa lloj frutash të thata (arra, lajthi dhe rrush): një bombë e vërtetë plot energji me efekte shumë pozitive për shëndetin e mbi të gjitha, për lëkurën. Jo më kot, Barack Obama duket aq shumë në formë dhe nuk e tregon aspak moshën që ka dhe në fytyrë nuk i dallohet asnjë rrudhë. Edhe bajamet dhe kikirikët janë pjesë e mëngjesit “presidencial” të Barack Obama-s, por në këtë rast Presidenti duhet të jetë më i kujdesshëm ndaj sasisë, duke parë kaloritë që përmbajnë këto ushqime, sidomos të karamelizuara.

Ndryshe nga amerikanët e tjerë, shumë fanatikë ndaj pijeve të gazuara dhe me sheqer, Obama preferon të pijë shumë ujë mineral. Një zgjedhje shumë e mirë kjo, sepse ashtu siç studimet tregojnë të ashtuquajturat “soft drinks” me sheqer të shtuar, kaq të përhapur në SHBA, janë një ndër shkaqet kryesore të obezitetit andej.

Edhe perimet e freskëta, mbi të gjitha brokoli dhe spinaqi, janë shumë të pëlqyera nga Barack Obama. Nuk është rastësi që Zonja e Parë, Michelle, ka këmbëngulur kaq shumë për ta mbjellë një pjesë të kopshtit në Shtëpinë e Bardhë me ushqime biologjike, për të cilin kujdeset personalisht dhe që ka qenë një kartë fituese në komunikimin për të përhapur një mesazh pozitiv mbi rëndësinë e ushqyerjes së shëndetshme.

RCCOLA

Por as njeriu më i pushtetshëm në botë nuk është imun ndaj “joshjes” së të ashtuquajturave “comfort food”. Për shembull, Presidenti çmendet për çokollatën artizanale të punishtes së famshme të Siatëllit “Fran”. E gjithmonë për sa u përket ëmbëlsirave, mes recetave të preferuara të Obama-s është edhe “Apple cobbler”, d.m.th torta tradicionale me mollë e Zonjës së Parë Michelle. E çuditshme edhe lista e ushqimeve që Presidenti amerikan nuk preferon të hajë (për të cilat kujdeset stafi i tij kur është i ftuar në ndonjë drekë apo darkë zyrtare).

Ato që kërkon të shmangë domosdoshmërisht janë majoneza, patatet e skuqura, asparagët dhe rrepat. Në fund, ushqimi italian është një pasion i madh për Barack Obama-n. Duke filluar që nga pica. Piceria “Italian Fiesta” në Uashington e klasifikon Presidentin mes klientëve të saj më besnik. Po kuzhina amerikane? Pëlqehet shumë nga të bijat Sasha dhe Malia, të cilat çmenden për pulën e skuqur dhe makaronat me djathë.

Torta me mollë e Michelle

Recetën e kësaj torte me mollë që e përgatit Michelle e për të cilën Presidenti Obama “çmendet”, Zonja e Parë e ka treguar për herë të parë për revistën amerikane “Yankee Magazine”. Bëhet fjalë për një recetë tradicionale amerikane, të cilën Michelle e përgatit ndonjëherë edhe gjatë ndonjë pritjeje zyrtare në Shtëpinë e Bardhë. Jo vetëm që është e thjeshtë, por një herë në kaq kohë mund t’ia lejosh vetes: mollë, gjalpë, qumësht dhe sheqer. Megjithatë nuk bëhet fjalë për një tortë të thjeshtë, po për ato që amerikanët i quajnë “cobbler”, një ëmbëlsirë që i ka rrënjët në kolonitë e para amerikane.