KKVITI

Reagon komuna e Kamenicës: Asnjë biznes në pronësi të serbëve nuk është mbyllur

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kamenicë – Pas shpërndarjes së dezinformatave se Inspektorati i Komunës së Kamenicës, ka mbyllur bizneset në pronësi të qytetarëve të përkatësisë etnike serbe, qeverisja komunale lëshon këtë reagim.

Inspektorati i Komunës së Kamenicës, me datën 22 nëntor (e enjte), ka filluar inspektimet për largimin e produkteve me mbishkrimet: “Kosovë e Metohi”, “Kosovo UNMIK”, “Kosovo 1244”, “Kosovo Rezoluta 1244”; si dhe ato në të cilat përdoret vetëm emri i qytetit pa emrin e shtetit, apo edhe çdo emërtim tjetër në kundërshtim me emërtimin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Ky aksion i inspektoratit komunal është ndërmarrë si zbatim të vendimit me nr. 01/76 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 21 nëntor 2018.

Inspektorati i komunës, në përputhje me vendimin e qeverisë republikane të Kosovës, ka inspektuar ndërmarrjet “Viva Fresh Store”, “Besa Center”, “Driloni”, “Haliti SM”, “Dafina”, “Nesa Prom” dhe “Bona Fides”.

Njoftojmë opinionin publik, se asnjë biznes i komunës nuk është mbyllur nga ana e inspektoratit. Çdo pretendim tjetër është përpjekje për ta shtrembëruar të vërtetën, në funksion të tjetërsimit të politikave gjithëpërfshirëse zhvillimore në Kamenicë.

UBT

Njoftojmë me këtë rast qytetarët, se aksioni i inspektoriatit komunal për zbatimin e ligjit do të vazhdojë edhe në ndërmarrjet e tjera, pa dallime etnike.

Ligji është i njëjtë për të gjithë. Rrjedhimisht, qeveria komunale e Kamenicës është e përkushtuar në zbatimin e shtetit ligjor dhe shtetit të së drejtës, si dhe në shërbim të ruajtjes dhe kultivimit të bashkëjetesës e diversitetit shoqëror.

Si zakonisht, organet përgjegjëse komunale janë në shërbim të çdo qytetari, për ankesa eventuale në lidhje me ndonjë dyshim të bazuar, për çfarëdo shkelje të mundshme ligjore, përkatësisht abuzimit të detyrës zyrtare, nga ana e punonjësve të administratës komunale.

Në situata të përhapjes së insinuatave dhe të propagandave me motive politike, që synojnë ngritjen e tensioneve duke zgjuar dallimet etnike; informimi i saktë dhe korrekt i publikut, mbetet detyrë dhe përgjegjësi e jona e përbashkët; si institucione, media, shoqëri dhe qytetarë.

Transformimi pozitiv i Kamenicës, tashmë i vlerësuar edhe ndërkombëtarisht, do të vazhdojë bashkë me qytetarët e saj. Pa përjashtim. Pandalshëm thuhet në reagim./rajonipress/