RCCOLA

Reagon Dubova

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Dëshirojmë që t`i sigurojmë qytetarët se askush nuk është i paprekshëm, i pazëvendësueshëm dhe mbi ligjin, thotë Arben Dubova.

Arben Dubova drejtor në Administratën e Përgjithshme nuk është pajtuar me konstatimin e Agim Velekincës se ai është larguar nga puna nga Qemajl Mustafa dhe vet ai.

Në një sqarim për Rajonipress Dubova ka thënë se edhe po t`i marrim si të qena pretendimet e Agim Mustafës, e tash së fundmi Agim Velekinca (sepse i njëjti e ka ndërruar mbiemrin kohë më parë) për patriotizmin e tij duke ia atribuuar vetes të gjitha meritat në administratë, gjegjësisht në shërbimin e gjendjes civile, megjithatë kjo nuk i krijon komoditet askujt që të sillet ashtu si donë vetë me institucionet tona të cilat me mund e sakrificë të madhe i krijuam dhe gjithashtu me mund dhe me sakrificë po mundohemi ti ndërtojmë dhe fuqizojmë ato.

Zhvendosja dhe largimi nga zyra e zyrtarit, gjegjësisht ish shefit të gjendjes civile, Agim Velekinca nuk ka ndodhur ashtu siç pretendon ai.

Dubova,tha se janë zhvilluar procedura paraprake të shumta deri sa më në fund është konstatuar se Agim Velekinca duke shfrytëzuar autoritetin e tij si shef i shërbimit, ka urdhëruar një zyrtar të gjendjes civile që të lëshojë një dokument (certifikatë të kurorëzimit) pa i respektuar as kriteret themelore të përcaktuara me ligj dhe me akte tjera nënligjore në fuqi (ligji mbi gjendjen civile, rregullorja mbi taksa, tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale) dhe në këtë mënyrë ai bëhet protagonisti kryesor i këtij tejkalimi.

Kjo vërtetohet edhe me konfirmimin me shkrim nga vet ana e zotit Velekinca se me urdhrin e tij është lëshuar dokumenti në fjalë (provat ekzistojnë në drejtori).
Posa është identifikuar rasti nga ana e menaxhmentit të drejtorisë, drejtori i drejtorisë Arben Dubova ka ndërmarrë hapat e nevojshëm duke kërkuar sqarime nga zyrtari i cili e ka lëshuar dokumentin, se pse dhe si ka ndodh kjo, një kopje e kërkesës për informata i është dorëzuar edhe Agim Velekinca, pasi ishte shef i shërbimit.

Në përgjigjen e dhënë nga zyrtari nënkuptohet se veprimin e tillë zyrtari e ka ndërmarrë duke u gjendur nën presionin dhe urdhrin e shefit të atëhershëm Agim Velekinca. E njëjta përgjigje vije edhe nga vetë Velekinca, i cili e pranon se veprimi ka ndodhur pas përfundimit të orarit të punës dhe se këtë e ka urdhëruar vet ai, duke pranuar kështu edhe ballafaqimin me pasojat.

Me këtë rast nga menaxhmenti u konstatua se Agim Velekinca ka bërë shkelje të ligjit mbi gjendjen civile, duke mos administruar mirë dokumentacionin e nevojshëm dhe duke zbatuar vendimin për ndryshim të dhënash i cili ishte ende jo i plotfuqishëm si dhe duke mos protokoluar lëndën dhe mos aplikuar pagesën e taksës nga pala.

Me këtë veprim Agim Velekinca nuk ka zbatuar procedurat e lëshimit të dokumentacionit dhe ka duplifikuar certifikatën duke e lëshuar dokumentin e korrigjuar me të njëjtin numër të protokollit me të cilin ishte lëshuar para dy ditësh, veprim i cili lehtë mund të konsiderohet edhe falsifikim.

Prandaj, bazuar në konstatimet e lartëshënura, nga kryetari i komunës është shqiptuar ndëshkimi vërejtje e rëndë dhe rekomandimi i tij mbi largimin nga zyra dhe sistemimin e zyrtarit në një vend tjetër pune dhe asnjëherë të vetme Agim Velekinca nuk është larguar nga puna e as prekur në pagë.

Uji Dea

Duhet sqaruar opinionin se Agim Velekinca me të pranuar rekomandimin nga ana e kryetarit ka ikur në mes të ditës vetë nga puna pa lejen e askujt dhe ka shkuar në pushim vjetor të cilin ia pat lejuar drejtori po të njëjtën ditë.

Çelësat e zyrës Velekinca i pat dërguar në drejtori nëpërmjet një familjari të tij dhe që nga data 16.11.2011 as një ditë të vetme nuk ka punuar deri me datën 10.05.2012, duke i shfrytëzuar kështu pushimet vjetore, mjekësore dhe pushimet pa pagesë.

Agim Velekinca nga data 10.05.2012 është për çdo ditë në punë, por jo më në pozitën e shefit, ai punon sipas akt emërimit si zyrtar i gjendjes civile, këtë mund ta verifikon secili kur të dojë.

Nuk qëndrojnë pohimet dhe është tejet e pasinqertë të thuhet se nuk ka pranuar pagë, sepse pagën e ka pranuar rregullisht dhe në të njëjtin nivel sikur kur ka ushtruar pozitën e shefit deri sa iu kanë harxhuar “kreditet” ligjore për mungesë nga puna.

Zoti Velekinca mund të filozofon dhe shpik ç`kado që atij i bien në mend, mirëpo realiteti qëndron se kjo qeverisje ia ka shkurtuar atij privilegjet që ai ia pat krijuar vetes me vite të tëra, duke i maltretuar kështu qytetarët dhe duke u sjellur si “padron” i kësaj komune pa i dhënë llogari askujt për veprimet dhe sjelljet e tij ndaj qytetarëve”, ka thënë Dubova.

Duke qenë se Kryetari i komunës Qemajl Mustafa, përfaqëson vullnetin e qytetarëve të komunës sonë, nuk kanë mundur të rrinë indiferent ndaj shkeljeve të tilla, prandaj edhe bashkë me drejtorinë e Administratës së Përgjithshme, me kompetencë të plotë, ka reaguar, por gjithnjë duke mos aplikuar ekstremisht ndëshkime ndaj zyrtarëve të tillë, por jemi mjaftuar me një zhvendosje në pozita tjera të ngjashme (ashtu si parasheh ligji mbi shërbimin civil).

Dubova tha se ne mbajmë përgjegjësi para qytetarëve për rregull dhe disiplinë e zbatim të procedurave ligjore në organet e administratës komunale, e sigurojmë opinionin se jemi tejet të vendosur që të vazhdojmë me këtë trend, pavarësisht vendimeve të kontrabanduara nga organet e drejtësisë, që mjerisht nuk ndajnë drejtësi, (fjala është për Këshillin e pavarur mbikëqyrës të shërbimit civil të Kosovës) por ndikohen nga presione të ndryshme qoftë politike apo tjera.

Me këtë dëshirojmë që t`i sigurojmë qytetarët se askush nuk është i paprekshëm, i pazëvendësueshëm dhe mbi ligjin, andaj të gjithë ata që tentojnë ose bëjnë shkelje të tilla, do ta marrin ndëshkimin e merituar me qëllim të pamundësimit të shkeljeve të mëtutjeshme.

Jemi këtu për rend dhe rregull dhe nuk do lejojmë në asnjë moment shkelje të rregullave të përcaktuara nga organet kompetente”, ka përfunduar drejtori Dubova./rajonipress/