Reagojnë familja e Idriz Seferit

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Ata që vënë dorë mbi veprën e Idriz Seferit, vënë dorë mbi kauzën e shqiptarëve. Familja e patriotit dhe veprimtarit Idriz Seferi shpreh indinjatën për dëmtimin e skulpturës me figurën e tij, në fshatin Muçibabë, nga persona “të panjohur”.

Këtë sulm e konsiderojmë akt të shëmtuar dhe nga njerëz të ligë e qyqar. Ne ndjejmë keqardhje edhe për artistin Hevzi Nuhiu i cili në përpjekjen e tij njerëzore për të nderuar veprimtarin kombëtar, është vënë në siklet nga njerëz që aksidentalisht jetojnë në kohët moderne.

Shqetësimi i familjes nuk qëndron vetëm tek dëmtimi i figurës të Idriz Seferit, nga njerëz me maska e të porositur nga tru-shpërlarët, por te mendësia e krijuar kohëve të fundit në Kosovë për të kaluarën tonë historike.

Idriz Seferi nuk ka bartur maskë, e as nuk e ka mbajtur fshehtë luftën për kauzën e tij dhe të popullit të tij. Ai nuk e ka dhënë kontributin dhjetëra vjeçar që një ditë të bëhet subjekt skulpturash e përkujtimoresh, edhe më pak që dikush të vë dorë mbi të.

Ne si familje e kemi mbajtur për vete krenarinë për veprën e tij, por edhe jemi ndier të vegjël krahasuar me veprën e madhe të tij. E kemi lënë që të tjerët të gjykojnë për të. E kemi lënë që shkenca të vërtetojë me fakte kontributin e tij edhe si luftëtar, edhe si pajtimtar gjaqesh edhe si njëri nga kontribuuesit e hapjes së shkollës së parë shqipe në Kosovë. Ne, kemi pas vetëm një obligim – ta vazhdojmë amanetin e tij, të përqafojmë të gjitha lëvizjet çlirimtare deri në Luftën e fundit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Uji Dea

Andaj, ftojmë institucionet qeveritare të vendit që ta zbardhin rastin dhe autorët t’i nxjerrin para drejtësisë. Ftojmë edhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e vlerave kulturore dhe historike që të ngrehin zërin dhe të mos lejojnë njerëz me botëkuptime mesjetare të përcaktojnë se çfarë është vlerë e çfarë antivlerë kombëtare në këtë vend.

Institucionet nuk duhet ta bëjnë këtë për ta mbrojtur Idriz Seferin, e as veprimtarët tjerë të gjitha periudhave historike. Atyre as nuk mund t’u shtohen e as t’u hiqen meritat.

Dhe, nëse këtë nuk e bëjnë institucionet, familja e Idriz Seferit do të zbardh vetë gjithë të vërtetën dhe do t’i gjej autorët. Familja e tij ka më shumë se 100 vite që ka vepruar si institucion në vete ngase ishte e shtrënguar. Ajo nga të gjitha regjimet, deri më 1999 ka qenë e anatemuar, e shtypur dhe e kërcënuar. Por, ka mbijetuar, është bërë më e fuqishme, më e lidhur dhe më e vendosur.

Familje e Idriz Seferit si edhe shumë të tjera ka pas guximin, trimërinë, vullnetin për t’iu kundërvënë të gjithë atyre, qofshin edhe Perandori, që kanë mësy tokat shqiptare. Kjo familja i ka rezistuar edhe presionit të diktaturës komuniste edhe të regjimit ushtarak e policor të Millosheviqit. Nuk dyshojmë se do t’u japim përgjigjen e merituar edhe atyre që sot vënë dorë mbi veprën dhe amanetin e tij, sepse është vënie dorë mbi kauzën e popullit shqiptar, mbi pasardhësit e tij dhe kujtimin për të thuhet në reagimin e familjes së Idriz Seferit nga Zhegra, Gjilani, Prishtina, Presheva, Kumanova, Shkupi, Ferizaj dhe diaspora./rajonipress/