Reagim i drejtorit të shkollës fillore ”Vesel Muja” në Mihir
Gjilan – Instituti Kombëtar i Shëndetësisë nuk ka konstatuar se uji që përdorë shkolla është i kontaminuar thotë Ajvaz Beqiri drejtor i shkollës fillore “Vesel Muja” në Mihir të Bresalcit.
Pas spekulimeve të ngritura nga asamblistët e opozitës, konkretisht atyre të PDK-së në Gjilan si dhe publikimit në disa media, rreth cilësisë së ujit të shumicës së shkollave të fshatrave të komunës së Gjilanit, gjoja se uji është jo i pijshëm dhe i dëmshëm për shëndetin e fëmijëve, më duhet të them se kjo nuk qëndron.
Në shkollën fillore “Vesel Muja” në Mihir, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në Gjilan ka marrë mostrat e ujit në shtator të këtij viti (2014) dhe deri më tani nuk është kthyer asgjë zyrtare tek ne, as në DKA në lidhje me gjendjen e ujit ka thënë Ajvaz Beqiri.
Dua t`i njoftoj prindërit dhe opinionin se uji në të gjitha ato shkolla që kanë burim te puset, nuk është në nivelin e dëshiruar, për shkak të mos filtrimit të përhershëm dhe në mënyrë profesionale, por assesi nuk është në gjendjen çfarë është përshkruar këtyre ditëve.
Ne rregullisht dezinfiktojmë dhe hedhim klor në pusin nga furnizohet shkolla. Po ashtu pusi është pastruar detajisht gjatë muajit qershor 2014 dhe tani për tani mirëmbahet rregullisht nga shtëpiaku i shkollës.
Po ashtu duhet të themi se në vendin ku gjendet pusi i shkollës, ekzistojnë dhjetëra puse private, prej të cilëve furnizohen shumica e familjeve të lagjeve Mihir dhe Gllamë të fshatit Bresalc. Kjo zonë është larg vendbanimeve dhe larg ujërave të zeza, krejtësisht e rrethuar nga tokat pjellore dhe të punuara përherë nga bujqit e fshatit.
Pra qe 10 vjet prej ekziston kjo shkolle dhe që furnizohet me të njëjtin ujë, deri më tani nuk është vërejtur asnjë shenjë që ka dëmtuar apo rrezikuar shëndetin e nxënësve apo të qytetareve të këtyre lagjeve. Përfundimisht konstatojmë se ne rregullisht bëjmë mirëmbajtjen dhe klorimin e ujit të pusit të shkollës dhe deri më tani asnjëherë nuk kemi vërejtur elemente negative tek shëndeti i nxënësve.
Përndryshe ne përherë, edhe gjatë pushtetit të kaluar kemi kërkuar edhe tani kërkojmë që të përshpejtohet rregullimi i ujësjellësit në fshatrat Ponesh e Bresalc e në veçanti të bëhet lidhja e institucioneve me rëndësi të veçantë, siç janë shkollat dhe ambulancat e fshatrave dhe me pastaj të kenë ujë të një cilësie më të lartë për nxënësit dhe gjithë banorët e kësaj ane.
Kujtoj që më së paku u bie të kritikojnë asamblistët e PDK-së, pasi ata kanë qenë në pushtet 8 vitet e kaluara dhe nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim e tani u paska dalë gjumi dhe gjoja se po u intereson shëndeti i nxënësve ka shtuar drejtori i shkollës ”Vesel Muja”
Ajvaz Beqiri./rajonipress/


