Ratel: Po hetojmë dhe së shpejti do të arrestojmë zyrtarë të lartë

Prokuroria e EULEX’it është duke hetuar profile të larta të vendit për krim të organizuar dhe korrupsion.Këtë e ka bërë të ditur në emisionin “Puls” kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të EULEX’it, Jonathan Ratel.

(E plotësuar) Ai nuk ka dhënë emra se kush nga këto profile të larta është duke hetuar, por ka thënë se shumë shpejt do të shihen rezultatet e luftimit të korrupsionit.

“Ne kemi oreksin për t`i zënë ata që ju i quani peshqit e mëdhenj”, ka thënë veç tjerash Ratel.

Ratel: Rasti i klinikës Medicus nuk ka lidhje me akuzat për krimet e luftës

Ratel thotë se janë duke bërë hetime të natyrave të ndryshme. Kur flet për Medicusin, thotë se nuk ka asnjë lidhje me akuzat për krime lufte.

“Mund të them se tani pas tri vite e gjysmë të hetimeve që kemi bërë për Medicus’in absolutisht nuk ka lidhje mes këtij institucioni privat dhe akuzave që janë ngritur për luftën”, thotë Ratel.

Ratel: Ka njerëz në pushtet që po vjedhin të ardhmen e këtij vendi, shpejt do të shihni rezultatet e luftimit të korrupsionit

Ratel thotë se po merren edhe me çështjet e korrupsionit që përfshinë profile të larta të vendit.

“Mendoj se kjo është çështja më e vështirë deri tani. Unë nuk jam i verbër, shoh shumë njerëz që qëndrojnë në kafe sepse nuk kanë punë. Mendoj se ka njerëz që janë në pushtet dhe që po e vjedhin të ardhmen e këtij vendi, kjo është objektiva e radhës. Do të shkojmë kudo dhe këdo ku na çojnë dëshmitë. Kemi edhe njerëz të profileve të larta. Kemi por nuk mund të zbuloj për kë është fjala por mund të ju them se ka dosje shumë serioze me të cilat po merremi. Do të shohim dhe do të përjetojmë përparime shumë të mëdha të luftimit të korrupsionit”, tha ai.

Ratel: Gjyqtarët duhet të tregojnë lidership, të jenë më të guximshëm

Ratel thotë se PSRK ka pasur mjaft suksese deri tani. Thotë se gjyqtarëve e prokurorëve u nevojitet ndihma e të gjithëve.

“Kemi pasur suksese të mirëfillëta deri tani, mund të them se PSRK është institucion vendor dhe ligji thotë se unë jam një prokuror vendor, prandaj çdo gjë që bëj, e bëj sipas ligjeve këtu.

Është shumë e vështirë të hetosh rastet e korrupsionit, është e vështirë të absorbohen këto raste tejet komplekse.

Është e vështirë kur një vend ka kaluar në një periudhë tragjike tani të jetë përballë drejtësisë.

Mendoj se gjyqësia dhe prokuroria në Kosovë po punojnë sa më mirë që po munden. Duhet të kuptojmë se sistemi ka kaluar nëpër kohëra të vështira, ata po mundohen sa kanë mundësi. Kam takuar plot prokurorë e gjyqtarë që kanë integritet e që duan t’i shërbejnë vendit të tyre.

Vështirësia është se ata mbahen në një mur që është i padukshëm. Duhet të ketë vetëbesim që jo vetëm kolegët, por edhe shteti, qytetarët ti mbështesin ata në punën që po bëjnë. Kjo punë nuk mund të luftohet i vetëm. Korrupsioni nuk luftohet i vetëm. Gjyqtarët duhet të tregojnë lidership, të ecin përpara”, thotë ai.

Ai ka pohuar se janë duke u hetuar edhe vrasjet e pasluftës. Ai nuk ka dhënë ndonjë emër, por ka thënë se janë në procedim të këtyre rasteve.

“Unë them se ka në procedurë të hetimeve njerëz të nivelit shumë të rëndësishëm”, ka thënë ai.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).