Uji Dea

Rasti Brovina, interneti dhe gazetaria

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nga Daut Dauti – Rasti Brovina është rast i veçantë dhe duhet të shërbej si shembull shkollor se si (nuk) duhet të veprojnë gazetarët dhe mediat me informatën që servon interneti apo politika dhe sesi informata e rrejshme shkakton pasoja të dyfishta. Natyrisht, ky parim vlen për të gjithë shfrytëzuesit e internetit, por për profesionistët është obligim.

Me 8 shtator 1944, në Chiswick të Londrës, shumë afër shkollës, ra një bombë qe erdhi nga Gjermania naziste. Bomba ra mbi disa shtëpi, por cak dukej të ishte shkolla në të cilën, gjashtë dekada më vonë, do të mësonin dy djemtë e m’i. Vendi që u dëmtua dhe ku vdiqën disa veta, u izolua shpejt nga qeveria.

Bombat gjatë luftës binin shpesh në Londër, por kësaj radhe ishte ndryshe. Makineria ushtarake e Hitlerit e kishte gjuajtur raketën a parë V2, që ishte rezultat i teknologjisë së përsosur por, të panjohur, e cila do t’i paraprinte anijes kozmike që do të shkonte në hënë. Ekspertët, ushtarakët dhe Qeveria britanike, u tmerruan. Raketë V2 ishte diçka e paimagjinueshme për atë kohë. Megjithatë, kjo ngjarje nuk u bë lajm edhe pse e ka marrë vesh shtypi. Sikur ky lajm të botohej, do të binte morali luftarak dhe populli do t’i humbte shpresat për fitore në luftë kundër Gjermanisë. Prandaj, u mbajt sekret derisa përfundoi lufta.

Gjatë vjeshtës së vitit 1962, në një hotel në Çikago, një gazetar amerikan kishte depërtuar deri te korridori i katit ku ishte i vendosur presidenti John F. Kennedy. Kur ai po afrohej në drejtim të dhomës, truprojat e presidentit e rrëzuan përtokë dhe i hipën mbi trup. Megjithatë, edhe nga kjo pozitë e vështirë, gazetari e kishte vërejtur se nga dhoma e presidentit, me shpejtësi të madhe, sigurimi i nxori dy femra të bukura të cilat u futën me rrëmbim në lift.

Edhe më herët të tjerë gazetarë kishin vërejtur se presidenti amerikan, Kennedy, në dhoma të hoteleve po vizitohej nga femrat e reja anonime me pamje të supermodeleve. Jeta seksuale e presidentit amerikan do të dilte në shesh vite më vonë, pas vdekjes se tij. Në vitin 1962 gazetarët dhe redaktorët nuk e shihnin të arsyeshme botimin e kësaj informate. Ishte koha e Krizës së Kubës dhe mundësia e konfrontimit me BRSS-në ishte reale. Botimi i detajeve të jetës seksuale jashtëmartesore të presidentit, do të shkaktonte frikë dhe kaos në shoqërinë amerikane. Kennedy do të dilte si një Kazanovë e jo njeri i denjë për president që kujdeset për shtetin të cilin mund ta përpinte komunizmi sovjetik. Pastaj, më 1963 ndodhi vrasja dhe këto informata nuk do të dilnin në dritë për shumë vite pasi që gazetaria e ka një rend apo rregull në botimin e ngjarjeve.

Gjatë vitit 2007-2008, princi Harry po shërbente në Ushtrinë britanike në Helmand të Afganistanit. Shërbimi i princit ishte i fshehtë dhe u ndërpre për shkak se një revistë australiane botoi lajmin me informatat rreth tij. Të gjitha mediat britanike e dinin se Harry ishte në shërbim ushtarak, por asnjëra nuk botonte asgjë për shkak se jeta e tij mund të rrezikohej. Kjo ishte një marrëveshje që kishin lidhur mediat britanike. Por, revista australiane nuk doli profesioniste.

Këta tre shembuj tregojnë se gazetarët apo mediat nuk duhet të raportojnë dhe botojnë gjithçka që dinë. Lajmi që shkakton pa nevojë trazira të mëdha, nuk botohet. Ky është parim i rëndësishëm i gazetarisë. Pos tjerash, media e ka për detyrë që ta përmbushë edhe obligimin e arsimimit të lexuesit.

Por, pse u botua lajmi që e nxori Flora Brovina?

Në krahasim me tri rastet e përmendura më lart, ky i Flora Brovinës ishte edhe i rrejshëm. Ky “lajm”, pra fotografia, nuk duhej të botohej kurrsesi pa u verifikuar, edhe pse u imponua nga një deputete që parimisht nënkupton kredibilitet. Nuk duhej të ishe ekspert për të parë se vajza e cila “dhunohej” ishte aktore apo ‘porn star’. Një shikim i kujdesshëm do të zbulonte se edhe “dhunuesit” ishin aktorë, sikur edhe ngjarja që ishte e inskenuar. Disa do të thoshin se u bë mirë që mediat tona ishin ato që e zbuluan pavërtetësinë e kësaj ngjarje. Por, kjo u bë pasi u “mblodhën” puplat e jastëkut që u hodhën nga dritarja.

Mobi Casa

Edhe pse lajmi ishte i rrejshëm, u pranua me të madhe si i vërtetë për shkak se gjërat e tilla kanë ndodhur në Kosovë. Njerëzit e gjenin veten në efektin që krijoi fotografia e botuar. Megjithatë, kjo gjë e tronditi publikun pa nevojë, lëndoi shumë gra të viktimizuara, e çorientoi masën e gjerë dhe pati potencial të shkaktimit të trazirave. Nga fakti që kjo ishte një pamje e rrejshme, doli edhe një efekt tjetër i cili nuk prodhon vetëm pasoja të padëshirueshme për një parti politike, por e krijoi edhe ndjenjën e poshtërimit të shumicës së banorëve të Kosovës. Pasojat ishin të dyfishta.

Rasti Brovina e solli në pah, për të satën herë, “Sindromën Hajdar K. Shtimja” nga e cila vuajnë mediat tona.

Pse mediat e lejuan veten që të mashtrohen edhe një herë?

Interneti vërtetë e ka çoroditur rregullin e gazetarisë dhe e ka aktivizuar një armatë naive për të cilën është folur shumë, që nga njerëzit e zakonshëm e deri te profesionistët dhe madhështorët siç ishte Umberto Eco. Por, përkundër efektit çoroditës, nga gazetarët dhe mediat ende kërkohet seriozitet dhe profesionalizëm. Shumica e mediave tona, për fat të keq, ende vazhdojnë të botojnë “lajme”, sidomos fotografi, të cilat shfrytëzohen për të krijuar efekte të rrejshme të cilat e ushqejnë një masë të madhe të “besimtarëve”, apo më mirë të themi të budallenjve.

Ka kohë që pandërprerë botohen disa fotografi ku shihen disa serbë të varur në litarë nga austro-hungarezët, por kjo propagandohet sikur që kjo ngjarje është krim i turqve ndaj shqiptarëve. Nën pseudonimin Archibald Smith, ilustratori austriak Gottfried Sieben, në fillim të shekullit XX ka punuar disa litografi pornografike që i ka quajtur “Tmerri i Ballkanit”. Qëllimi kryesor i këtyre vizatimeve ishte që të joshej epshi seksual i burrave evropianë dhe njëkohësisht Ballkani të paraqitej si vend i egër ku gratë dhunohen në mënyrë masive. Pra, nga sugjerimet apo imagjinata, të krijohet një imazh negativ për Ballkanin. Sieben nuk e ka caktuar saktësisht se kush janë dhunuesit e as të dhunuarat që janë femra, të cilat, për shkak të formës fizike, sot do të quheshin “porn star”. Femrat në këto vizatime nuk kanë përkatësi etnike apo kombëtare. Ato janë objekte seksuale.

Por, sipas uniformave dhe pamjeve tjera, ka mjaft elemente që dhunuesit kanë mund të jenë ushtarë otomanë dhe sllavë. Medje, në një tablo si dhunues paraqiten edhe burrat “stoikë” shqiptarë me fustanella. Tashti, në kohën e internetit, këto pamje imagjinuese janë shpërndarë dhe interpretohen sipas dëshirës, por më shumë me qëllime të caktuara. Pa marrë parasysh që shqiptarët këtu janë dhunues, pothuajse të gjitha mediat tona i kanë botuar këto pamje dhe i kanë titulluar: “Ja se si turqit i dhunonin gratë shqiptare”. Dhe, pamjet e imagjinuara të artistit, imponohen si fakte të vërteta. Imponimi nuk është problem i madh sa është pranimi.

Rasti Brovina mbi të gjitha nxjerr në shesh mënyrën e viktimizimit që krijon interneti. Interneti është i stërmbushur me “informata”, por duhet pasë parasysh se nuk janë të vërteta të gjithat që servohen aty. Individët, shtetet dhe organizatat e ndryshme e përdorin internetin për realizime të qëllimeve që kanë, duke krijuar influencë në opinion. Mënyra dhe qëllimi nuk është gjithmonë i ligjshëm e as i vërtetë. Këtu shpesh përgatiten kurthe apo hidhen karremat në stilin “n’te honksh”. Këtu qëllimi e arsyeton mjetin. Askund, sikur në internet, nuk mund të zbatohet më mirë ajo që Makiaveli e ka bërë me dije në fillim të shekullin XVI.

Rasti Brovina është rast i veçantë dhe duhet të shërbej si shembull shkollor se si (nuk) duhet të veprojnë gazetarët dhe mediat me informatën që servon interneti apo politika dhe sesi informata e rrejshme shkakton pasoja të dyfishta. Natyrisht, ky parim vlen për të gjithë shfrytëzuesit e internetit, por për profesionistët është obligim.