Mobi Casa

Rastet e sharjeve dhe fyerjeve në Kuvend, KDI kritikon Konjufcën që i toleroi

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar raportin “ Ligjvënia mes shumë sfidave” lidhur me punimet e Kuvendit të Kosovës gjatë sesionit pranveror.

Një problem gjatë këtij sesioni për KDI-në ishte përdorimi i gjuhës jo parlamentare dhe të pa përshtatshme brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Me këtë rast në raport janë përmendur dy raste.

I pari është ai i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, i cili ia përmendi termin “epsh”, deputetes së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi.

“Faleminderit për pyetjen dhe kujdesin maksimal që të përcillni çdo detaj të intervistave të mia në vazhdimësi. Po ashtu, është e pakuptimtë epshi juaj për me marrë vëmendje publike, është e parëndësishme”, i pati thënë Bislimi, asaj.

Për këtë deklaratë të Bislimit reagoi Konjufca.

“Kujdes fjalorin z.Bislimi”.

RCCOLA

Rast tjetër i përdorimit të gjuhës së papërshtatshme në Kuvend, KDI e vlerëson edhe ofendimin e deputetit të LDK-së, Kujtim Shala ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Shala u zu në mikrofon edhe duke sharë.

Kamerat kanë kapur momentin kur Shala dëgjohet tek thotë “puu t’q* tradhtarin e nonës”.

E për këto terme të përdorura në Kuvendin e Kosovës, KDI ka kritikuar edhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

“Një nga problemet më të theksuara të këtij sesioni, ka qenë përdorimi i gjuhës joparlamentare dhe të papërshtatshme brenda Kuvendit. Përkitazi me trendet e përkeqësimit tek çështja e gjuhës jo-parlamentare, Kuvendi nuk ka ndërmarrur hapa proporcionalisht me shkeljet. Rregullorja e Kuvendit të Kosovës i mundëson Kryetarit të Kuvendit të ndërmarrë 5 lloje të masave kundrejt atyre që përdorin gjuhë jo-parlamentare në seancë, siç janë kërkesa për tërheqjen e fjalës, ndërprerja e fjalës, vërejtja, vërejtja me paralajmërim për largim nga seanca plenare dhe përfundimisht largimi nga seanca plenare. Në raport me gjuhen e përdorur Kryetari nuk ndërmori masat e duhura, shpeshherë duke e toleruar atë”, thuhet në raport.

Sipas tyre mosdënimi i gjuhës së papërshtatshme në Kuvend, ka krijuar perceptim normal të saj.

“Mosdënimi i gjuhës së papërshtatshme parlamentare, ka krijuar një perceptim normal të saj brenda Kuvendit, duke rritur tensionet vazhdueshëm brenda Kuvendit. Ky trend i tensionit përveç prodhimit të skenave të papërshtatshme brenda Kuvendit, ka shkaktuar incidentin e rrahjes në grup ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe përfaqësuesve të Vetëvendosjes, anëtar të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit gjatë muajit korrik. Ky incident ka tejkaluar edhe masat ndëshkuese që parasheh Rregullorja, duke aktivizuar organet e drejtësisë të cilat kanë marrë përsipër rastin në fjalë”, thuhet ndër të tjera në raport. /Express/