Rasic ende pret “bekimin” e kryeministrit Thaçi

Lideri i Grupit Parlamentar “Ardhmëria e Përbashkët”, Nenad Rasic ende nuk ka arritur që të bindë kryeministrit Hashim Thaçi që të bëjë edhe një riformatim tjetër të Qeverisë, për të kënaqur kërkesat e këtij grupi të shkëputur nga grupi parlamentar i partisë serbe SLS.
“Jemi duke pritur edhe pak, por ka shenja të mira se kryeministri do të marrë parasysh kërkesat tona”, ka thënë Rasic, për Telegrafin.
Grupi i ri parlamentar i përbërë kryesisht nga deputetë të nacionalitetit serb është krijuar pas ftohjes së raporteve ndërmjet ministrit aktual të Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rasic dhe Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, i cili është edhe zëvendëskryeministër.
Rasic e ka akuzuar Petrovicin se duke qenë në pozitën e liderit të SLS-së dhe gjatë qëndrimit në Qeveri nuk ka arritur që të mbrojë dhe të çojë përpara çështjet që i preokupojë qytetarët serbë të Kosovës.
Ndërkohë, Rasic kishte lënë mundësinë e hapur që të krijojë një parti politike, e cila do të ishte një konkurrente e madhe e SLS-së, që drejtohet nga Petrovic.
“Na duhet edhe pak kohë që të punojmë për çështjen e partisë, për ta parë nëse do të jetë ky opsioni që ne do të fokusohemi tash për tash”, ka thënë Rasic.
Pritet që të ketë një garë të ashpër ndërmjet grupit që drejtohet nga Petrovic dhe Rasic, në kohën kur në garën politike për zgjedhjet e pritshme lokale besohet se do të marrin pjesë edhe një pjesë e subjekteve politike nga veriu i Kosovës, të cilat deri tash kanë funksionar në kuadër të sistemit paralel të mbështetur nga Serbia. /Telegrafi/