Rashkaj e Pepa mund të mbeten te Sandnesi
Prishtinë – Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Anel Rashkaj thotë se gjasat janë të mëdha që të mbetet edhe më tutje te skuadra norvegjeze, Sandnes. Ai është i kënaqur me ofertën e re të drejtuesve të klubit elitar të Norvegjisë.
“Drejtuesit e Sandnesit janë ndarë të kënaqur me punën time dhe më kanë ofruar një kontratë të re. Afati im i fundit për të kthyer përgjigje është 20 dhjetori. Oferta e tyre është më e mirë se e para dhe jam shumë i kënaqur me kushtet e ofruara. Unë do të shqyrtoj çdo ofertë që vjen deri më 20 dhjetor. Dhe, nëse nuk më afrohet ndonjë ekip që synon shumë, nuk do ta ndërroj Sandnesin. Në Sandnes ndihem shumë mirë dhe jam përshtatur shkëlqyeshëm”, tha Rashkaj për Kohën Ditore.
Ai te Sandnesi kaloi në janar të këtij viti pasi u largua nga skuadra suedeze Halmsad. Transferimi i tij nuk bëri bujë në fillim, por ai gradualisht u dëshmua si lojtari më i mirë i skuadrës.
“E kemi siguruar edhe për një vit mbijetesën në elitën e Norvegjisë. Klubi është i ri në elitë dhe i duhet kohë për t’u stabilizuar. Kur kalova në Sandnes nuk dinin se kush jam, por me punë arrita t’i dëshmoj vlerat e mira dhe për këtë jam i kënaqur”, shtoi Rashkaj.
Pjesë e Sandnesit është edhe reprezentuesi tjetër i Kosovës, mbrojtësi Avni Pepa. Edhe Pepa nuk ka përjashtuar mundësinë e vazhdimit të kontratës.
“Më kanë bërë një ofertë të mirë dhe ndoshta do ta vazhdoj edhe më tutje karrierën te Sandnesi. Kam oferta edhe nga disa skuadra tjera”, tha Pepa.(koha)