Rashiti: Specialist për shpifje është vet Lutfi Haziri, ne flasim me fakte

Gjilan – Reagimi i kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, lidhur me lëndët e dërguara në prokurori për tre tenderë, reflekton shqetësimin e tij për këto raste, sepse ai e di fare mirë seriozitetin për shkeljet ligjore të cilat i ka bërë, andaj ka akuzuar se ne kemi shpifur, ndërsa në anën tjetër e ka pranuar njërin nga tri rastet e paraqitura për t’u hetuar nga prokuroria themelore në Gjilan thotë Riad Rashiti.
Rashiti në një reagim të tij që është edhe si përgjigje ndaj deklaratës së Lutfi Hazirit se akuzat e PDK-së janë shpifje thotë se tashmë të gjithë e dijmë, se sa i përket shpifjeve kryetari është specialist i veçantë, sepse gjatë gjithë fushatës zgjedhore dhe disa muaj pas saj, ka shpifur në vazhdimësi dhe e ka manipuluar publikun lidhur me borxhet e trashëguara të komunës.
“Në RTK në fillim të fushatës thotë komuna i ka borxh 8 milion euro, diku thotë 9 milionë e shumë herë thotë 9.6 milion. Ndërsa raporti zyrtar financiar në Kuvendin Komunal e ka demantuar rëndë, duke e lënë lakuriq Lutfi Hazirin, sepse ka dalur që komuna në të gjitha kodet dhe për shpronësim për dy vitet e ardhshme i ka borxh 3.7 milionë euro, që do të thotë se ai shpif, gënjen dhe e manipulon publikun rrafsh për 6 milionë euro” ka thënë Rashiti.
Pastaj vazhdimisht në media shpifte se komuna vetëm 3% të fëmijëve i ka në çerdhe e në fakt i kishim 30%. Poashtu shpifte kinse për hajninë e votave nga të tjerët, por në fakt nga 21 komisionerë të akuzuar për keqpërdorime, 12 ishin të LDK-së në hetuesi, raporton rajonipress.
Por marr në tërësi, ai krejt jetën e tij politike e ka me shpifje, sepse veç dëme i ka bërë komunës së Gjilanit dhe Kosovës, duke i futur hundët vend e pa vend kudo nëpër institucione të ndryshme të Kosovës, ku nuk e ka pasur as dijen e as qëllimin e mirë, sikurse te decentralizimi, te privatizimi, te shpenzimi i parasë publike pa mbikëqyrje të fondit të tërmetit, te bllokimi total i komunës në vitet 2006 dhe 2007, te grindjet e përplasjet edhe me bomba në mes vet LDK-së në Gjilan ka thënë Rashiti.
Rashiti thotë se nuk ka nevojë që kryetari i komunës të na kujtojë ligjin për shpifje, nëse mendon se ne kemi shpifur për dallaveret e tij me tender, atëherë e lusim që të ngrisë padi ndaj nesh për këtë çështje, ku besojmë se ai, ka aq mundësi financiare edhe me e angazhuar ndonjë jurist në këtë drejtim.
“Qeverisja komunale e Lutfi Hazirit duhet ta kuptojë sa më shpejtë, se më nuk mundet të luaj dhe të keqpërdorë paranë publike, sikurse deri në vitin 2007, nuk do të mundet që edhe më tutje, të mashtrojë qytetarin e Gjilanit. Ne flasim vetëm me fakte, vlerësoni ju çfarë i thonë këtij rasti. Më 10 mars 2014, e njëjta kompani ka fituar dy tender, njërin për; Sigurimin e shërbimit të mirëmbajtjes së sistemit të ngrohjes dhe punëve tjera në sh.m. “Arbëria” dhe “M.Isai”, tjetrin e ka fituar poashtu të njëjtën ditë, për; Sigurimi i shërbimit të pastrimit për sh.f. “Avdullah Tahiri”-Malishevë dhe sh.f. “Skënderbeu” – Përlepnicë. E çka është një çudi e madhe, se dy tenderët janë dhënë përmes formës së kuotimit, pa procedurë të hapur dhe dy kontratat kanë 100% vlerën e njëjtë, nga 7,080.00 euro, plotësisht njësoj është edhe vlera më e lartë e tenderit, të kompanive që kanë konkurruar, pra është nga 7,680.00 euro, si dhe numri i njëjtë i kompanive që kanë tenderuar në këto dy tenderë, pra nga 4 kompani. Pra kemi shumë fakte se komuna e Gjilanit po kurdisë shumë tendera për kompanitë e caktuara” ka nënvizuar Rashiti.
Rashiti në fund ka kërkuar nga Haziri që të ndaloj sa më parë keqpërdoruesit e tenderëve dhe që personalisht ai mos të ndërhyj dhunshëm dhe jashtëligjshëm me ndërpre kontrata me operatorët e caktuar, sepse një ditë do të jep llogari sigurisht për të gjitha këto./rajonipress/