RCCOLA

Rashiti: Sikur Prokuroria e Gjilanit të kishte sy dhe vesh!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Ekskursionet e nxënësve nëpër shkollat e mesme ka mbetur i vetmi biznes në Gjilan, ku lehtë dhe shumë para të majme po përfitojnë individë dhe klane të caktuara të kësaj qeverisje komunale. Akuzat për keqpërdorime dhe korrupsion, të bëra drejtpërdrejtë ndaj kryetarit të komunës Lutfi Haziri dhe drejtuesve të Arsimit në Gjilan, sikurse edhe në vitin e kaluar, tregon mënyrën e paskrupullt se si kjo qeverisje lejon që nga nxënësit e shkollave të mesme, të pasurohen të afërm të kryetarit të komunës, e disa edhe jabanxhi që vijnë nga komunat tjera për të marr lekët në Gjilan shprehet Riad Rashiti.

Rashiti thotë se heshtja me vite e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ndaj këtyre rasteve dhe rasteve tjera të shumta, ku janë ngritur dyshime të bazuara për shkelje ligjore, keqpërdorime dhe korrupsion, të kryera nga individë, zyrtarë komunal e deri të kryetari i komunës, janë shqetësime serioze për gjendjen dhe mosfunksionimin e rendit dhe ligjit në komunën e Gjilanit.

Puna selektive e rasteve nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka bërë që qytetarët ta humbin plotësisht besimin në këtë institucion shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me mbikëqyrjen e funksionimit normal dhe respektimin e së drejtës ligjore barabartë për të gjithë banorët e Republikës së Kosovës. Kjo qasje e Prokurorisë dëshmon se ajo është e kapur dhe në shërbim të politikës qeverisës në komunën e Gjilanit.

Vitin e kaluar, po të njëjtat probleme ishin paraqitur me rastin e organizimit të ekskursioneve me nxënësit e shkollave të mesme të Gjilanit. Ishin bërë akuza publike për keqpërdorime dhe korrupsion, kishte nisje me dhunë të nxënësve për ekskursion me përcjellje të Policisë së Kosovës si pasojë e mosmarrëveshjeve të kompanive nga dallaveret e bëra nga pushtetarët e kësaj qeverisje komunale, kishte humbur jetën edhe një nxënës në Durrës.

Mobi Casa

Ndërsa Prokuroria Themelore në Gjilan, ka heshtur për të gjitha këto. Ka heshtur dhe po vazhdon të heshtë edhe për shumë tenderë të tjerë ku komuna e Gjilanit u ka dhënë kompanive të preferuara, duke bërë shkelje të rënda ligjore dhe të cilat janë konstatuara edhe në raportin e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës, por prokurorët e Gjilanit nuk po shohin e as nuk po lexojnë fare mendon Rashiti.

Andaj nuk pritet as kësaj here që ky institucion përgjegjës të veprojë duke hetuar këto raste dhe dyshime të ngritura për korrupsion. Prokuroria në Gjilan në vend që të bëjë
hetime, ajo duhet të hetohet nga institucionet më të larta të vendit. Përderisa Prokuroria nuk vepron ndaj këtyre rasteve, atëherë ekziston dyshimi i plotë se edhe ajo është përgjegjëse për këto keqpërdorime dhe korrupsion, sepse sikurse ajo të kishte vepruar në vitin e kaluar, nuk do të ishte përsëritur në këtë vit prapë dukuria e njëjtë, në dëm të mijëra nxënësve dhe në dëm të kompanive konkurrente në këtë organizim.

Ka ardhur koha që të analizohet mirë dhe të shqyrtohet mundësia e ndërprerjes së këtyre ekskursioneve, derisa të rregullohet qartësisht me ligj dhe rregullore forma e organizimit të këtyre ekskursioneve, e tenderimit dhe kontraktimit, e deri të mbikëqyrja e mirëfilltë e këtyre organizimeve të ekskursioneve për në Shqipëri.

Nuk duhet lejuar që edhe më tutje, dikush të pasurohet në kurriz të xhepit të varfër të mijëra prindërve Gjilanas, të cilët mezi i shkollojnë fëmijët e tyre. Poashtu nuk duhet të lejojmë që papërgjegjësia institucionale e komunës së Gjilanit si dhe e Prokurorisë Themelore të vazhdojë më tutje duke shkaktuar humbje dhe dëme të mëdha, duke mos respektuar procedurat ligjore që kërkohen në këtë lloj organizimi ka thënë Riad Rashiti, anëtar i KK nga radhët e PDK-së./rajonipress/