Rashiti: Seanca e jashtëzakonshme mbahet më 8 tetor
Gjilan – Është pozitive respektimi i statutit të komunës së Gjilanit dhe marrja parasysh e kërkesës së anëtarëve të Kuvendit Komunal, nga ana e kryesueses së Kuvendit Komunal, e cila edhe pse kishte deklaruar se nuk ka nevojë për seancë të jashtëzakonshme, pavarësisht deklaratës saj, ajo prapëseprapë ka vepruar sipas detyrës, obligimeve dhe kompetencave që ia përcakton ligji, statuti dhe rregullorja e punës së KK, duke e thirrur këtë seancë të jashtëzakonshme, e cila mbahet më 8 tetor nga ora 10:00, nga e cila pritet të dalin rekomandime në dobi të përmirësimit të gjendjes në Arsim ka thënë Riad Rashiti.
Sipas Rashitit kjo qasje e drejtë dhe ligjore duhet të jetë përherë në punën e institucionit më të rëndësishëm të komunës për çdo çështje të rëndësishme, sikurse edhe për diskutime lidhur me të arriturat, sfidat dhe problemet serioze me të cilat po përballet Arsimi në Gjilan.
“Hezitimet e shfaqura në publik dhe kundërshtimet për thirrjen e kësaj seance të jashtëzakonshme nga disa përfaqësues të Kuvendit Komunal kanë qenë të ngutshme nga paragjykimet që kanë qenë ndaj kërkesës së opozitës në Gjilan, që për qëllim të vetëm kanë trajtimin e problemeve në Arsim dhe ofrimin e zgjidhjeve për to, duke i dhënë mbështetje drejtuesve të Arsimit edhe nga Kuvendi Komunal, si organ vendim marrës për çështjet e rëndësishme në këtë sektorë si dhe në fushat tjera” ka shkruar Rashiti. /rajonipress/


