Rashiti: Qeverisja e Hazirit për të mbijetuar

Gjilan – Gjilanit ende po i mungon një qeverisje institucionale dhe me program të qartë zhvillimor për qytetarët e saj. Tanimë është krijuar opinioni dhe secili është i bindur, se kjo qeverisje lokale e LDK-së nuk ka qenë e gatshme dhe e përgatitur për të ardhur në pushtet thotë Riad Rashiti këshilltar komunal nga radhët e PDK-së. krejt puna aktuale dhe angazhimi i qeverisjes Haziri ka të bëjë për mbijetesë institucionale, sa për të mos ia vërë drynin ndonjë drejtorie, sektori apo edhe vet komunës thotë ai.
Rashiti thotë se fatkeqësisht edhe sot ende nuk ka arritur të orientohet në punën dhe udhëheqjen e saj me institucionet komunale, por po vazhdon njësoj sikurse që nga viti 2013, kur ishin në opozitë dhe bënin fushatë e parafushatë duke shtruar ndonjë rrugicë me zhavor.
“Promovimi nga ana e kryetarit Haziri, se komuna e Gjilanit po shtron rrugë të arave me zhavor nëpër fshatrat e Gjilanit, tregon më së miri se në çfarë niveli ka rënë serioziteti i qeverisjes së LDK-së. Sepse realisht nuk janë duke u marr me asnjë punë dhe projekt tjetër të rëndësishëm për qytetarët. Edhe pse në fjalorin e tyre të përditshëm numërojnë shumë projekte me shifra milionëshe. Mirëpo asnjë drejtori të cilën e udhëheq LDK-ja nuk po jep asnjë rezultat që ia vlen për ta theksuar” thotë Rashiti, raporton rajonipress.
Sipas tij krejt puna aktuale dhe angazhimi i qeverisjes Haziri ka të bëjë për mbijetesë institucionale, sa për të mos ia vërë drynin ndonjë drejtorie, sektori apo edhe vet komunës.
“Po të analizohen mirë informatat e dala muajt e fundit nga institucionet e komunës, shihet mirë se Lutfi Hazirit po i funksionon vetëm Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe krejt “sukseset” e qeverisjes së tij i ka lidhur për aktivitetet e kësaj drejtorie të cilat po i promovon nga disa herë të njëjtat punë, fillimisht duke treguar se e kanë “pleqnu” një punë me “bo”, pastaj e kanë projektua, e kanë tenderua, pastaj “përhajrimet” se ia nisën, e hajt hajt me vizitue se qysh po “punohet” e dikur kah fundi me ia “këput” shiritin, e pas ndonjë dite, në ndonjë vikend po i vjen rendi i qarosjes për pushtetarët për punët “madhore” që i kanë realizuar”.
Përndryshe Lutfi Haziri deri më tani asnjë, ama asnjë premtim të tij nuk ka filluar së realizuari, përkundrazi është duke i bërë gjërat krejt në të kundërtën e asaj që ka deklaruar dhe premtuar qytetarëve para, gjatë dhe pas fushatës zgjedhore mendon Rashiti.
Rashiti thotë se për këtë sjellje të tij, tre mijë qytetarë të Gjilanit e dënuan LDK-në dhe shpejt ia ri-morën besimin Lutfi Hazirit në zgjedhjet e 8 qershorit për dallim nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
“Komuna e Gjilanit në këtë vit është duke bërë hapa të mëdhenj mbrapa. Nuk ka asnjë investim kapital, nuk ka asnjë bashkë investim me partner privat, nuk ka asnjë grand serioz nga Komisioni Evropian në komunën e Gjilanit dhe as për bizneset e agrokulturës, nuk ka asnjë vlerësim pozitiv në këtë vit nga mekanizmat dhe institucione ndërkombëtare, nuk ka asnjë partneritet apo bashkëpunim që është realizuar me ndonjë shtet për ndonjë projekt madhor për Gjilanin (përveç vazhdimit me qeverinë e Zvicrës). Përveç këtyre, janë bllokuar projekte të jashtëzakonshme, si për Zonën Rajonale Ekonomike, Tregun e Gjelbër, projektin e PPP për rregullimin e kompleksit të shkollave të mesme, projektin e transportit publik, Projektin e PPP te salla sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan, Projekti për ndërtimin e objektit të Administratës së komunës së Gjilanit, Projektin mbi 20 milion euro nga fondi i Bankës Botërore për investime në rrjetin e ri të ujësjellësit të qyteti, si dhe shumë projekte tjera të rëndësishme për qytetarin e rajonit të Gjilanit” ka sqaruar Rashiti.
Me një fjalë Lutfi Haziri së paku e ka kuptuar shpejt, që nuk është askund me punë dhe projekte serioze dhe të rëndësishme, andaj po mundohet që përmes vizitave nëpër ara (fushave dhe maleve), të tregohet në opinion se është duke u punuar “fort” me zhavorr (edhe ne i mbështesim edhe këto investime), por përndryshe kësaj pune i thonë, që ai i ka hyrë “sërrnishtave”.
“Sepse absolutisht ai nuk do të mundet me “praktikant” dhe me kuadro të tilla çfarë i ka vendosur dhe emëruar në pozita udhëheqëse, të vazhdojë punët e mrekullueshme të nisura nga qeverisja e kaluar lokale e PDK-së dhe e Qemajl Mustafës. Këta nuk e kanë as idenë, se sa dhe si është punuar nëpër institucionet e komunës për gjashtë vitet e kaluara, e lëre më të vazhdojnë me punë aty ku ne e kemi lënë. Sepse u mungon dija, përvoja, guximi, motivi dhe ambiciet për të arritur dhe realizuar nevojat dhe synimet e komunës Gjilanit” tha Rashiti./rajonipress/