Fundamenti

Rashiti: Pakënaqësia qytetare me mënyrën e qeverisjes në Gjilan është shumë e lartë

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Raporti gjashtë mujor i punës së kryetarit për vitin 2016 i paraqitur në seancën e Kuvendit Komunal, ishte një maskim i realitetit në të cilën sot gjendet qytetari i Gjilanit, si pasojë e paaftësisë së pushtetit aktual me qeverisjen e institucioneve komunale thotë Riad Rashiti.

Sipas Rashitit në këtë raport të kryetarit nuk ishte theksuar asnjë pengesë, asnjë sfidë apo vështirësi institucionale, apo as edhe një shqetësim qytetarë. Kur secili prej nesh e dinë fare mirë se me çfarë probleme sot përballet sektori i Arsimit, sektori i biznesit, papunësia në rritje, infrastruktura e cila është përkeqësuar, rënia e investimeve në ekonomi, si dhe problemet në secilën kategori të shoqërisë tonë, e të cilat e kanë rënduar jetën normale të qytetarëve të Gjilanit.

Pakënaqësia qytetare në Gjilan është shumë e lartë, me mënyrën e qeverisjes komunale. Hulumtimi i bërë nga UNDP, USAID dhe MAPL, ka konstatuar se 75% e qytetarëve të Gjilanit janë të pakënaqur me punën e kryetarit të komunës, të ekzekutivit dhe të Kuvendit Komunal.

Kaosin institucional në komunë e ka vërtetuar edhe Auditori i Përgjithshëm në raportin e tij për Gjilanin, ku janë paraqitur numër i madh i shkeljeve ligjore, parregullsive dhe keqpërdorimeve të mëdha në mënyrën e shpenzimit të parasë publike, nga buxheti komunal dhe i taksave të qytetarëve Gjilanas.

Parregullsitë sistematike të Prokurimit, pagesa e punëve të pakryera sipas projektit të tenderuar dhe kontraktuar, shpenzimet e paarsyetuara për udhëtimet zyrtare jashtë vendit, numri i madh i punëtorëve të pranuar pa konkurse dhe pa kritere përmes kontratave në vepër, keqpërdorimi i subvencioneve dhe mos raportimi financiar kanë ndikuar që të krijohen humbje të mëdha financiare nga buxheti i komunës.

Rënia drastike e investimeve në projektet kapitale është problem serioz dhe e cila po e thellon krizën e ekonomisë lokale në Gjilan. Edhe pas gati tri viteve në qeverisjen e tij, kryetari i Gjilanit po vazhdon të flas për projekte të mëdha, ndërsa ato projekte mungojnë edhe në letër.

RCCOLA

Qeverisja komunale në Gjilan është vetëm “Llafazane” e cila krenohet me asgjë dhe “Koritet” me mos punë dhe keqpërdorime të mëdha. Për tri vite të kësaj qeverisje komunale, asnjë projekt ideor nuk e kanë bërë deri më tani, sepse nuk kanë dije, kuadro profesionale dhe guxim për të bërë punë të mëdha, e sa për të folur në publik nuk e kanë fare këtë problem.

Autostrada e Gjilanit sipas premtimeve të Lutfi Hazirit njëherë ka pas nisur në vitin 2015, pastaj ka nisur në vitin 2016, tani thotë se do të nisë në vitin 2017, ani pse asnjë euro nuk është planifikuar në buxhetin e Republikës së Kosovës për këtë projekt.

Luta dhe Rexha projektin e lumit Mirusha njëherë e kanë pas përfunduar në fund të vitit 2014, herën e dytë e kanë pas përfunduar në fund të vitit 2015, herën e tretë janë duke e përfunduar tani, por në realitet projekti ka mbetur aty ku e ka lënë qeverisja e PDK-së.
Ka dy vite që janë nis me ardhur mbi 20 milion euro investime nga qeveria e Austrisë për trajtimin e ujërave të zeza, ndërsa në anën tjetër komuna po i pengon të investohen mbi 1 milion euro nga investitori austriak në kompaninë Eko-Higjiena që janë të planifikuara sipas marrëveshjes së PPP e arritur në vitin 2012.

Tregun e Gjelbër me fjalë këta e kanë pas rregulluar njëherë në vitin 2014, pastaj kanë pas themeluar një ndërmarrje të re publike komunale në vitin 2015, por deri më tani kurrfarë lëvizje nuk ka ndodhë aty dhe asnjëri hap nuk ka ndodhë.

LDK dhe AAK duke e parë fundin e tyre me qeverisjen komunale të Gjilanit, nuk pritet që të bëjnë asnjë zhvillim pozitiv për qytetarët e komunës tonë, ato mezi po presin që të përfundojë ky mandat i dështimeve të tyre dhe i humbjeve të mëdha që ia shkaktuan qytetarit dhe bizneseve të Gjilanit ka thënë Riad Rashiti këshilltar i PDK-së./rajonipress/