Rashiti: Malisheva asnjëherë nuk mund të preket nga AAK-ja
Gjilan – Kryesia e nëndegës në Malishevë reagon ndaj deklaratave dhe dezinformatave që dolën dje në opinion se kinse komplet Nëndega e PDK-së në Malishevë dhe kryetari i saj kanë kaluar në subjektin e AAK-së. Me përgjegjësi e informojmë opinionin se ato janë plotësisht të pavërteta dhe manipulim me opinionin. Sepse nga kjo nëndegë asnjë anëtarë i Kryesisë së Nëndegës apo edhe të ndonjë votues i PDK-së nuk ka kaluar në AAK sqaron Riad Rashiti kryetar i nëndegës dhe anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan.
Edhe Riad Rashiti ka sqaruar për opinionin se nëndega e PDK-së në Malishevë nuk ka kaluar në AAK. “Fillimisht ju informojmë se në Malishevë funksionojnë dy nëndegë të PDK-së, në Malishevë të poshtme (që përfshin rreth 80 përqind të numrit të banorëve) dhe që kryetar është Riad Rashiti dhe në Malishevë të epërme që për disa ditë ishte Fadil Ramadani.
Nëndega e Malishevës është më e organizuara dhe më aktive në Gjilan. Edhe pse deri më tani nuk kemi pasur asnjë anëtarë në Kryesinë e Degës, tani në procesin e mbajtur zgjedhor brenda partisë jemi zgjedhur nga Këshilli i Degës katër anëtarë për në Kryesinë e Degës në Gjilan dhe me përgjegjësi e them se ne jemi edhe më të fuqishëm se që kemi qenë deri më tani. Nëndega e Malishevës bindshëm ka qenë fituese e disa palë zgjedhjeve dhe sigurisht se në të ardhmen do të jemi edhe më bindës fitues, për këtë nuk kemi dilema aspak ka sqaruar Rashiti.
Ndërsa sa i përket nëndegës në Malishevë të Epërme, është e vërtet se kanë kaluar dy anëtar të kryesisë së kësaj nëndege dhe kryetari i porsazgjedhur përmes formës së imponimit të tij si kryetar i nëndegës, sepse ai nuk e ka pasur mbështetjen aspak dhe asnjëherë nga votuesit e PDK-së në Malishevë të epërme.
Sa i përket profesorit Sali Mustafa, ai nuk ka qenë asnjëherë Kryetar i Nëndegës në Malishevë, bile as në Kryesinë e Nëndegës në Malishevë të epërme nuk ka mundur të hyjë, sepse nuk e ka pasur mbështetjen nga nëndega e tij, sikurse që nuk e ka pasur asnjëherë që nga themelimi i PDK-së.
“Ne kemi respekt për profesorin e nderuar dhe i urojmë suksese në subjektin e ri politik të cilin e ka zgjedhur, por do ta ketë të pamundur suksesin, sepse politika për dikënd është e rëndë dhe nuk mund të ecë asnjëherë në te. PDK-ja profesorit i ka dhënë çdo herë hapësirë të mjaftueshme, por nuk i ka ecur puna mirë asnjëherë të vetme. Ai nuk ka pasur suksese për tu avancuar përmes asnjë forme në strukturat e PDK-së” thotë Rashiti.
Rashiti ka shtuar se edhe pse nuk e ka pasur mbështetjen nga nëndega e tij, Dega e PDK-së është munduar ta avancojë atë, duke e futur në listat zgjedhore për Këshilltar Komunal , duke besuar dhe duke u bazuar në bagazhin e tij, por ka mbetur sa here me shumë pak vota nga qytetari dhe votuesi i PDK-së dhe nuk ka mundur të bëhet anëtar i Kuvendit Komunal.
“Në zgjedhjet që tani janë mbajtur në degën e PDK-së, ai nuk është deleguar nga nëndega e tij për në Kuvendin e Degës, por prapë dega e PDK-së e ka futur si delegatë në Kuvendin e Degës, mirëpo suksesi prapë i mungoi dhe nuk mundi të hyjë dhe të zgjidhet në mesin e 71 anëtarëve të Këshillit të Degës. Deri më tani është dashur ta kuptoj dhe të bindet Sali Mustafa se me falje të pozitave nuk mund të qëndrosh në politikë, por vetëm me punë dhe duke e fituar mbështetjen e qytetarit dhe votuesve të subjektit të i takon mund të arrish ambiciet politike.” Ka nënvizuar Rashiti.
Sipas tij këta që sot kanë kaluar në AAK do t`i ndihmojnë këtij subjekti aq sa i kanë ndihmuar edhe në të kaluarën që nga themelimi i saj, sepse të gjithë ne e dimë se po këta individë, secilën herë i kanë organizuar Kuvendet Zgjedhore AAK-së në Malishevë të epërme edhe pse njëkohësisht ishin anëtar të PDK-së, çka do të thotë se këta çdo herë me njërën këmbë ishin në PDK dhe me tjetrën në AAK.
“Ne jemi të bindur se këta nuk kanë pasur asnjë arsye të vetme për të kaluar në ndonjë subjekt tjetër politik, mirëpo ne i mirëpresim rezultatet eventuale të tyre sepse mund të kontribuojnë sikur që kanë kontribuar edhe në të kaluarën e tyre, edhe pse plotësisht jemi të bindur se në politikë aspak nuk mund të ecin më shumë se deri më tani” ka thënë Rashiti./rajonipress/

