ARKATANA

Rashiti: Lufta jonë nuk ishte vetëm për mbijetesë. Ajo ishte për dinjitet, për barazi dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Në këtë histori, një vend të veçantë ka Hashim Thaçi, njeriu që i dha zë Kosovës në Rambuje. Atje, në zemër të Evropës, përballë fuqive të mëdha, ai foli me kurajë për Kosovën. Ai mbrojti kauzën tonë të shenjtë, duke hapur rrugën e çlirimit dhe të shtetësisë. Dhe sot, pas dy dekadash, edhe në Hagë po dëshmohet e vërteta. Zëra të rëndësishëm ndërkombëtarë si James Rubin dhe përfaqësues të tjerë amerikanë po e konfirmojnë atë që ne e kemi ditur gjithmonë: Hashim Thaçi ishte udhëheqësi që mbrojti Kosovën, njeriu që mori përsipër barrën më të rëndë, njeriu që e solli Kosovën në tryezën e botës dhe në hartën e lirisë ka thënë Riad Rashiti.

Postimi i plotë:

Nga takimi i sotëm me prijësit e lirisë!

Të nderuar familjarë të dëshmorëve, invalidë e veteranë të luftës, të burgosur politikë
Të nderuar qytetarë të Gjilanit

Sot jemi bashkë për të kujtuar e nderuar 26-vjetorin e përfundimit të misionit të lavdishëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kjo ditë është përvjetor i një misioni të përfunduar me shumë sukses, është kujtesë e gjallë e sakrificës më të madhe që ky popull ka dhënë për liri.

Në këtë përvjetor, ne përulemi me respekt të thellë para dëshmorëve të kombit. Ata nuk e kursyen jetën, që ne sot të jetojmë të lirë.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve tanë.
Ne nderojmë invalidët e luftës, që edhe sot bartin plagët e sakrificës.
Ne nderojmë veteranët, që u rreshtuan në vijën e parë të betejës.

Ne nderojmë familjet, që duruan dhimbjen me krenari e që sot e mbajnë lart flamurin e lirisë.
Ju jeni krenaria e kombit tonë.

Të dashur miq,
Lufta jonë nuk ishte vetëm për mbijetesë. Ajo ishte për dinjitet, për barazi dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë.

Dhe falë asaj sakrifice, Kosova sot është e lirë. Por liria nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë, ajo duhet mbrojtur, forcuar dhe trashëguar brez pas brezi.
Historia e UÇK-së është histori e gjakut, e guximit dhe e vizionit.

Në këtë histori, një vend të veçantë ka Hashim Thaçi, njeriu që i dha zë Kosovës në Rambuje.
Atje, në zemër të Evropës, përballë fuqive të mëdha, ai foli me kurajë për Kosovën. Ai mbrojti kauzën tonë të shenjtë, duke hapur rrugën e çlirimit dhe të shtetësisë.

Mobi Casa

Dhe sot, pas dy dekadash, edhe në Hagë po dëshmohet e vërteta. Zëra të rëndësishëm ndërkombëtarë si James Rubin dhe përfaqësues të tjerë amerikanë po e konfirmojnë atë që ne e kemi ditur gjithmonë:
Hashim Thaçi ishte udhëheqësi që mbrojti Kosovën, njeriu që mori përsipër barrën më të rëndë, njeriu që e solli Kosovën në tryezën e botës dhe në hartën e lirisë.

Kjo është e vërteta që nuk mund të fshihet.
Kjo histori është amanet për ne. Është detyrë e jona që ta ruajmë këtë trashëgimi, jo vetëm me fjalë, por me vepra. Ne duhet të ndërtojmë një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar, më të barabartë një Kosovë ku gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e luftëtarëve të mos shkojë kurrë kot.

Të dashur qytetarë,
Sot është dita për të thënë me zë të lartë:
Ne jemi krenarë për UÇK-në.
Ne jemi krenarë për dëshmorët tanë.

Ne jemi krenarë për udhëheqësit tanë të luftës që e çuan Kosovën drejt lirisë dhe shtetësisë.
Prandaj, le të qëndrojmë të bashkuar. Sepse vetëm të bashkuar mund ta mbrojmë lirinë, vetëm të bashkuar mund ta forcojmë shtetin dhe vetëm të bashkuar mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.

Por, të dashur qytetarë, sot Kosova dhe Gjilani kanë më shumë se kurrë nevojë për një thirrje tjetër, për një detyrë të madhe: për t’ia kthyer dinjitetin vendit tonë, komunës sonë dhe secilit qytetar.
Përpara nesh janë zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Ky është momenti i së vërtetës, ku secili prej nesh ka mundësinë dhe përgjegjësinë të tregojë fuqinë e qytetarëve të Gjilanit.

Në këto zgjedhje, nuk zgjedhim thjesht për katër vitet e ardhshme ne përcaktojmë rrugën për një Gjilan më të drejtë, më të zhvilluar, me më shumë mundësi për të rinjtë, me kujdes më të madh për familjet dhe me shërbime më të denja për qytetarët tanë.

Nevojitet bashkim, angazhim dhe vendosmëri.
Sepse vetëm të bashkuar mund ta ndërtojmë Gjilanin që e duam një qytet dinjitoz, të pastër, me zhvillim ekonomik dhe me shpresë për çdo familje.

Ky është mesazhi që duhet ta çojmë nga kjo sallë, nga çdo shtëpi e nga çdo lagje:
Gjilani meriton më shumë dhe së bashku do t’ia japim këtë më shumë.
Prandaj, më 12 tetor, le ta bëjmë zgjedhjen e duhur.

Le ta tregojmë me votën tonë se dimë të jemi të bashkuar, të fortë dhe të vendosur.
Le t’i japim Gjilanit një të ardhme më të mirë, për fëmijët tanë, për rininë tonë, për çdo qytetar.
Fuqia është në duart tuaja.

E ardhmja e Gjilanit është në duart tuaja.
Dhe bashkë, do ta bëjmë Gjilanin më të mirë.
Faleminderit!