Rashiti: Kuvendi Komunal e ka humbur fuqinë dhe kompetencën e saj
Gjilan – Institucionet komunale të Gjilanit nuk janë të angazhuara në funksion të trajtimit të problemeve të shumta që kanë qytetarët e komunës, bizneset dhe kategoritë e tjera të shoqërisë tonë. Kjo papërgjegjësi institucionale është bartur edhe në institucionin më të lartë të komunës, në Kuvendin Komunal. Ky institucion e ka humbur plotësisht rolin që ka, nuk ka diskutime të mirëfillta për tema me interes të qytetarëve, me qëllim të adresimit të qartë të problemeve për t`i zgjidhur ekzekutivi i komunës thotë Riad Rashiti këshilltar nga PDK-ja.
“Por në realitet po ndodhë e kundërta e kësaj, Kuvendi Komunal është vërë plotësisht në shërbim të ekzekutivit për t`i realizuar interesat e pushtetarëve, militantëve të LDK-së dhe financuesve të partisë në pushtet. Kjo është dëshmuar gjatë tërë vitit të kaluar. Kuvendi Komunal ka humbur fuqinë dhe kompetencën e saj, për tu marrur dhe për të trajtuar çështje të rëndësishme, si pasojë e udhëheqjes së këtij institucioni që po bëhet nga selia e LDK-së” mendon Riad Rashiti, raporton rajonipress.
Rashiti thotë se fatkeqësisht anëtarët e KK në Gjilan, janë shndërruar në një mekanizëm votimi, për vendimet që fillimisht i merr selia e partisë në pushtet. “Shumica absolute e anëtarëve të këtij kuvendi, nuk janë të pajtimit me formën e udhëheqjes së Kuvendit Komunal, mirëpo për shumë arsye, ata sot po heshtin (me ndonjë përjashtim të disa anëtarëve edhe të partisë në pushtet) dhe ende nuk janë të gatshëm të luajnë rolin dhe të ushtrojnë ndikimin e tyre që kanë në këtë institucion të rëndësishëm për t`i kryer detyrat dhe përgjegjësitë që kanë para qytetarëve të Gjilanit” .
Edhe ky vit është nisur mbrapsht, me thirrjen e seancave joligjore të Kuvendit Komunal, gjë që tregon një papërgjegjësi institucionale. “Kjo seancë e cila mbahet sot, është thirrur nga kryesuesja të premten, vetëm dy ditë pune para mbajtjes së seancës së Kuvendit, ndërsa sipas statutit të komunës së Gjilanit dhe sipas rregullores së punës së këtij institucioni, seancat e rregullta thirren 7 ditë pune para mbajtjes së punimeve, ndërsa seancat e jashtëzakonshme thirren 3 ditë pune më herët. Çka do të thotë se seanca e parë e këtij viti, nuk i plotëson kushtet as për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme”.
Rashiti thotë se kjo tregon joseriozitetin dhe jo ligjshmërinë e funksionimit të këtij Kuvendi Komunal, e çfarë mund të presin më shumë qytetarët e Gjilanit nga kjo qasje e kësaj qeverisje komunale.
“Është bërë për keqardhje mentaliteti qeverisës i këtij pushteti, i cili që nga fillimi i mandatit është marrur me premtime, trillime dhe mashtrime. Është thirrur në ligjshmëri ndërsa nuk njeh dhe nuk respekton asnjë ligj të Republikës së Kosovës, është thirrur në zgjidhjen e problemeve ndërsa asnjëherë nuk merret me zgjedhjen e atyre problemeve, është thirrur në investime e nuk ka asnjë investim serioz, është thirrur në lirim dhe heqje të taksave e në anën tjetër i rrit ato taksa ndaj qytetarëve dhe bizneseve, është thirrur për mos politizim të institucioneve ndërsa në anën tjetër bëjnë punësime politike dhe udhëheqje dilitanteske të institucioneve komunale, është thirrur për rritje të buxhetit komunal ndërsa kemi zvogëlim si dhe për shumë çështje të tjera të cilat janë bërë nga e kundërta e saj që është premtuar dhe deklaruara nga ky pushtet. Të gjitha këto janë bërë me lejen dhe vendimet e këtij Kuvendi Komunal, si instrument i ekzekutivit të komunës dhe të partisë në pushtet” tha Rashiti./rajonipress/


