Rashiti: Kurteshi nuk e kupton as nocionin e Privatizimit

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kandidati i VV për kryetar të Gjilanit Ismajl Kurteshi pos që është dëshmuar në të kaluarën e tij politike se asgjë nuk mund t`i ofroj komunës, ai po e ri-dëshmon edhe sot se është larg gatishmërisë apo për t`i bërë ndonjë ofertë më të mirë qytetarit të Gjilanit thotë Riad Rashiti drejtor për zhvillim ekonomik.

Rashiti duke ju përgjigjur akuzave të Ismajl Kurteshit se Gjilani nuk ka përfituar asgjë nga privatizimi tha se Kurteshi çdo investim që ka ndodhur në Gjilan e quan privatizim, çka do të thotë se as definicionin e privatizimit ai nuk e kupton. “Unë e ndiej obligim t’ia sqaroj kandidatit të VV nocionin e privatizimit. Privatizimi nënkupton zoti Kurteshi, procesin e transferit-shitjes së aseteve të një etniteti nga pronësia shoqërore-publike në pronësi private. Kjo nuk është e mjaftueshme për ta kuptuar Kurteshi privatizimin andaj edhe pak më shumë po mundohem t’ia qartësoj metodat e privatizimit. Metoda e parë është shitja e aksioneve të një kompanie publike përmes bursës apo tregut të letrave me vlerë, tjetra metodë është shitja e plotë apo e një pjese të një organizate-kompanie publike(shoqërore), metoda e tretë Kurteshi është kur bëhet shpërndarja e të gjitha aksioneve publike te të gjithë qytetarët e një vendi zakonisht falas apo me një çmim shumë të ulët dhe metoda e katërt është Krijimi i ndërmarrjeve të reja private nga asetet dhe nga pronësia shoqërore. Për më shumë hulumto thjesht dhe shpejt definicionin e privatizimit në gjuhën shqipe, por për ju më mirë hulumto në gjuhen angleze në ëëë.google.com” ka ironizuar Rashiti.

Sipas Rashitit komuna e Gjilanit dhe asnjë komunë tjetër në Kosovë nuk ka të drejtë dhe nuk mund të merret me procesin e asnjë privatizimi, me çka dëshmon se Kurteshi nuk ka njohuri të mjaftueshme as për ligjet e Republikës së Kosovës. “Gjithashtu ne e kemi informuar mirë dhe me transparencë të plotë publikun në Gjilan, lidhur me zhvillimet pozitive rreth procesit të nxitjes së investimeve përmes Partneritetit Publiko Privat në projekte shumë të rëndësishme për publikun, ku shihet qartë se Kurteshi as nocionin e Partneritetit Publiko Privat nuk e kupton e lëre më të koncesionit apo termeve tjera ekonomik, por do të mundohem që shume shpejt brenda ditëve të ardhshme t’ia dërgoj në formë të shkruar në selinë e VV të gjitha definicionet e nevojshme të cilat ai ka nevojë t`i mësoj dhe kuptoj, sepse nuk po reflekton mirë që një kandidat për kryetar komune të del aq keq para qytetarit me kritika të paqëndrueshme dhe që shkojnë në dëm të tij pastaj” sqaron Rashiti.

Andaj Kurteshi kuptoje njëherë e mirë, se komuna e Gjilanit nuk ka kompetencë ligjore aspak të merret me çështjet e privatizimit, përveç që mundohet të mbrojë dhe të bëjë kërkesë Agjensionit Kosovar të Privatizimit për të mos bërë privatizimin e ndonjë pasurie të Kosovës e që është në interes të drejtpërdrejt të komunës dhe qytetarëve të saj siç ishte rasti i parandalimit të privatizimit të çerdhes së fëmijëve “IP Integj”.

Ndërsa sa i përket Partneritetit Publiko-Privat në komunën e Gjilanit, ne mburremi se jemi njëra ndër komunat e para në Kosovë që kemi treguar rezultate dhe suksese të dukshme për secilin që donë me ditë dhe që e kupton mirë dhe drejt interesin e përgjithshëm të qytetarit thotë Rashiti.

RCCOLA

Sipas tij për dy vite përmes PPP kemi krijuar kushte dhe hapësirë për tu investuar rreth 6 milion euro në tri projekte. “Efektet e këtyre transaksioneve janë zoti Kurteshi se komuna e Gjilanit drejtpërdrejt përfiton mbi 1.3 milion euro të hyra të përnjëhershme vetanake dhe mijëra euro për çdo vit do të krijoj të hyra vetanake nga tatimi në pronë, ka krijuar qindra vende të reja të punës për këto dy vite, ka krijuar ambient më të mirë për investime, ka ndërtuar infrastrukturë të re dhe ka krijuar pamje të reja brenda qytetit të Gjilanit. Ministria e Financave para disa javëve ka aprovuar edhe një projekt tjetër përmes PPP për investime në kompleksin e shkollave të mesme, së shpejti do ta aprovoj edhe projektin e PPP për transport urban, ne jemi duke punuar që të kemi edhe shumë projekte të tjera përmes PPP në Gjilan”.

Sa i përket “Eko-Higjienës” prapë Kurteshi i ka të ngatërruara termat e Koncesionit dhe Privatizimit, por nejse dhe nuk është mirë të gënjehet opinioni se është zvogëluar numri i punëtorëve, përkundrazi ka dhe do të ketë rritje për disa punëtor, nuk është aspak e vërtet se ka rritje të çmimeve për shërbimet e kryera nga “Eko-Higjiena” sepse nëse ka rritje duhet të tregojë sa është ajo rritje? .”Në këtë kompani prej lidhjes së kontratës së PPP kanë ndodhur mjaft zhvillime pozitive, përveç që janë investuar mbi 500 mijë euro investime, investime në ndërtesën e re, mjete transportuese, mjete të punës për punëtor, krijimin e kushteve më të mira dhe shërbime më të mira ndaj qytetarëve, gjithashtu për herë të parë prej pas luftës kjo kompani ka mbyllur një vit financiar pa humbje, sepse që nga pas lufta kjo kompani për secilin vit ka dal me humbje. Krejt kjo në saje të një menaxhmenti më të mirë që ka ndikuar në zvogëlimin e shpenzimeve, parandalimin e humbjeve të ndryshme “etj.

Tani jemi në fillimin e procesit të investimeve për mbi 1 milion euro në tregun e gjelbër të qytetit, në funksion të rregullimit të gjithë infrastrukturës së nevojshme me standarde evropiane për një treg modern të qytetit. “Ky investim nuk do të mund të ndalet nga askush e as nga VV sikur që u mundua vitin e kaluar në “Higjienë”, sepse investimet në tregun e gjelbër ka shumë vite që i kanë kërkuar tregtarët ku sot janë në kushte jashtëzakonisht të keqe, ata përballen verës dhe dimrit me vështirësi të temperaturave, me shërbime jo të mira, po ashtu investimet i kanë kërkuar qytetarët e komunës, sepse sot ata janë tejet të pakënaqur, nuk kanë kushte elementare për tu shërbyer në tregun e gjelbër, kanë mungesë të vend parkingjeve, mungesë të sigurisë së mjaftueshme, mungesë të sigurisë së cilësisë për produktet ushqimore që qëndrojnë në treg”, etj.

Dhe krejt në fund qytetarët e Gjilanit çdo herë kanë ditur të vendosin për më të mirët dhe nuk do të mbështesin ata që vazhdimisht kanë dështuar, mashtruar, keqtrajtuar, keqinformuar, gënjyer dhe rrëmbyer nga ata vetëm votën. “Mirë që po ofron 3 nëntori dhe do të shihemi të nesërmen me disponime të ndryshme, dikush i dëshpëruar dhe shumë të dëshpëruar, e disa me përgjegjësi të reja për të ardhmen e qytetit të Gjilanit”tha Rashiti./rajonipress/