UBT

Rashiti: Gjilanin po e lënë të gjithë, po humbin investimet

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Në mungesë të një qeverisje efikase dhe serioze, Gjilanit po i humbin investimet dhe mundësitë zhvillimore të saj. Edhe ashtu ishte njëra ndër komunat me më pak perspektivë, por tani më as nuk mund të flitet për të. Si qendër e Anamoravës, komuna e Gjilanit po mbetet nën hijen e komunave tjera e që janë më të vogla, por të cilat po tregohen më të angazhuara dhe më serioze në qasjen e tyre qeverisëse me institucionet dhe qytetarët e tyre thotë Riad Rashiti këshilltar komunal nga radhët e PDK-së.

Rashiti thotë se qeverisja aktuale e Gjilanit nuk ka fare planifikim të investimeve, nuk ka asnjë angazhim institucional për të hulumtuar dhe siguruar burime financiare për projekte kapitale, sepse nuk kanë ide se çfarë duhet të bëjnë në këtë drejtim. “Nëse shohim komunat e Vitisë dhe Kamenicës, shihet një qasje dhe angazhim tjetër në krahasim me komunën e Gjilanit, ato duken më të gjallëruara në aspektin e investimeve që po i realizojnë. Ato po shprehin pozitivitet ndaj investitorëve, donatorëve, bizneseve dhe qytetarëve të tyre. Ndërsa Gjilanin po e lënë të gjithë, po i ikin investitorët, donatorët e huaj, bizneset po falimentojnë-transferohen diku tjetër, fuqia punëtore e deri tek qytetarët të cilët më, thellë janë zhgënjyer nga pa perspektiva e vendit të tyre. Qytetin e Gjilanit po e lë edhe vet qeverisja komunale, e cila në të shumtën e kohës qëndron në Prishtinë dhe jashtë vendit nëpër vizita turistike, se sa në institucionet e komunës” thotë Rashiti.

Mobi Casa

Sipas tij pothuajse edhe pas dy viteve, kryetari i Gjilanit assesi të përshtatet me qytetin e tij gjatë qeverisjes komunale, poashtu të deleguarit e tij assesi të përshtaten me përgjegjësitë të cilat i kanë marr në këtë qeverisje. “E në anën tjetër as donatorët e investitorët që kishte komuna e Gjilanit, sot nuk po mund të përshtaten me këtë qeverisje komunale, ku edhe qytetarët e kanë të njëjtin hall, sepse nuk ka kush të merret dhe të trajtojë problemet e tyre serioze që kanë ata në shumë fusha. Të vetmen ide që ka sot qeverisja komunale, është se si të organizojë “panagjyre” sa për sy e faqe dhe t`i shfrytëzojë ato për turizëm të drejtuesve komunal, sepse tek tani u ka ardhur mundësia të dalin pak dhe të qëndrojnë sa më shumë duke u shëtitur nëpër shtete të ndryshme të Evropës, duke shpenzuar paratë e qytetarëve të Gjilanit”.

Rashitit mendon se kjo gjendje e rëndë në aspektin e investimeve, do të vazhdojë të rëndohet edhe më shumë në qytetin e Gjilanit, sepse nuk ka zot shtëpie që kujdeset për qytetarët e saj, nuk ka mikpritje për investitorë, nuk ka plan zhvillimor, nuk ka kush punon e gjallëron jetën në këtë qytet të katandisur nga pushtetarët lakmitar ndaj pas pasurisë dhe turizmit./rajonipress/