RCCOLA

Rashiti: Ahmet Isufi çdoherë e ka dëmtuar politikisht Gjilanin

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Deputeti i AAK , Ahmet Isufi edhe pse shumë rrallëherë është treguar i gatshëm dhe i angazhuar për të kontribuar për komunën e tij, ai shpeshherë jo formalisht edhe joinstitucionalisht është munduar t’i dëmtoj proceset pozitive për Gjilanin thotë Riad Rashiti.

Deklaratat e Ahmet Isufit rreth hetimeve që po zhvillohen për partneritetin publiko privat në Gjilan e kanë “ngacmuar”, Riad Rashitin drejtor për zhvillim ekonomik. Sipas tij Deputeti Ahmet Isufi dhe ndonjë deputet tjetër nga Gjilani, qëllim e kanë dëmtimin e imazhit të institucioneve komunale, me qëllim të ardhjes së tyre në pushtet, por këtë synim ata nuk do të mund t’a arrijnë, sepse ka 13 vite që kanë humbur vazhdimisht nga qytetari i Gjilanit, nuk i kanë ndihmuar as koalicionet e „mëdha“, e sot nuk do t’i ndihmojë as kjo formë e politikës bajate me qëllim të dëmtimit të imazhit të komunës së Gjilanit dhe kryetarit të saj.

“Është e pamoralshme nga ana e një deputeti që të vlerësoj jo drejtë një punë të madhe e cila është bërë nga një qeverisje komunale që nga viti 2007, sikurse është e padrejtë edhe për konstatimet e bëra nga ana e tij rreth hetimeve të Partneritetit Publiko Privat dhe gjendjes së përgjithshme ekonomike në komunë”.

Rashiti tha se edhe nëse hetimet paskan qenë të përditshme për qeverisjen aktuale në komunë, atëherë nuk mund të thuhet se ka pasur keqpërdorime në dëmtim të buxhetit të komunës, por përkundrazi, ka dalë që puna e institucioneve komunale ka qenë e ndershme dhe është e pastër si loti, e që ka sjellur shumë të mira për qytetarët.“Komuna e Gjilanit edhe pse nuk është mjaft e kënaqur me investimet kapitale, prapë ka arritur që në bashkëpunim me qeverinë, donatorët dhe të hyrat vetanake të investojë në shumë projekte për zhvillimin e gjithëmbarshëm të komunës” thotë Rashiti.

Rashiti e ka përkujtuar Isufin se Gjilani është komuna e parë në Kosovë që përmes Partneritetin Publiko Privat ka investuar mbi 6 milion euro në infrastrukturë dhe shërbime ndaj qytetarëve, ku edhe disa miliona euro tjera investime do të bëhen në vitin e ardhshëm. “Andaj këto të arritura sigurisht që e pengojnë shumë zotin Isufin e edhe disa deputet të tjerë të cilët punojnë ditë dhe natë për një karrige të kryetarit të komunës, sikur këta deputet të punonin aty ku e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës shumë më mirë do t’i kishin punët edhe ata, edhe komuna, edhe kryetari e qytetari i Gjilanit”.

Uji Dea

Por nga paaftësia e tyre për të sjellur dobi për komunën e Gjilanit, ata vardisen rrugëve të qytetit tonë duke dëmtuar zhvillimet pozitive që po ndodhin në komunë, ndonjë prej tyre duke u munduar edhe t’i pengojë investimet në komunë nga qeveria e Kosovës për përfitime të ulëta karrieriste politike, e ndonjë duke u munduar edhe t’i pengoj investimet përmes Partneritetit Publiko Privat, duke u munduar të pengojnë investimet, e ndonjëri prej deputetëve është futur edhe vet personalisht drejtpërdrejt në proces të PPP me qëllim të pengimit të investitorit privat si në rastin e EkoHigjienës.

Rashiti mendon se këto tendenca politike janë shumë të rrezikshme për funksionimin e lirë dhe të mirë të institucioneve komunale, por janë të rrezikshme edhe për qytetarin e Gjilanit dhe për klimën e përgjithshme të mirë të cilën PDK-ja dhe kryetari i komunës e kanë krijuar që nga viti 2007.

“Hetimet të cilat po bëhen për PPP në “EkoHigjienë” nga organet e drejtësisë janë të rëndësishme, sepse së shpejti do të vërtetohet që përveç se procesi ka qenë qind për qind sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës edhe ka qenë me transparencë të plotë, i mbështetur 100% nga të gjithë anëtarët e Kuvendit Komunal, nga të gjitha subjektet politike në Kuvend, do të vërtetohet se procesi ka qenë i drejtë i pastër dhe ligjor, edhe do të vërtetohet së këta deputet të „brengosur“ janë kundër interesave të zhvillimit të komunës, ndërsa zoti Isufi dhe disa deputet të tjerë do të mendohen më shumë dhe më mirë se si ata kah fundi i karrierës së tyre politike do të munden t’i ndihmojnë Gjilanit nga Prishtina e tyre e dashur”.

Ambiciet e deputetëve të Gjilanit duhet të jenë fuqizimi i ndikimit të tyre në institucionet qendrore për të mirën e Gjilanit, nëse e vlerësojnë se ata i kanë kapacitetet e tyre intelektuale dhe profesionale, e jo angazhimin e tyre t’a fokusojnë në dëm të liderëve të Gjilanit që udhëheqin me komunën, apo edhe në dëm të institucioneve të komunës së Gjilanit. Sepse nëse e bëjnë të kundërtën, atëherë dëshmohet se ata kanë bërë shumë gabime me vendimet e tyre kur ia kanë mësyer pozitave në nivel qendror thotë Rashiti. /rajonipress/