Rashiq: Qeveria e re duhet t’i ketë minimum 75 vota
Kryetari i Partisë Progresiste Demokratike (PDS), Nenad Rashiq, ka deklaruar se Republika e Kosovës duhet të ketë qeveri dhe institucione stabile. Rashiq në një intervistë për “Epokën e re” ka vlerësuar se qeveria e re duhet t’i ketë minimumi 75 vota në Kuvendin e Kosovës.
“Kosova duhet të ketë qeveri stabile, ndërkaq se kush do ta formojë qeverinë e re për mua ka pak rëndësi dhe në këtë drejtim kam thënë se nuk do të përzihem sepse nuk kam të drejtë morale e as politike të ndikoj në gjëra që janë më shumë shqiptare sesa serbe. Por, Qeveria e ardhshme më së paku duhet t’i ketë 75 vota në Kuvendin e Kosovës, përndryshe prapë do të kemi zgjedhje të parakohshme sikurse ka ndodhur deri më tani, ku asnjë qeveri s’e ka çuar mandatin deri në fund. Pra, minimumi 75 vota në Kuvend do të bënin të kemi një stabilitet të brendshëm dhe të jashtëm. Kosova duhet të tregohet stabile para Brukselit, Beogradit dhe Washingtonit, të cilët janë duke i përcjell me vëmendje proceset politike këtu”, ka deklaruar Rashiq.
Nenad Rashiq, i cili është edhe ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka thënë se kushdo që ta formojë qeverinë e re, nëse nuk i ka 75 vota në Kuvend, Kosova mund të shkojë në zgjedhje pas një viti.
“Cilido bllok (PDK-ja ose koalicioni LDK-AAK-Nisma) që do ta formojë qeverinë e re dhe e cila nuk është stabile mund të kemi zgjedhje pas një viti. Nëse ndodh kjo, atëherë do të jemi në një situatë humbës-humbës. Pra, të gjithë ne humbim nëse nuk formohet një qeveri stabile. Nga kjo përmbajtje politike që kanë krijuar blloqet, mendoj se nuk e krijon stabilitetin”, ka thënë Rashiq, duke bërë me dije se do të jenë neutralë karshi përkrahjes së cilitdo bllok.
“Nuk e shoh të arsyeshme si parti e vogël që jemi të mbetemi në opozitë. Ne do ta mbështetim çdo koalicion i cili e formon qeverinë dhe që i respekton ligjet e Kosovës të cilat janë në fuqi. PDS-ja është për konsensus. Nuk dëshiroj të përzihemi në gjëra të mëdha, konkretisht në pajtimin e partive shqiptare. Në do të dilnim të papjekur nëse do të interferonim në marrëdhëniet e partive të mëdha shqiptare. Ne do të jemi neutralë përderisa partitë shqiptare nuk pajtohen mes vete”, është shprehur Rashiq.


