RCCOLA

Rashani e lë Norvegjinë për Shqipërinë

/ 5 minuta lexim

Elbasan Rashani, është emri më i ri i talenteve shqiptar që po shkëlqejnë nëpër Evropë. Sulmuesi anësor, me prejardhje nga Kosova, aktualisht aktivizohet në kampionatin danez me skuadrën e famshme Brondby, ku e ka filluar edicionin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme.

Në katër ndeshje të luajtura në Ligën e Evropës me skuadrën e tij, 22-vjeçari Rashani, ka realizuar tre gola duke bërë edhe një asistim.

Në një intervistë dhënë Telegrafit, Rashani flet për karrierën e tij me Brondbyn, ofertat që kishte, synimet në Ligën e Evropës dhe në kampionat, si dhe për ëndrrën e tij të madhe që të luaj me Kombëtaren e Shqipërisë.

Elbasan, keni filluar për mrekulli edicionin e ri me Brondbyn, duke shënuar e asistuar?
Rashani: Po ka qenë një fillim fantastik për mua. Në katër ndeshjet e para në Ligën e Evropës kam shënuar tre gola dhe kjo më ka bërë të lumtur, pasi jam duke kaluar nëpër një formë mjaftë të lartë.

Në kampionat ndeshjen e parë e nisët si titullarë dhe u zëvendësuat pas 40 minutave…?
Rashani: Po, është e vërtet e nisa ndeshjen si titullarë por u desh të largohem nga loja pas 40 minutave pasi pësova një lëndim nga kundërshtari që më goditi në hundë dhe nuk munda të vazhdoj.
Pas lëndimit të rëndë që e kishe vitin e kaluar, si po ndjehesh tani?
Rashani: Ka qenë një periudhë kohore shumë e vështirë për mua, pasi qëndrova shtatë muaj jashtë fushave, mirëpo tani jam kthyer dhe po luaj rregullisht si titullar. Mu është kthyer edhe dëshira për lojë dhe vetëbesimi dhe besoj se do të vazhdoj me lojëra të mira.

A kishte ndonjë ofertë gjatë këtij afati kalimtar të verës për Elbasanin?
Rashani: Para se të transferohem te Brondby isha afër kalimit në Ingolstadt, mirëpo klubi gjerman kërkoi të nënshkruante me mua dhe të më linte huazim gjashtë mujor te ish-skuadra ime ODD, por nuk e pranova këtë dhe u transferova në Brondby. Ende janë disa skuadra gjermane që po më përcjellin, mirëpo momentalisht jam i koncentruar te Brondby që të kem suksese.

Cilat janë synimet e tua me Brondbyn për këtë edicion?
Rashani: Vitin e kaluar përfunduam në pozitën e tretë dhe synimi tani është që të jemi edhe më lartë në tabelë. Gjithashtu kemi kaluar dy raunde në Ligën e Evropës, dhe duhet të vazhdojmë kështu që të luajmë në grupe, pasi atë edhe e synojmë.

Synimet personale për këtë edicion?
Rashani: Të luaj vazhdimisht të shënoj gola dhe të asistoj për shokët e skuadrës. Ia kam nisur mirë dhe shpresoj të vazhdoj me këtë ritëm.

Uji Dea

Keni luajtur nëpër të gjitha grupmoshat e Norvegjisë, a pritni ndonjë ftesë nga skuadra e parë?
Rashani: Aktualisht jam duke kaluar nëpër një formë shumë të mirë dhe nëse më vije ftesa mirë, por…

Por…? A do ta linit Norvegjinë për të luajtur me Kombëtaren e Shqipërisë?
Rashani: Un jam shqiptar nga Kosova dhe ëndrra ime është që të luaj për vendin tim. Natyrisht që do ta lija Norvegjinë nëse do të më vinte një ftesë nga Kombëtarja e Shqipërisë. Do të ishte një realizim i ëndrrës.

E shikoni Kombëtaren duke luajtur, çfarë ju pëlqen aty?
Rashani: E kam shikuar në çdo ndeshje Shqipërinë, dhe më ka pëlqyer se si luan por edhe tifozët më të mirë në botë. Gjithashtu unë kam luajtur së bashku me Herolind Shalën që është pjesë e Shqipërisë dhe ai më ka treguar që kalon për mrekulli aty dhe dua t’i ndjek hapat e tij. Do të ishte fantastike nëse do ta barti fanellën e Shqipërisë.

Por, nëse nuk vjen ftesa e Shqipërisë, a do të luanit me Kosovën apo Norvegjinë?

Rashani: Unë do të doja të luaja edhe me Kosovën nëse nuk vije ftesa nga Shqipëria, por edhe Norvegjia nuk është opsion i keq. Por prapë po them që do të ishte realizim i një ëndrre të luaj me Kombëtaren.

Ndeshja e radhës e Shqipërisë është pikërisht në Danimarkë ndaj Përfaqësueses daneze ku ti luan në atë kampionat. A pritni ftesë?

Rashani: Do të ishte fantastike për mua që të marrë ftesë pikërisht për ndeshjen ndaj Danimarkës dhe të luaj ndaj miqve të mijë. Do të ishte diçka e mrekullueshme, shpresoj të ndodh një gjë e tillë…