ARKATANA

Raporti i kryetarit dhe ai financiar do të diskutohen në seancë të veçantë të Kuvendit

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka rekomanduar për Kuvend Komunal raportin e punës së kryetarit për periudhën janar-qershor 2013, raportin financiar janar-qershor 2013 si dhe raportin e Auditorit ë Përgjithshëm për pasqyrat financiare të Komunës së Gjilanit për vitin 2012, të cilët do të diskutohen në një seancë të veçantë nga pikat tjera.

Kryesuesi Izmi Zeka tha se pikat tjera, që po ashtu u rekomanduan për Kuvend Komunal dhe që kryesisht kanë të bëjnë me planet rregulluese, do të shqyrtohen në një seancë tjetër, po ashtu brenda javës së ardhshme.

Arben Mehmeti (LDK) kërkoi që raportit financiar t`i bashkëngjiten materialet shtesë që kanë të bëjnë me shpenzimet e sidomos me subvencionet.

Për Kuvend Komunal u rekomanduan edhe propozim-vendimi për miratimin e kushteve të përkohshme urbanistike-arkitektonike dhe kushteve të ndërtimit për disa pjesë të qytetit, propozim-vendimi për miratimin e zgjidhjes urbanistike të infrastrukturës rrugore të një pjese të PDU “Qarku”, si dhe propozim-vendimi për miratimin e zgjidhjes urbanistike të infrastrukturës rrugore të një pjese të PRRU “Kodra e Thatë”, ana e djathtë e rrugës Gjilan-Kumanovë, të cilat i paraqiti Bahrije Mahmuti, drejtoreshë e Urbanizimit.

Sa u përket kushteve të përkohshme urbanistike, ajo tha se bëhet fjalë për zonat ku nuk ka plane rregulluese dhe ku këto ndërhyrje të vogla nuk bien në kundërshtim me ligjin. Te zona “Qarku” ndërhyrja bëhet me kërkesën e qytetarëve për të krijuar qasje në infrastrukturë rrugore, sikurse edhe te zona “Kodra e Thatë”.

Duke bërë vërejtje te këto ndryshime, Sadudin Berisha (LDK) tha se zhvillimet që po ndodhin në lagjen “Iliria”, ku po bëhen ndërtime të larta në një zonë të ngushtë, po e vështirësojnë banimin individual.

UBT

Duke qenë se opozita e vuri në pikëpyetje aspektin ligjor te këto ndërhyrje në plane, Izmi Zeka kërkoi që Zyra Ligjore të ofrojë një interpretim ligjor për seancën e ardhshme të Kuvendit Komunal.

KPF e ka rekomanduar për Kuvend Komunal edhe Planin Rregullues Urban “Livadhet e Arapit”, ku siç ka thënë drejtoresha Bahrije Mahmuti është dashur të bëhet një ndërhyrje në momentin e fundit, me kërkesën e një grupi të qytetarëve, të cilët kanë kërkuar ndërtim të lartë në një bllok të kësaj lagje.

Planin e ka prezantuar projektuesi Ilir Gjinolli, i cili ka thënë se ky ndryshim e rrit edhe numrin e banorëve në këtë lagje, ku janë planifikuar dy shkolla, tre çerdhe, një ambulancë si dhe infrastrukturë tjetër për nevoja publike.

Po ashtu në këtë takim të KPF është rekomanduar për miratim në Kuvend edhe propozim-vendimi për taksat administrative për lëshimin e lejes së ndërtimit si dhe propozim-vendimi për dhënien e pronës komunale te tregu i gjelbër në shfrytëzim në një prridhë afatshkurtër.

Sali Fazliu, shef i Sektorit të Pronës, ka thënë se propozimi është që një sipërfaqe prej 67 ari, që përbën gjysmën e hapësirës së përgjithshme të tregut të gjelbër, të jepet në shfrytëzim për një periudhë deri në 15 vjet. Për shkak të mungesës së infrastrukturës së duhur, tregu i gjelbër është në një gjendje jo të mirë, ka thënë Fazliu.

Edhe ky propozim u kontestua nga opozita (LDK), duke thënë se kjo iniciativë vjen tre muaj para zgjedhjeve. /rajonipress/

Mund të ju interesoj: