RCCOLA

Raportet skandaloze të zëvendësministrave

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Rreth 80 zëvendësministra kohë më parë i kanë dorëzuar kryeministrit raportet për punët që kanë kryer në 100-ditshin e parë, por këto raporte po vlerësohen skandaloze për shkak të përmbajtjes, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Në vend të dokumenteve për “punë konkrete” zyra e kryeministrit është mbushur me raporte ku përfshihen: takimi i zëvendësministrave me shefat e tyre ministra, vizita në katedralen “Nënë Tereza” dhe urimi për Pashkët, vendosja e luleve te Përmendorja e Lirisë në Vlorë dhe pritja e njerëzve në zyrë për t’i pranuar urimet për pozitën e re.

Madje raportimi i tyre ka shkuar aq në detaje sa njëri nga zëvendësministrat ka raportuar se sa herë i ka dërguar e-maile ministrit dhe stafit e po ashtu edhe sa herë ka pranuar e-maile nga biznese të ndryshme

Përderisa disa zëvendësministra kanë raportuar se që në javën e parë janë takuar me shefin e tyre, tre nga zëvendësministrat i janë ankuar Haradinajt se përgjatë 100 ditëve asnjëherë nuk janë takuar me shefat e tyre, shkruan më tutje “Zëri”.

Uji Dea

E raportimi i zëvendësministrave ka shkuar aq larg sa njëri prej tyre në raportin e tij ia ka shpjeguar Haradinajt detyrat dhe përgjegjësitë e tij prej zëvendësministri.

Gazeta “Zëri” ka provuar të marrë vlerësim nga zyra e kryeministrit Haradinaj për raportet e pranuara, por ata nuk janë përgjigjur.

Në anën tjetër opozita ka deklaruar se nuk është habitur me raportet e zëvendësministrave, pasi ata asnjëherë nuk kanë pranuar punë konkrete nga kryeministri, kurse njohësit e çështjeve politike raportet e zëvendësministrave i kanë quajtur qesharake.