Raportet me ndërkombëtarët – Ekspertët kërkojmë kujdes: Mos të sillemi si “fëmijë i llastuar”

Institucionet duhet të jenë më të vëmendshme e shumë të kujdesshme për hapat që ndërmarrin, me theks të veçantë zhvillimet rajonale, tha kryetari i partisë Lëvizja për Bashkim, Valon Murati në një intervistë për Ekonomia Online.

Edhe pse thotë se në disa raste Kosovës i është bërë presion i padrejtë sidomos në raport me Serbinë, ai pohon se duhet të shfrytëzohen këtë rrethana për të forcuar raportet sidomos më BE-në e ShBA-në.“Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për pozicionin që e ka Kosova në marrëdhëniet ndërkombëtare e me theks të posaçëm me zhvillimet rajonale. Andaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm për hapat që i ndërmarrim po flas si Kosovë, si shtet pastaj normalisht si Qeveri edhe si politikë. Në këtë drejtim shpesh duket se Kosovës i bëhet presion pa të drejtë dhe në shumë drejtime ashtu është”, raporton EO.

“Poashtu them se duhet të jemi të vëmendshëm për këtë pozicion në të cilin është Kosova dhe poshtërisht për faktin se ajo që ne na duket si sjellje e privilegjuar ndaj Serbisë, në të vërtetë është një qasje e kujdesshme e shteteve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që sa më shumë që është e mundur Serbinë ta tërheq nga orbita e interesit rus dhe ta afroj me atë perëndimor të BE, ShBA etj. Ne duhet ta analizojmë këtë situatë dhe me pajtueshmëri me këto rrethana ta ndërtojmë qasjen tonë, sjelljen tonë në raport edhe me BE dhe me ShBA edhe në raport me Serbinë po edhe në raport me interesat tona”.

Murati e sheh si të gabuar refuzimin e projekteve nga ndërkombëtarët, ai thotë se së paku duhet të kishim dhënë zgjidhje e jo të themi vetëm jo si “fëmijë i llastuar”, e në fund të kërkojmë ndihmën e ndërkombëtarëve.“Ne kemi thënë jo për shumë e shumë procese dhe asnjëherë nuk kemi ofruar rrugë dalje prej tyre, kemi thënë jo dhe kjo është shumë e dëmshme. Unë asnjëherë nuk jam kundër që të themi jo, por jo-ja duhet të përcillet me një ofertë alternative të asaj që t’i e thua jo. Kjo sigurisht që i revolton dhe i bënë partnerët tanë edhe nervoz edhe jo të durueshëm me ne”.“Nuk duhet ta harrojmë që një pjesë të mirë të pozicionit që e kemi në marrëdhëniet ndërkombëtare edhe në rajon e kemi edhe për shkak të këtyre raporteve që i kemi me partnerët tanë. Duhet të kujdesemi që t’i kultivojmë e jo të tregohemi si një ‘fëmijë i llastuar’ i cili thotë jo, jo jo e pastaj në fund nëse në fund nëse diçka shkon keq kërkon ndihmën e tyre”.

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku në një intervistë për Ekonomia Online tha se nga ndërkombëtarët kohët e fundit ka pasur një qasje kritikuese ndaj Kosovës, duke përmendur moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.“Realisht së fundmi kemi pasur një qasje të themi kritikuese ndaj Kosovës për faktin se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk i ka lejuar të mbahen zgjedhjet e 3 prillit që mbahen në Serbi edh enë territorin e Kosovës”.“Sigurisht që kjo ka ndikuar le të themi negativisht në aspektin e imazhit të Kosovës karshi aleatëve të saj, por në anën tjetër jo vetëm për fajin e Republikës së Kosovës po ndodh kjo sepse kemi parë që viteve të fundit edhe Bashkimi Evropian nuk ka dhënë asnjë karrot le të themi për lëshimet që i ka bërë Kosova në raport me dialogun Kosovë-Serbi dhe si me thënë faji është i dyanshëm edhe për qasjen si me thënë jo konsostente të BE ndaj Kosovës, po në anën tjetër disa gabime diplomatike të Kosovës në raport me bashkësi ndërkombëtare”.Sadiku thotë se Kosovës po i bëhet presion më shumë se sa Serbisë, raporton EO.

Por ai thekson se në këtë periudhë është mundësi e “artë” për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si në NATO, Këshillin e Evropës etj.“… duhet të shikojmë mundësitë që të themi konsistent në kërkesat tona, duhet të kërkojmë liberalizim të vizave, duhet të kërkojmë statusin e kandidatit, anëtarësimin në Këshillin e Evropës edhe në NATO, sepse tani më dihet që Rusia nuk ka një imazh të mirë në të gjitha forumet ndërkombëtare duke përfshi edhe G20, Këshillin e Evropës, NATO etj”.“Është një mundësi e artë për Kosovën që të shfrytëzohet që të anëtarësohet në këta mekanizma ndërkombëtar. Por kjo paraprakisht kërkon një koordinim më të mirë të qeverisë së Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kur po them një koordinim, nënkupton faktin që duhet të miratojmë linjën e gazit të cilën e kanë kërkuar ShBA, duhet të ofrojmë të gjitha kërkesat të cilat i kanë kërkuar aleatët tanë ndërkombëtarë sidomos ShBA në mënyrë që kjo të na kthehej ne si një kontribut pozitiv dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, raporton EO.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS