RCCOLA

Ranillugu krijon shpenzime enorme për dreka zyrtare

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan -Në 2010 vetëm për dreka zyrtare janë shpenzuar 6.660,5 euro kurse për vitin 2011 për dreka zyrtare janë shpenzuar 1.935 euro, çfarë do të thotë se shpenzimet e Komunës për 2010 për këtë kategori kanë qenë enorme thotë GAP.

Raporti i GAP-it ka gjetur shumë parregullsi në funksionimin e Komunës së Ranillugut. Ky raport gjen mangësi të mëdha në financa,prokurim,keqëmenaxhim etj.

Sipas GAP-it sa i përket të hyrave vetanake, Ranillugu ka treguar dukshëm performancë më të mirë se sa komunat tjera të reja me madhësi dhe specifika të njëjta me Ranillugun, siç janë Parteshi, Kllokoti, Mamusha, Juniku.

Një e hyrë buxhetore këtu që nuk vërehet nga komunat tjera është taksa për kontrollin e ushtruar në respektimin e planit rregullues, ku në 2011 nga kjo taksë Komuna janë evidentuar të hyra prej 3.406 eurove. Në tre mujorin e parë të 2012 të hyrat nga kjo taksë janë 727 euro. Mirëpo, përkundër performancës së mirë të vjeljes së të hyrave vetanake, Komuna e Ranillugut nuk e ka disiplinën e njëjtë sa i përket shpenzimit të parasë publike.

GAP-i ka konstatuar se në 2010 vetëm për dreka zyrtare janë shpenzuar 6.660,5 euro. Kjo shumë është e baras vlefshme me shumën e të hyrave vetanake të grumbulluara nga këto aktivitete komunale.Kurse, nga Raporti Financiar i Komunës së Ranillugut për 2011 del se për dreka zyrtare janë shpenzuar 1.935 euro, çfarë do të thotë se shpenzimet e Komunës për 2010 për këtë kategori kanë qenë enorme.

Kategori tjetër ku vërehen shpenzime të mëdha janë edhe shpenzimet për mëditje për udhëtime jashtë vendit. Në 2010 shpenzimet për udhëtimet jashtë vendit kanë kushtuar 1.455 euro, kurse shpenzimet për mëditjet e këtyre udhëtimeve kanë kushtuar 8.811 euro. Çka do të thotë se mëditjet kanë kushtuar tetë fish më shuam se sa vetë udhëtimet. I njëjti trend ka vazhduar edhe më 2011, ku shpenzimet për udhëtime jashtë vendit kapin vlerën prej 1.372 eurosh, kurse mëditjet për të njëjtë udhëtime kapin vlerën prej 8.448 eurosh.

Sipas GAP-it pjesën më të madhe të këtyre mëditjeve e ka marr Zyra e Kryetarit, apo 5.411 euro në 2010 dhe 6.618 euro për 2011. Shpenzimet për karburante të veturave janë të mëdha, kur të kihet parasysh numër i vogël i automjeteve zyrtare dhe madhësia e territorit të Komunës prej 77.6 km/2.

Në 2011 shpenzimet për derivate kapin shumën prej 13.132 eurosh. Edhe për mirëmbajtjen e automjeteve janë shpenzuar shuma të mëdha, ku vetëm në 2011 janë shpenzuar 7.019 euro.

GAP ka dhënë vërejtje edhe shpenzimet e telefonisë mobile dhe asaj fikse të cilat janë të mëdha, ku së bashku kapin vlerën vjetore prej 9.456 euro (6.330 për telefoni mobile dhe 3.126 për atë fikse). Një e dhëne e cila nuk është evidentuar në raportet financiare të Komunës për 2010 dhe 2011 është edhe shpenzimi për drunj dekorativ për festat e fundvitit. Në dhjetor të 2011, Komuna e Ranillugut i ka dhënë tender ndërmarrjes nga Gjilani NPN “S6G CONSTRUCTION” për furnizim të Komunës me drunj dekorativ për festat e fundvitit. Këta drunj dekorativ i kanë kushtuar Komunës 9.840 euro!

Mobi Casa

Komuna e Ranillugut ka të punësuar 53 persona në administratën komunale. Ky numër i të punësuarve është më i madh se numri i të punësuarve të lejuar. Sipas MAPL ,Komuna e Ranillugut ka të drejtën të punësoj 50 persona në administratë komunale, kurse kjo Komunë ka të punësuar në administratë 53 persona. Numri i gjithëmbarshëm i të punësuarve prej 189 personave (administratë, arsim dhe shëndetësi) është më i madh se numri i stafit të lejuar nga Ministria e Financave, me Buxhetin e Kosovës.

Në vitin 2010 kjo komunë kishte të punësuar 209 veta, apo 29 veta më shumë se numri i lejuar për punësim. Po ashtu GAP-i ka evidentuar që një pjesë e stafit të Komunës së Ranillugut nuk janë banorë të kësaj komune.

Përveç numrit të madh të të punësuarve, shkelje tjetër në këtë komunë është edhe mënyra e pranimit të stafit dhe dosjet e stafit. Auditori i Përgjithshëm në 18 dosje që ka marr si mostër për të testuar më 2010, asnjëra prej tyre nuk ka qenë e rregullt.

Në bazë të kualifikimit shkollor, sipas një raporti të Departamentit për Administrimin e Shërbimit Civil në MAP), del se asnjë nga stafi i Komunës nuk është me fakultet, kurse 23 veta janë me shkollim të lartë. Edhe numri i të punësuarave femra është i vogël, apo
vetëm 13 femra dhe 40 meshkuj. Por në ekzekutivin e Komunës femrat janë të përfaqësuara mirë, ku nga 6 drejtori funksionale, 2 drejtori udhëhiqen nga femrat.

Sistemi shëndetësor dhe arsimor në Komunën e Ranillugut funksionon afërsisht ngjashëm si të rasti i Komunës se Graçanicës. Përgjegjësit e këtyre qendrave nuk i japin përgjegjësi Komunës, por strukturave paralele të cilat menaxhohen dhe financohen direkt nga Qeveria e Serbisë. Pjesa dërmuese e stafit në këto qendra pranojnë rrogën edhe nga Komuna e Ranillugut dhe njëherazi rroge marrin edhe nga Qeveria e Serbisë.

Në asnjë raport të nivelit qendror (MASHT dhe MSH) nuk mund të hasen shifra për numrin e të punësuarve në sistemin arsimor dhe shëndetësor në Ranillug me arsyetimin se këto qendra nuk raportojnë tek institucionet e Kosovës.

Edhe përkundër kësaj, Komuna e Ranillugut në vazhdimësi ka investuar në këto qendra, madje ka paraparë buxhet edhe në linjën e mallrave dhe shërbimeve për këto qendra. Rrjedhimisht nga kjo, Komuna e Ranillugut shpenzon para për rrymën, ujin, mbeturinat dhe shpenzimet e tjera operative për qendrat e mjekësisë dhe objektet arsimore, ndonëse nuk janë nën autoritetin e tyre.

Autoritetet e Komunës së Ranillugut nuk e kanë parë me prioritet asnjëherë çështjen e transparencës komunale. Në organogramin e këtij institucioni askund nuk haset e themeluar zyra për informim, apo ndonjë person ose departament që është përgjegjës për ushtrimin e këtij funksioni thuhet ndër të tjera në raportin e GAP-it./rajonipress/