Mobi Casa

Ramushi i afrohet LDK-së

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj ka vlerësuar se një koalicion i mundshëm qeverisës me LDK-në do të ishte gjë e mirë për vendin, porse ka shtuar se për një gjë të tillë duhet pritur deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

Lideri i AAK-së, nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të gjitha ato parti që kanë program përafërsisht të njëjtë. Haradinaj këto komente i ka bërë të martën gjatë një konference për shtyp, ku bashkë me nënkryetaren Melihate Tërmkollin, kritikuan qeverinë, duke thënë se në vend që ta reformojnë Administratën Publike, ajo e ka deformuar atë.

“Ne jemi në koalicion me LDD-në. Aktualisht është herët të flasim për zgjedhjet nacionale, por kuptohet partitë që kanë orientime të përafërta ose traditë në partneritet dhe do të ishte në interes një partneritet i tillë në të ardhmen. Mendoj se një koalicion i mundshëm me LDK do të ishte në dobi të vendit”, ka pohuar ai.

Fundamenti

Ai duke komentuar deklaratat e kryeparlamentarit, Jakup Krasniqin, i cili deklaroi dje se marrëveshja e arritur me Serbinë është e dëmshme dhe e pa implementueshme, Haradinaj ka thënë se marrëveshja ka sfidat e veta dhe se zbatimi nuk është i lehtë e as i garantuar, por megjithatë ka shprehur optimizmin se marrëveshja do të implementohet.

“Nuk mund ta quajmë marrëveshjen të mirë dhe të lehtë në zbatim. Pra, ai ka thënë se gota është gjysmë e zbraztë, ndërsa unë po them se gota është gjysmë e mbushur. Marrëveshja ka sfidat e veta dhe jemi të vetëdijshëm për këtë se zbatimi i marrëveshjes nuk është i garantuar. Megjithatë, kam optimizëm se me këtë marrëveshje do të shtrijmë juridiksionin në veri”, ka pohuar ai.

Haradinaj, gjithashtu, ka thënë se kjo marrëveshje do të bëjë të mundshme organizimin e zgjedhjeve në veri dhe, po ashtu, do ta normalizojë gjendjen atje. /Kosovapress/