RCCOLA

Ramiz Krasniqi: Në Austri do të dëshmojmë se dimë të luajmë futboll

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Ekspedita e futbollistëve të Përfaqësueses U19, pas grumbullimit tre ditor sot në orët e pasditës do të nisen në shtetin e Austrisë në qendrën sportive ‘Leogang’, për të zhvilluar ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Evropian i cili do të mbahet në Finland.

Siç dihet Përfaqësuesja e Kosovës është në grup me Austrinë, Izraelin dhe Lituaninë.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës u19, Ramiz Krasniqi, me stafin e tij punues Nazmi Ramën dhe Xhelal Karabegun, tani e një kohë të gjatë janë në kërkim të futbollistëve më të mirë, që në mënyrë sa më të denjët të paraqitet në këto eliminatore të Evropianit.

“Mund të them lirisht, me stafin tim punues tani e një vit kemi pasur grumbullime të shumta me shumë futbollist, i kemi testuar si në përgatitjet fizike, teknike dhe gjatë ndeshjeve kontrolluese kemi arritur në përfundim se këta janë futbollistët më të mirë që kemi pasur rastin ti kemi në dispozicion, këta do të jenë futbollistët që do ta mbajnë barrën gjatë tri ndeshjeve eliminatore në shtetin e Austrisë”, ka theksuar Krasniqi.

Uji Dea

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll u19, Krasniqi ka bërë të ditur se sot në orët e pasditës do të udhëtojnë drejt Austrisë, me shpresa të mëdha për rezultate pozitive.
“Tani e tri ditë jemi në grumbullimin e fundit për të parë edhe njëherë nga afër formën e futbollistëve, jam i kënaqur me paraqitjet e tyre ndërsa në mesin tonë kemi edhe disa futbollist që luajnë në Ligën e Kampionëve dhe në skuadrat e para të Ligës së Kosovës, do të komponojm një formacion të arsyeshëm dhe të shohim se si do të paraqitemi, me rëndësi të madhe është se nuk kemi lëndime të futbollistëve dhe udhëtojmë me mjaft optimizëm pasi kemi një atmosferë të mirë brenda futbollistëve”.

Përzgjedhësi Krasniqi ka falënderuar të gjithë futbollistët për angazhimin e tyre gjatë grumbullimeve tani e një kohë të gjatë.
“Çdo futbollist e falënderoj për angazhimet e tyre në grumbullimet që kemi pasur, kanë treguar se janë talent dhe futbollist të mirë, por pasi është numri i limituar i shkuarjes në Austri kemi përzgjedhur më të përgatiturit për momentin, ndërsa ata që nuk kanë mundur të na bashkohen kësaj radhe ju uroj suksese në karrierën e tyre futbollistike”.

Puna e cila është bërë me këtë grupmoshë të futbollistëve ka qenë tejet profesionale, andaj shpresojmë se në mënyrë dinjitoze futbolli i Kosovës do të përfaqësohet duke dëshmuar se edhe ne kemi kualitet dhe njerëz që e duan futbollin për të mirën e futbollistëve dhe të vendit tonë./rajonipress/