Ramadani: Shumë biznese individuale po mbyllen

Gjilan – Ramiz Ramadani tha se zhvillimi ekonomik në Gjilan ka ngec veçmas pas privatizimit të ndërmarrjeve të cilat lanë të papunë mijëra punëtorë që ishin duke punuar në to, ku nga ndërmarrjet e privatizuar deri sot asnjë nuk është funksionale në përjashtim të fabrikës së radiatorëve, e cila numëron mbi 250 punëtor me të ardhura solide.
Ramiz Ramadani nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik dhe Agrokulturë i Degës së LDK-së tha se Komuna e Gjilanit si qendër regjionale kufizohet me Kumanovën dhe Preshevën, prandaj gëzon një pozitë të veçantë si një komunë kufitare dhe një udhëkryq me mundësi vërtet të mira për shkëmbime dhe tregti. Është qendër e rëndësishme,meqë gjendet në udhëkryqin e rrugëve magjistrale që lidhen me Prishtinën, Ferizajin, Preshevën dhe Bujanovcin.
“Zhvillimi Ekonomik i komunës së Gjilanit bazohet në të dhënat, kompetencat, përgjegjësit, nevojat dhe orientimet për të ardhmen e Ekonomisë së komunës, duke u bazuar në traditën e zhvillimit ekonomik si dhe në resurset natyrore dhe në resurset humane me qëllim të një zhvillimi më dinamikë, të vendeve të reja të punës dhe uljen e shkalles së papunësisë e që njëherit është synim kryesor i LDK – së për periudhën e ardhshme qeverisëse ne Gjilan”.
Ramadani tha se zhvillimi ekonomik në Gjilan ka ngec veçmas pas privatizimit të ndërmarrjeve të cilat lanë të papunë mijëra punëtorë që ishin duke punuar në to, ku nga ndërmarrjet e privatizuar deri sot asnjë nuk është funksionale në përjashtim të fabrikës së radiatorëve, e cila numëron mbi 250 punëtor me të ardhura solide.
Gjithashtu edhe kompanitë tjera të privatizuara si Çeliku, INTEGJ, Agrokultura, IBG – bateri, e shumë tjera, nuk janë duke funksionuar ose janë shndërruar në qendra tregtare dhe e kanë humbur destinimin për të cilin janë krijuar.
Ramadani tha se shifrat e ndryshme në komunën e Gjilanit flasin për, 48.2, për qind të qytetarëve janë të papunë, kryesisht të rinj që është një tregues se ekonomia Gjilanase është shumë më keq se asnjëherë më parë deri në këtë kohë, ku numri i të rinjve të diplomuar gjithnjë e më shumë e lëshojnë Gjilanin, kërkesat për asistencë sociale në rritje dhe varfëria shumë më e lartë, kjo për pasojë të mungesës së zhvillimit ekonomik, mos realizimit të një strategjie të qartë ekonomike – sektoriale, mos subvencionimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në sektorë të ndryshëm, e sidomos ato të zejeve, agrare etj. Mungesa e kushteve jo favorizuese për investitorët e jashtëm, brendshëm dhe mërgimtarëve. “Qytetarët e Gjilanit edhe pse janë taksapaguesit më të mirë dhe më të rregullt për vite të tëra në Kosovë, padrejtësisht janë përjashtuar nga të gjitha projektet kapitale zhvillimore të cilat krijojnë mundësi për zhvillim dhe punësim të qytetarëve”.
Sipas Ramadanit dukuri shumë shqetësuese kohëve të fundit është mbyllja e bizneseve individuale të cilat nuk po arrijnë t`i përballojnë ekonomisë së egër të qendrave tregtare, të cilat mallrat i japin në aksion pa asnjë kriter, shpeshherë me afate të skaduara dhe nën çmimin e kostos. “Mos investimi në zonat dhe parqet industriale, dhe për më keq barta e tyre në zabelin e Koznicës në Artanë. Inkubatori i biznesit është shumë pasiv dhe asnjëherë nuk po e kryen rolin për të cilin është destinuar. Ndarja jo adekuate e buxhetit nga granti Qeveritar për komunën e Gjilanit, e shumë e shumë lëshime tjera” tha Ramadani.
Ramadani mendon se baza e zhvillimit ekonomik është ngushtë i lidhur me zhvillimin e shumë sektorëve të përbërë prej veprimtarive të ndryshme: planifikuese – ndërtuese, bujqësore, pylltarisë, industrisë, veprimtarive shërbyese, komunikacionit dhe informatikës, veprimtarive hotelierike – turistike, etj. “Forma e këtillë e radhitjes së sektorëve mundëson zhvillimin real ku secili sektor paraprakisht e mundëson dhe formon bazën e shëndoshë për zhvillimin e sektorëve të tjerë në radhë. Strategjia e zhvillimit ekonomik Komunal imponon që plani gjeneral dhe ai rregullues si dhe infrastruktura e zgjidhur në kuadër të këtij plani të jenë një prej parakushteve kryesore me rëndësi dominante në zhvillimin ekonomik të planifikuar të një vendi”.
Duke folur për sektorin e bujqësisë Ramadani tha se edhe ato pak ndihma që janë shpërndarë nuk u janë dhënë bujqve meritor, por kryesisht militantëve të PDK-së./rajonipress/