Ramadani: Rënia e të infektuarve na jep shpresë, ata që kritikuan do të skuqen

Rënia e numrit të të infektuarve dhe atyre me fatalitet, ka bërë që epidemiologët në Institutin Kombëtar i Shëndetit Publik të ndihet sado pak të lehtësuar.Ndonëse kanë punuar me orë të tëra, drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, në një intervistë për Ekonomia Online se me përpjekjen e mbinatyrshme të epidemiologëve dhe të gjithë profesionistëve shëndetësor, kanë arritur ta ulin lakoren e të infektuarve.

“Që nga fillimi i pandemisë ne jemi duke punuar pa ndërprerë dhe në këtë rast kemi pasur storie të fillimit ku lakorja epidemiologjike ka qenë tejet e ulët dhe pastaj një eufori e qershorit ose lirimi i masave pa kontroll i disa institucioneve të cilët na kanë shkaktuar rriten e numrit të rasteve dhe fatkeqësisht me të edhe rastet fatale”, thotë ai.

“Por me përpjekjen e mbinatyrshme të epidemiologëve të IKSHPK-së dhe të gjithë profesionistëve shëndetësor në Kosovë kemi arritur që prapë të përmbysim lakoren, dhe e keni parë që dy javët e fundit kemi lakore tejet të ulët që nënkupton se kemi 52 raste në 100 mijë banorë që është standardi, që ne mund të lëvizim tashmë lirshëm në çdo shtet të botës duke mos shkaktuar probleme në infeksion, pasi që lakorja epidemiologjike është e ulët”, thotë Ramadani.Shpesh herë kanë qenë në thumb të kritikave, e kjo gjë thotë se nuk i ka penguar që ta kryejnë punën në mënyrë profesionale.

Apeli i tij është që mos të kritikohen punëtorët shëndetësor, pasi sipas tij, e kanë vënë në rrezik jetën e tyre.“Kur thuani kritikat edhe ato mund të jenë me dy shkaqe me arsye dhe pa arsye. Unë nuk dua ta analizoj se a ka pasur arsye apo jo por që ta analizoj secili që ka bërë kritika dhe ta mbaj në ndërgjegje për atë që ka thënë”.“Ne nuk jemi ndalur për çfarë do lloj kritike që ka pasur, profesionistët shëndetësor nuk mund të kritikohen sepse ata janë në shërbim të jetës, ata e kanë vënë në rrezik jetën e tyre për të shpëtuar popullin dhe çdo kritikë pozitive apo kanë kritikë me arsye mund t’i thërrasin dhe e kanë derën e hapur në IKShPK që të ndihmojnë në çdo kohë me atë që dinë dhe munden por jo kritikojnë nga ana dhe pa arsye”, u shpreh ai për EO.

Teksa ka folur për Coronavirusin në Kosovë, Ramadani thotë se kanë qenë aktiv që nga marsi kur janë paraqitur rastet e para në vend.Me këtë rast, ai ka drejtuar kritika ndaj atyre që kanë dyshuar në punën e tyre, teksa thotë se një ditë do të skuqen për deklaratat që i kanë bërë për gjatë pandemisë, raporton EO.

“Ne mund të themi në punën tonë jemi të mbingarkuar që nga janari dhe nga 13 marsi me paraqitjen e rastit të parë. Ne kemi qenë të mbingarkuar por gjithmonë brendinë tonë profesionale dhe etike kemi qenë të lehtësuar se po bëjmë një punë të shenjtë në mbrojtje e populli nga një epidemi e panjohur”“…por ky lehtësim praktikisht neve na ka ngarkuar kohë pas kohe me presione të jashtëzakonshme të natyrave të panjohura të cilat do të shpjegohen një ditë, por që dikush do të skuqet për këtë por që ne nuk do të ndalemi dhe intensiteti i punës sonë pavarësisht nga lakorja epidemiologjike që e keni parë me rënie dhe ngritje nuk ka ndikuar në vetëkënaqësinë tonë dhe në rënien e motivimit por përkundrazi na ka motivuar më tepër, jemi më të fortë, më të konsoliduar edhe pse ekipi i dhomës operative tashmë nga shkurti punon i njëjti ekip nga 15 deri 20 orë”, thotë Ramadani.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).