Mobi Casa

Ramadani: Qeverisja e keqe, opozitën e ‘përçau’ ëndrra për konflikt, zgjedhjet sivjet!

/ 15 minuta lexim
Uji Dea

Kosova ka vërtetë një qeverisje të keqe, por assesi okupatore. Një betejë opozitare, mbi të gjitha nënkupton betejë të ideve dhe koncepteve për qeverisje të mirë. Jo betejë personale, aq më pak betejë fizike apo familjare.Zgjedhje të parakohshme besoj se do të ketë. Ato më mirë të mbahet sivjet! Besoj se ndryshe do të jenë rezultatet nëse zgjedhjet mbahen gjatë vitit 2016, ndryshe në vitin 2017 dhe krejt ndryshe do të jenë në vitin 2018.

Gazin lotësjellës në Kuvend nuk e imagjinova dot në mandatin e kaluar. Ide dhe tentime për përdorimin e mjeteve joparlamentare ka pasur edhe në mandatin e kaluar, por kjo ishte logjikë e izoluar veprimi politik.

Një momentum i ri mund të krijohet përmes angazhimit masiv qytetar, qartësimit të së ardhmes institucionale dhe arritjes së mbështetjes ndërkombëtare për opsionin tjetër.

Thaçi është zgjedhur president i Kosovës, por legjitimiteti i tij është i zbehur. Është e Thaçit tash të dëshmojë nëse do të jetë President apo do të jetë edhe më tutje një kundërshtar politik.

Kosova ka nevojë për një Qeveri shumë më të vogël, jo më shumë se 12 ministri për shembull, më dinamike, e cila do të ishte e guximshme për të hyrë në reforma të thella.

Kosova dhe Serbia duhet të nënshkruajnë së pari Marrëveshjen e Madhe të Paqes dhe Njohjes, pastaj të merren me temat e ndryshme që do të normalizonin marrëdhëniet mes vete.

Deri më tash, edhe në Ballkan ekstremizmi i dhunshëm është i importuar, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme. Porse, shqetësimi im është me mundësinë e ndërlidhjes së diskursit ultra-nacionalist me diskursin e ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.

Aktiviteti i përditshëm në Kuvend dhe në publik kishte nxitur çuditshëm njëfarë ndjenje revanshi të pashembullt dhe të personalizuar brenda strukturave përfituese partiake, që betejën politike e perceptojnë vetëm si të brendshme. Kam lëshuar rrugë. Por, kam kaluar në raport këshillues në tema të sigurisë me Ramush Haradinajn.
Për këto dhe të tjera flet në një intervistë për Indeksonline Burim Ramadani, ish-deputet dhe njohës i çështjeve të sigurisë.

Sipas jush, kush është “fajtor” për përçarjen e opozitës së bashkuar?

Burim Ramadani: Tek opozita ka ekzistuar një fazë fillestare e bashkimit, në atë që quhej “bashkim për të kundërshtuar”.
Por, ka qenë e parashikueshme se është tejet problematike koha kur mund të kalohej në temën e “imponimin” e ideve dhe metodave.
Bashkimin e mëtutjeshëm të opozitës e ka përçarë tentimi për thellimin e përdorimit të mjeteve jokonvencionale si mjet politik, përkatësisht ajo që disa vet e quajtën “plane shtesë”. E përçau ëndrra për konflikt shoqëror!

Këto “plane shtesë” nuk ishin dhe as nuk janë të pranueshme. Madje, të dënueshme si për nga forma, nga përmbajtja, motivi dhe qëllimi i tyre. Sepse, Kosova ka vërtetë një qeverisje të keqe që duhet të ndrrohet, por assesi okupatore që duhet të luftohet.

Opozitën në fillimet e saj të bashkimit e ka përçarë mesazhi agresiv publik, i gabueshëm në bindjen time, dhe qëllimi i njëanshëm për të ndërtuar situata konfliktuoze të rënda si rrugë politike, pas së cilës do të rritej ndikimi politik i një strukture të izoluar me premisa serioze anti-globaliste në Kosovë.
Stadi kur njëra parti opozitare dhe disa individë në parti tjera e kanë menduar si momentin më të volitshëm dhe të ëndrruar gjatë për situata të thella konfliktuoze në shoqërinë kosovare, ka qenë në të njëjtën kohë edhe stad i reflektimit të partive tjera opozitare, të cilat as nuk kanë qenë dhe as nuk janë të indoktrinuara nga e ashtu-quajtura ‘nevoja për konflikt shoqëror’ si mjet politik.

Mendoj se e tërë kjo që ka ndodhur, sidomos javëve të fundit, edhe njëherë e ka rikonfirmuar një definim të thjeshtë në dukje:
Skena politike në Kosovë përbëhet:
Nga partitë që qeverisin;
Nga partitë që synojnë të qeverisin; dhe
Nga ata që as nuk duan të qeverisin dhe as nuk duan të qeverisen.
A e ka humbur opozita betejën disa mujore, me vendimet e kohëve të fundit dhe deklaratat e zyrtarëve?
Burim Ramadani: Një fazë e re e betejës opozitare mund të fillojë, duke mos iu shmangur kauzave të deklaruara, sidomos pasi që dy parti opozitare kanë ndërtuar një koalicion opozitar.
Një betejë opozitare nënkupton betejë të ideve dhe koncepteve për qeverisje të mirë, stabilizuese, zhvillimore dhe integruese. Jo betejë personale, aq më pak betejë fizike apo familjare.
Këtë nuk e kemi parë nga opozita deri më tash, fatkeqësisht.
Por, tash AAK dhe NISMA duhet të dalin me program dhe politika të dallueshme nga Qeveria, nëse duan të avancojnë në betejën opozitare, dhe të dalin me mesazhe stabiliteti dhe sigurie kombëtare, nëse duan kenë rol institucional në Kosovë.
Opozita, ashtu sikurse ishte deri më tash, vetëm i ka mundësuar Qeverisë që të pretendojë dallimin midis “të tashmes së keqe” dhe “të ardhmes së rrezikshme”.
Sigurisht se zgjedhja midis “të keqes” dhe “të rrezikshmes” nuk i ka ndihmuar fare opozitës.
Beteja opozitare mund të kthehet në sukses vetëm atëherë kur mbizotëron racionaliteti politik dhe atëherë kur zvogëlohet deri në zhdukje paparashikueshmëria e politikave nacionale.
Tashmë, mua më duket se kjo paparashikueshmëri është mjaft e vogël në krahasim me atë që ishte pak javë më herët dhe si tillë mund të krijojë ambient më të përshtatshëm për zgjedhje.

A prisni zgjedhje së shpejti?
Burim Ramadani: Zgjedhje të parakohshme besoj se do të ketë. Ato më mirë të mbahet sivjet! Por, rrëfimi për zgjedhjet duhet të ndërtohet si i plotë.
Kush dhe si e ndërton rrëfimin për zgjedhjet e parakohshme? Ky është çelësi i mundësisë së organizimit të zgjedhjeve të parakohshme. Në mungesë të këtij rrëfimi, zgjedhjet mbahen në afatin e paraparë kushtetues.
Partitë opozitare e kanë ndërtuar një pjesë të rrëfimit. Sërish, themelimi i koalicionit opozitar, ditëve të fundit, e ka filluar një ambient më të pranueshëm për tërësinë e rrëfimit të zgjedhjeve të parakohshme.
Pjesën tjetër të rrëfimit për zgjedhje të parakohshme mund ta ndërtojnë njëra prej partive në pushtet apo edhe të dyja partitë kryesore në pushtet njëkohësisht.

Nëse do të shkohej në zgjedhje, kush do të fitonte sipas jush?

Burim Ramadani: Mendoj se rezultatet e zgjedhjeve do të varen, mbi të gjitha, në dy faktorë tejet vendimtarë:
Së pari, koha kur do të mbahen zgjedhjet e parakoshme. Besoj se ndryshe do të jenë rezultatet nëse zgjedhjet e tilla mbahen gjatë vitit 2016, ndryshe në vitin 2017 dhe krejt ndryshe do të jenë rezultatet nëse zgjedhjet mbahen në kohën e rregullt, përkatësisht në vitin 2018. Dhe, në këtë analizë, secila parti dhe sidomos këto në pushtet do të nxjerrin pozicionin e tyre sa i përket kohës së zgjedhjeve.
Së dyti, cili do të jetë rrëfimi për zgjedhjet? Çka do të jetë tema kryesore e diskursit publik të partive politike dhe çka do të jetë tema kryesore e diskursit brenda strukturave organizative të partive? Nëse do të shkohet në zgjedhje për shkak të dështimeve të tashme, për shkak të sfidave të ardhshme apo për shkak të të dyjave!

Përdorimi i gazit lotsjellës në sallën ku mbahen seancat plenare të Kuvendit, sipas jush, a ka pasur efektin e duhur?

Hidromorava

Burim Ramadani: Nuk kam mundur ta imagjinojë dot mbizotërimin, qoftë të përkohshëm, të ideve për përdorimin e mjeteve të tilla në Kuvend.
Ide dhe tentime për përdorimin e mjeteve joparlamentare ka pasur edhe në mandatin e kaluar, por kjo assesi nuk ishte logjikë e pranueshme. Në atë kohë, ishte logjikë e izoluar veprimi politik.
Në bindjen time, gazi nuk ka dhënë efekt pozitiv. U takon strukturave të partive opozitare vet ta bëjnë vlerësimin me gjakftohtësi. Tash, shpresoj se do t’i takojë së kaluarës dhe arkivit, si një ëndërr e keqe kosovare.
Mbi të gjitha, përdorimi i gazit lotësjellës në Kuvend nuk ishte ndonjë moment kulminant dhe i kthesës. Në fakt, u pa në publik si një paralajmërim për mjete tjera jonkonvencionale në politikë.

Po protestat e organizuara nga opozita disa herë radhazi në rrugët e kryeqytetit?

Burim Ramadani: Protestat më të mëdha në historinë e Kosovës pas çlirimit kanë ndodhur në këtë vit. Më 9 janar dhe më 17 shkurt, protestat e organizuara nga opozita kanë qenë jashtëzakonisht masive.
Kjo ka qenë rruga që është dashur të zgjedhej prej fillimit. Protesta paqësore për të ngritur zërin e qytetarëve, në intervale më të shpeshta kohore, deri në krijimin e ambientit të përshtatshëm politik për zgjedhje të parakohshme. Kaq.
Protesta e 14 majit mund të sipërfaqt pikërisht këtë mundësi. Pra, që zëri i qytetarëve të dëgjohet përmes një proteste qytetare, paqësore dhe të dinjitetshme. Normalisht, pa “plane shtesë”!
Një momentum i ri mund të krijohet përmes angazhimit masiv qytetar, qartësimit të së ardhmes institucionale dhe arritjes së mbështetjes ndërkombëtare për opsionin tjetër të qeverisjes.
Nuk ndërtohet momentumi i ri përmes fjalorit të rëndë, nxitës, kërcënues dhe paralajmërues për eskalim të situatës. Të paktën, në aso situatash nuk ka momentum për zgjedhje të parakohshme.
Diskursi që disa në opozitë zgjodhën ishte i gabuar. Ndokush edhe mund ta ketë menduar e besuar thellë atë diskurs konfliktuoz, por qartësisht jo të gjithë. Këtu edhe ekziston dallimi substancial dhe konceptual.
Si e vlerësoni zgjedhjen e Hashim Thaçit president, derisa në sallë po hidhej gaz kurse jashtë po protestohej?

Burim Ramadani: Thaçi është president i Kosovës. Por, legjitimteti i tij si President është i zbehur. Sidoqoftë, është zgjedhur në Kuvend nga deputetët. Kjo është premisa e parë.
Premisa e dytë është qasja e tij ndaj skenës politike dhe e skenës politike ndaj tij. Kjo është çështje që do të vërehet shumë shpejt. Nuk kërkon kohë të gjatë.
Ndërsa, protesta jashtë Kuvendit ndaj zgjedhjes së Thaçit për president është legjitime.
Porse, sërish gazi lotësjellës në Kuvend edhe në atë seancë nuk ka dhënë efekt apo jo? Nuk ka ndalur zgjedhjen e presidentit, nëse ky ka qenë qëllimi, dhe, në të vërtetë, as nuk do të duhej të mendohej se mundej ta ndalte.

Nëse jo Thaçi, kush do të ishte personi i duhur për këtë post?

Burim Ramadani: Mendoj se Kushtetuta e Kosovës e kërkon që Presidenti të mos jetë kundërshtar politik në skenën politike. Pra, që të ketë shkallë të gjerë të konsensualitetit, jo vetëm sa i përket numrave në Kuvend, por sa i përket ndërvperimit të organizatave politike.
Sidoqoftë, është e Thaçit tash të dëshmojë nëse do të jetë President apo do të jetë edhe më tutje një kundërshtar politik. Sepse, legjitimiteti i tij si president, që është çështje e ndryshueshme, varet në masë të madhe nga vet ai. Pra, a do të vazhdojë të jetë një kundërshtar politik?!

Si e vlerësoni qeverisjen e kryeministrit Isa Mustafa gjatë këtyre dy viteve?

Burim Ramadani: Qeveria është e madhe, shpenzon shumë dhe nuk ofron dinamikë të pranueshme për nevojat e qytetarëve dhe të shtetit. Qytetarët kanë tjera nevoja, Qeveria ka tjera synime.
Është Qeveri mashkullore, pra nuk përfaqëson as barazinë gjinore, dhe është jotransparente. Është Qeveri pa objektiva të qarta. Realisht, nuk mund të precizohet se cili apo cilat janë objektivat kryesore të Qeverisë.
Të thuash se kjo Qeveri e lufton krimin e organizuar dhe korrupsionin? Jo.
Të thuash se kjo Qeveri po zhvillon ekonominë? Jo.
Të thuash se kjo Qeveri po e zhvillon cilësinë në arsim apo shëndetësi? Jo.
Të thuash se kjo Qeveri po bën reforma në Administratën Publike, si shembull? Jo.
Të thuash se kjo Qeveri po depolitizon institucionet e pavarura? Jo.
Të thuash se kjo Qeveri po e fuqizon statusin e Kosovës në rajon dhe botë? Jo.
Thjesht, është një qeveri rutinore, sa për të pasur qeveri. Jo për më shumë. Jo për të nxitur ndonjë pritje nga qytetarët apo partnerët e Kosovës.
Në të vërtetë, Kosova ka nevojë për një Qeveri shumë më të vogël, jo më shumë se 12 ministri për shembull, më dinamike, e cila do të ishte e guximshme për të hyrë në reforma të thella, në depolitizim të arsimit dhe institucioneve të pavarura, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në përballjen me narrativitin e ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.

E kam vërejtur se Qeveria thotë që është penguar nga opozita. Është e vërtetë. Opozita ka qenë pengesë e kësaj Qeverie. Por, pengesë për çka? Për cilin plan që ka mbetur i parealizuar për shkak të opozitës?

Për shembull, Qeveria nuk e ka ndier pengesën e opozitës për të emëruar milinant partiak në bordet e institucioneve të pavarura apo jo?
Cila është zgjidhja e duhur për të dal nga kjo gjendje Kosova?
Burim Ramadani: Gjendja në të cilën është Kosova për muaj të tërë mund të tejkalohet përmes një marrëveshjeje ndër-partiake për të organizuar zgjedhjet e parakohshme, ku do të mund të precizoheshin disa procese të rëndësishme.
Një Kod i Mirësjelljes në zgjedhje, për shembull, është një pikë e domosdoshme e një marrëveshjeje të tillë ndër-partiake.

Si e vlerësoni dialogun Prishtinë-Beograd?

Burim Ramadani: Dialogu duhet të ketë piramidë tjetër sa i përket temave. Pra, Kosova dhe Serbia duhet të nënshkruajnë së pari Marrëveshjen e Madhe të Paqes dhe Njohjes, pastaj të merren me temat e ndryshme që do të normalizonin marrëdhëniet mes vete.
Kosova ka interes nacional në dialogun me Serbinë. Këtë nuk duhet të frikësohemi ta themi hapur. Interesi nacional është paqja dhe njohja nga Serbia. Pastaj, temat që kanë të bëjnë me marrëdhëniet në praktikë janë të rëndësishme dhe duhet zgjidhur. Porse, nuk mund të zgjidhen temat e përditshme pa pasur marrëveshje për paqen midis dy shteteve dhe marrëveshje për njohjen e shtetësisë së Kosovës nga Serbia.

A është Kosova e rrezikuar nga terrorizmi?

Burim Ramadani: Rreziku nga terrorizmi është një prej rreziqeve kryesore me të cilat përballet Kosova, rajoni dhe Evropa. Besoj se Kosova është e rrezikuar nga terrorizmi në nivel të njëjtë me shtetet e rajonit.
Deri më tash, edhe në Ballkan, edhe në Kosovë ekstremizmi i dhunshëm është i importuar, kryesisht nga vendet e Lindjes së Mesme.
Porse, shqetësimi im është edhe me mundësinë e ndërlidhjes së diskursit ultra-nacionalist me diskursin e ideologjisë së ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm. Në atë situatë, ndarja mes asaj që është kombëtare dhe asaj që është ideologji ekstremiste fetare do të ishte shumë e vështirë të bëhet.
Kjo do të mund të shkaktonte njëlloj ekstremizmi origjinal të Ballkanit, ku organizatat ekstremiste e terroriste do të shfrytëzonin narrativin e problemeve ndër-etnike në Ballkan.

Keni qenë deputet aktiv në mandatin e kaluar! A e keni vlerësuar ndonjëherë pse keni humbur zgjedhjet?

Burim Ramadani: Nuk kam kursyer asnjëherë angazhimin gjatë mandatit tim. Madje, një prej arsyeve që më vonë e kam parë ishte se aktiviteti i përditshëm në Kuvend dhe në publik kishte nxitur çuditshëm njëfarë ndjenje revanshi të pashembullt dhe të personalizuar brenda strukturave përfituese partiake, që betejën politike e perceptojnë vetëm si të brendshme.
Kjo mund të shpjegohet ndoshta me një mbizotërim të mentalitetit provincial tek një pjesë apo disa individë në strukturat përfituese partiake.
Sepse, në pothuajse të gjitha partitë në Kosovë ekzistojnë tri lloj strukturash: ndërtuesit, promovuesit dhe mbrojtësit platformës politike; strukturat përfituese të brendshme; dhe aktivistët idealistë.
Dhe, dallimi mes tyre është disi kësisoj: ndërtuesit e platformës politike kanë beteja me partitë tjera; strukturat përfituese kanë beteja më ndërtuesit e platformës politike; ndërsa aktivitët idealistë janë gjithsesi të lidhur me lidershipin.
Sidoqoftë, kam lëshuar rrugë, por kam kaluar në raport këshillues në tema të sigurisë me Ramush Haradinajn. /Indeksonline/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.