Ramadani: Kemi përkrahur fermerët dhe të gjitha sferat e bujqësisë

Gjilan – Komiteti për Zhvillim Ekonomik është njohur të premten me punën e 6-mujore të Drejtorive për Bujqësi dhe asaj për Zhvillim Ekonomik. Duke folur për punën e bërë në sektorin e bujqësisë, Ramiz Ramadani ka thënë se nga muaji janar e deri më tani janë mbajtur 8 trajnime, ku janë përfshirë mbi 400 fermerë.
Gjithashtu, kjo drejtori iu është përgjigjur të gjitha kërkesave të fermerëve, aty ku ka pasur mundësi.
Fermerët janë ndihmuar në kompletimin e dokumentacionit të nevojshëm për subvencionet e MBPZHR, ku kanë aplikuar 787 bujq. Për lopë qumështore kanë aplikuar 222 fermerë, për dele – 52, për dhi – 20, për derra – 9, për bletë – 34.
Interesim të madh ka pasur edhe për kulturat lavërtare dhe perimore. Për farë gruri kanë aplikuar 331 fermerë, për misër – 101, për patate – 4, për fasule – vetëm 1, për shalqi – 4 fermerë.
Komuna e Gjilanit ka krijuar një grup punues, ku përfaqësohen edhe kompanitë bujqësore, shkolla e mesme bujqësore, kombajnerët, shoqëria civile dhe të tjerë dhe që ka për detyrë ndërtimin e një strategjie të përbashkët zhvillimore të sektorit të bujqësisë.
Sa u përket projekteve të realizuar në këtë fazë, Ramadani ka thënë se sivjet, në bashkëpunim me Karitasin e Luksemburgut janë shpërndarë 10 kultivatorë për fermerët e fshatrave Gadish, Kishnapole dhe Sllkoc si dhe mekanizëm shtesë për 30 fermerë të tjerë kësaj Malësie.
Ndërkaq, foli plastike kanë përfituar 307 fermerë të Gjilanit. Vlera e projektit është 15 mijë euro. Kurse me shtëpiza për bletë janë subvencionuar 104 bletarë, të cilët kultivojnë deri në 30 shoqëri bletësh.
Në bashkëpunim me qeverinë e Tirolit austriak dhe në partneritet me fermerët është përfunduar projekti i ujitjes së 6 hektarëve me pemishte në fshatin Përlepnicë. Tani është
proces realizimi i projektit të serrave komerciale, ku do përfitojnë 16 prodhues të perimeve.
Komuna e Gjilanit ka përkrah me farë edhe kultivuesit e misrit, me një sasi prej 650 thasëve, ku përfitues kanë qenë 348 fermerë.
Por, bujqësia ka pasur edhen dëme nga vërshimet. Komisioni ka konstatuar se dëmet e përgjithshme në kulturat bujqësore kapin vlerën 75,446 euro. Ramadani është pesimist sa i përket kompensimit të dëmeve nga Ministria e Bujqësisë, meqë deri tani nuk është përgjigjur në kërkesën zyrtare të pushtetit lokal, edhe pse vlerësimi është shumë real.
Ramadani ka prezantuar edhe një raport të shkurtër për korrje-shirjet, duke nënvizuar se rendimentet janë nën ato që janë pritur, por që sillen në mesataren e Kosovës – rreth 4.500 kg për hektarë.
Ai ka thënë se Gjilani nuk ka tokë të mjaftueshme për t`i plotësuar nevojat e popullatës së saj me bukë, por në të ardhmen duhet të praktikohen cvaritete të farërave të drithërave që japin rendimente më të larta./rajonipress/