RCCOLA

Ramadani: Gratë nuk duhet të heshtin nga gjërat e servuara

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan -Fuqizimi i zërit të gruas dhe roli i saj aktiv në shoqëri janë aspekte thelbësore që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e vendit, në ndërtimin e paqes dhe në anëtarësimin e integrimet në BE ka thënë Shukrije Ramadani.

Në kuadër të muajit të mërgimtarëve, në selinë e LDK-se – dega ne Gjilan, ka vazhduar aktiviteti me debatin e radhës me temën: “Roli i Gruas në Integrim”.

Tryezën e hapi deputetja e Republikës se Kosovës Lirie Kajtazi– kryetare e Forumit të Gruas të LDK-se, e cila ka falënderuar mërgimtarët për kontributin e tyre para dhe gjatë luftës, si dhe foli për kontributin e jashtëzakonshëm të mërgimtarëve tanë të cilët vazhdimisht kontribuuan në shtet formimin e Republikës Kosovës.

LDK vazhdimisht në programin e saj hapësirë të theksuar i ka dhënë lehtësimit të jetës për diasporën në vendet ku janë dhe krijimin e kushteve dhe pritjen e tyre sa më të mire, qoftë për investime dhe jetesë duke i hequr barrierat për ardhjen e tyre këtu qoftë në vizita të shkurtra ose rikthim ka thënë Kajtazi.

Shukrije Ramadani nga ministria e diasporës ka folur për rolin e gruas në shoqëri si dhe për kontributin e grave të cilat jetojnë në mërgatë.

Ramadani ka thënë se “Dora që përkund djepin lëviz botën”,andaj gratë janë force dhe energji e vazhdueshme. Fuqizimi i zërit të gruas dhe roli i saj aktiv në shoqëri janë aspekte thelbësore që ndikojnë drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe qëndrueshmërinë e vendit, në ndërtimin e paqes dhe në anëtarësimin e integrimet në BE ka thënë ajo.

Jemi në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, jemi në një vit historik jo vetëm për Shqipërinë por për tërë kombin tonë. Në këtë 100 vjetor të gjithë do të përkulen me nderim në Vlorë jo vetëm para veprës së Ismail Qemailit dhe Isë Boletinit, por edhe para duarve të Marigosë e cila e qëndisi atë flamur me dashurinë e përkushtimin e të gjitha vajzave dhe grave , të cilat për dekada të tëra kontribuuan për forcimin e shtetit tonë.

Nënat tona mësuan të jemi të heshtura, stoike të moralshme dhe të drejta! Po, a mjafton kjo për të treguar se jemi pjesë e zhvillimeve dhe e ndryshimeve shoqërore? Unë them jo. Nuk mund të ndihmojmë me heshtjen dhe pranimin e gjërave të servuara nga burrat, të cilët na shohin si gjini e dobët dhe si stoli e njerëzimit ka nënvizuar Ramadani.

Hidromorava

Ramadani ka thënë se gratë kënaqen me këto pak të drejta që na ofrojnë bijtë, bashkëshortët tanë dhe themi kemi arritur mjaftë nëse 30% përfaqësohet në Qeveri. A është kjo e drejtë? A jemi aq të paafta, sa vetëm kaq mundë të vlejmë për ndërtimin e shtetit?!

Ç është më e keqja as ky 30% i caktuar me Ligj nuk përmbushet, ndërkaq burrat me gojën plot, thonë se në Kosovë gratë kanë të drejta, madje të tepruara!

Ajo që duhet ndryshuar në Kosovë sipas Ramadanit është qasja ndaj gjinisë dhe edukimi i brezave të rinj.” Ne jemi njerëz, andaj si të tillë, edhe para perëndisë dhe para shoqërisë duhet të jemi të barabartë por për diçka të tillë duhet të luftojmë vazhdimisht”.
Gruaja sot është në një mes të zjarrtë: T`i përgjigjet luftës që i takon për prosperitetin e saj. Është qesharake të numërojmë sa femra i kemi në pushtet dhe në vendimmarrje ku kërkohet 30 % e kur dimë se as 10% nga përqindësh nuk janë në vendimmarrje.

Edhe, Shpresë Kurteshi kryetare e Grupit të Këshilltarëve Komunal ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të grave pa dallime partiake për çështjet e rëndësishme për vendin tonë që përmirësojnë jetën e gruas në shoqëri dhe rëndësinë e bashkëpunimit me gratë nga mërgata për të qenë më të fuqishme për të kontribuar bashkërisht në forcimin e shtetit.

Dritë Klaiqi – zyrtare për barazi gjinore në KK-Gjilan tha se gruaja është një faktor shumë i rëndësishëm dhe domosdoshmërish duhet të jetë pjesë aktive e politikave që zhvillohen si në nivel lokal ashtu edhe në nivel qendror.

Këtë tryezë e përshëndeti edhe kryetarja e FG-së nga komuna e Vitisë znj. Fatbardha Emini si dhe shumë pjesëmarrëse të tjera.

Nga pjesëmarrësit pati shumë interesime se çka ofron Ligji për diasporën në lidhje me obligimet e institucioneve tona që ishte njëherit edhe pjesa kyçe e debatit të sotëm në lidhje me detyrat e institucioneve të komunës dhe nivelit qendror./rajonipress/