Ramadan Mehmetit të hënën i ndahet çmimi letrar “Beqir Musliu”

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan- Në një ceremoni solemne të hënën i ndahet çmimi letrar “Beqir Musliu” fituesit të këtij viti Ramadan Mehmetit. Çmimin e ndajnë Ars Club “Beqir Musliu” në bashkëorganizim me Kuvendin Komunal të Gjilanit. Çmimin zyrtarisht e ndanë Qemajl Mustafa.

Të hënën në sallën e Kuvendit Komunal të Gjilanit,zyrtarisht i jepet çmimi letrar “Beqir Musliu”, laureatit të sivjem, shkrimtarit gjilanas, Ramadan Mehmetit raporton rajonipress.

Ramadan Mehmeti, u shpall fitues i këtij çmimi nga juria e përbërë nga Sabile Keçmezi – Basha, shkrimtare dhe historian Nexhat Rexha, kritik letrar dhe poet, Emin Azemi, poet, kritik letrar si dhe botues.

Ndryshe juria është emëruar nga kryetari i komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa.

Në vendimin e jurisë është thënë se Ramadan Mehmeti, troket në botën e letrave shqipe në fund të viteve gjashtëdhjeta, për të ardhur përherë më i formësuar përmes botimeve letrare, nga mesi i viteve shtatëdhjeta e këndej, si në poezi, prozë, prozë poetike e në dramë.

RCCOLA

Pjesë e një brezi shkrimtarësh të shquar nga kjo anë e Kosovës si Beqir Musliu, Mirko Gashi, Musa Ramadani e Ibrahim Kadriu, edhe Ramadan Mehmeti, që këtë vit shënon 65 vjetorin e lindjes dhe 40 vjetorin e krijimtarisë letrare, identifikim të vetin letrar do ta ketë Gjilanin, si një vendlindje mjaftë emblematike, ndërsa parësore në art do ta ketë figurshmërinë, që nga libri i parë, “Jeta pa titull” e deri te ky i fundit, i pabotuar, “Hiri i bozhureve”.

Njeri i urtë, i paimponueshëm, nganjëherë edhe i pavërejtur sa duhet, ai sjell zjarrin e fjalës, atë zjarr që shënon momentet më delikate të historisë, natyrisht me gjuhën e artit, e të cilat i përjetoi dhe, mbijetoi populli ynë, veçmas në poezi, po edhe në prozë si dhe në dy dramat e tij ka thënë në arsyetimin e jurisë Nexhat Rexha

Ndryshe , Ramadan Mehmeti, që prej botimit të veprës së parë, me poezi për të rritur, “Jeta pa titull”, 1977, nuk u ndal së shkruari. Që nga kjo kohë, letërsia për të u bë pjesë e jetës, vetë kuptimi i saj. Me këmbënguljen, durimin, zellin dhe prirjen, që rregullisht e ushqeu me gjetje të reja artistike, letërsisë shqiptare i dhuroi mbi 25 vepra zhanresh të ndryshme.

Ramadan Mehmeti u lind më 20 shtator 1948 në Livoç të Ulët të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prishtinë. Studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Me shkrime letrare merret që nga bankat e shkollës fillore. Është bashkëpunëtor i të gjitha gazetave dhe revistave në gjuhën shqipe.

Shkrimet e tij janë përkthyer edhe në gjuhët rumune, serbe dhe boshnjake dhe është nderuar me shumë çmime letrare./rajonipress/