Ramadan Mehmeti i dhuroi bibliotekës së qytetit 3500 tituj të veprave më të ndryshme letrare

Gjilan – Në kuadër të “Javës së Bibliotekarisë Kombëtare”, sot në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, në Gjilan, në praninë e shumë adhuruesve të librave, është hapur “Këndi i Bibliotekës së shkrimtarit, Ramadan Mehmeti”, gjilanas. Me këtë rast, në këtë eveniment kulturor prezentuan shumë mysafirë nga Bujanoci, Prishtina, Vitia, Kamenica e mese tjera, të cilët, si një, patën rast të dëgjojnë fjalë miradije për autorin në fjalë.

Fillimisht, fjalën e parë e pati Sabit Rrustemi, udhëheqës, i cili tha se, sot e kemi një “ngjarje” në kuadër të “Javës së Bibliotekarisë…”, ku në qendër të këtij manifestimi kulturor, e kemi mikun dhe shkrimtarin mjaft produktiv të anës tonë, Ramadan Mehmeti. “Dani, si shtoi S. Rrustemi,- po lë gjurmë në shumë mese të bibliotekave jo vetëm të qytetit, por edhe të fshatrave të kësaj komune e më gjerë. Është shkrimtar që po mirëpritet nga të gjitha moshat e lexuesve. Ai gjer më tani ka botuar një numër të veprave letare si në prozë, po ashtu edhe në poezi e gjini të tjera letrare”.

Në këtë ngjarje kulturore, me një fjalë përshëndetëse është paraqitur edhe kreu i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i cili tha se, kjo është një ngjarje e shënuar për Gjilanin me rrethinë. Nuk hezitova dhe erdha këtu për të parë nga afër veprat e Ramadan Mehmetit, shkrimtar, i cili, sot, Bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli” po ia dhuron një sasi mjaft të madhe të veprave. Unë e përgëzoj Danin për këtë gjest të jashtëzakonshëm që ka treguar kësaj here, i cili po e pasuron bibliotekën në fjalë. Edhe i ndjeri Beqir Musliu, shkrimtar yni, Gjilanin e ka nderuar si emër dhe si krijues me nam. Lexuesi duhet të jetë i lumtur që dita-ditës, shkrimtarët apo krijuesit po i dhurojnë veprat e tyre për gjeneratat e reja, të cilat do të kenë mundësi t’i shfletojnë këtë pasuri të dijes së këtyre autorëve. Urime Dan këndin i juaj i krijimtarisë!”

Faik Shkodra tha se, “kësaj here na ka mbledhur puna, vullneti, gatishmëria, bujaria, fisnikëria dhe zemërgjerësia e çiltërt e krijuesit të brezit të mesëm, Ramadan Mehmeti, i cili, duke kuptuar rolin dhe rëndësinë e librit, duke qenë tërë jetën i lidhur me botën e mësimit të librit, në mënyrë më të veçantë sot po i dhuron bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli” të Gjilanit bibliotekën e vet me më shumë se 3500 tituj, me të cilët po e pasuron fondin e tërësishëm të librave të kësaj biblioteke, në një anë, dhe po e vërteton faktin se gjatë periudhave të ndryshme të historisë së librit, në qendër të vëmendjes së shkrimtarëve, artistëve, krijuesve të fushave të ndryshme etj., ka qenë libri dhe rëndësia e tij”.

Mehmetali Rexhepi, shkrimtar e studiues gjilanas tha se, Ramadan Mehmeti është njëri nga autorët më të frytshëm e më prodhimtar. “Ky autor dhe mik i librit, në letërsinë e tij i kultivon të gjitha llojet deh gjinitë e shkrimit letrar-artistik, si për moshën e të rriturve, ashtu dhe për fëmijë e të rinj. Ramadan Mehmeti, sikur ndokush prej nesh, kishte një yll letrar, model antologjik, Beqir Musliun. Çasteve të fundit të jetës lëndore të Beqës, Dani, të cilin Beqa e quante “Ramo”, iu gjend pranë. Ndikimi i Beqës te Ramadan Mehmeti dhe tek të tjerë penë-shkrues ishte një model i krijuesit, jo për ta përsërit dhe imituar, por për ta ndjekur, sepse Beqir Muslu ishte dhe mbeti krijues unikat, i papërsëritshëm ne letrat e shkrimi shqip”.

Arsim Halili, krijues nga Bujanoci tha se, sot, para nesh është një shkrimtar i shumë veprave letrare, të cilat veçohen njëra nga tjetra.”Dani është treguar një krijues prodhimtar, i cili, letërsisë shqipe i ka dhuruar e po i dhuron vlerat e krijimtarisë së tij letrare. Me këtë rast, ky mik yni, bibliotekës po ia dhuron një pasuri të dijes, të cilat tituj më të ndryshëm do të kenë rast t’i lexojnë brezat që do të vijnë”.

Ramiz Bajraktari, punëtore e bibliotekave, tha se, sot po e ndjej vetën më mirë se dje, për faktin se, shkrimtarët tanë, si baca Dan e shumë të tjerë, nuk po i kursejnë veprat e tyre dhe po i pasurojnë bibliotekat tona. “Kjo është një pasuri që pak kush e bën për lexuesin dhe dashamirin e lexuesit. Kjo dhuratë po vie në kuadër të Javës së bibliotekarisë…”ku në disa mese po bëhen manifestime të ndryshme rreth hapjes së biblioteka të reja etj.

Në fund, Ramadan Mehmeti, personazh i këtij shkrimi tha se, sot e ndjej veten të gëzuar e të lumtur, natyrisht të shumëfishuar. “S’ka me botën e librit! Kjo bibliotekë, për mua është simbol jo vetëm i diturisë dhe i leximit, po edhe i kujtesës sonë kulturore, historike dhe letrare. Dhe, më duket se shkrimtari i ka borxh Gjilanit që t’ia dhurojë plotësisht jetën e tij, t’ia dhurojë vetveten, pra nëpërmes një biblioteke po në këtë mënyrë. Edhe unë e ndjej vetën të kënaqur që veprat e mia të jenë në këtë bibliotekë qyteti, ku, këtë mes e konsideroj si vendlindja ime. Ju faleminderit të gjithëve!/tefik selimi/rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).